Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:58 15.5.2020

“Moment historik” në Danimarkë, asnjë viktimë nga koronavirusi

Danimarka nuk raportoi asnjë vdekje të lidhur me koronavirusin - për herë të parë qysh më 13 mars.

Gjatë 24 orëve të fundit, numri i të infektuarve u rrit për 78, në 10,791, ndërsa numri i hospitalizimeve ra për 10, në 137.

Numri i viktimave mbeti i pandryshuar: 537.

"Moment historik: Në ditën e fundit kemi pasur 0 vdekje si rezultat i COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi] në Danimarkë", tha ministri i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, në Twitter.

Danimarka ka hyrë në fazën e dytë të lehtësimit të masave të izolimit, duke lejuar rihapjen e shkollave për fëmijët më të rritur, postave tregtare dhe restoranteve.

Me gjithë lehtësimin e masave, e ashtuquajtura shkallë e riprodhimit, e cila tregon numrin mesatar të infeksioneve të shkaktuara nga një person me virus, ra në 0.7 në javën e parë të majit, nga 0.9.

"Kjo pasqyron faktin se epidemia është në rënie të shpejtë", tha Christian Wejse, shkencëtar në departamentin e sëmundjeve infektive në Universitetin Aarhus.

Deri më tash, sipas autoriteteve shëndetësore, 83 për qind e të diagnostikuarve me koronavirus në Danimarkë, janë shëruar.

Nga ata që kanë vdekur, 87% kanë qenë mbi 70 vjeç.

15:33 15.5.2020

Republika Çeke lehtëson tutje masat e izolimit

Republika Çeke njoftoi se do të lehtësojë tutje masat kundër koronavirusit, pasi numri i të infektuarve në këtë vend mbetet ndër më të ulëtit në Evropë.

Nga data 25 maj, autoritetet thanë se do të lejojnë tubime deri në 300 vetë.

Nga kjo datë do të hapen edhe restorantet, tha ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech.

Qendrat tregtare, kinematë, parukeritë dhe terracat e restoranteve janë hapur të hënën, pas gati dy muajsh të mbyllura.

Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka konfirmuar 8,352 raste me koronavirus dhe 293 viktima.

“Nëse situata epidemiologjike mbetet e favorshme, kufiri i tubimit të njerëzve do të rritet në 500 vetë më 8 qershor dhe në 1,000 vetë më 22 qershor”, tha Vojtech.

Lehtësime të tjera të masave të izolimit do të ndërmerren nëse numri i të infektuarve me koronavirus mbetet nën 100 brenda ditës, tha epidemiologu çek, Rastislav Madar, pjesë e një ekipi zyrtar të këshillimit.

Vizitat në spitale do të rifillojnë gjithashtu më 25 maj, megjithëse distanca fizike do të mbetet në fuqi.

Pragë
Pragë

14:54 15.5.2020

Ekonomia gjermane hyn në recesion

Gjermania është zhytur në recesion pasi pësoi tkurrjen e saj më të madhe tremujore, që nga kriza financiare e vitit 2009.

Ekonomia më e madhe e Evropës u tkurr me 2.2% në tre muajt e parë të vitit 2020, pasi dyqanet dhe bizneset u mbyllën, në mes të marsit, për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Sidoqoftë, rënia nuk është aq e keqe sa në ekonomitë e tjera të mëdha evropiane siç janë Franca (5.8%) dhe Italia (4.7%).

Kjo është pjesërisht për shkak të një vendimi të 16 landeve të Gjermanisë për të lejuar që fabrikat dhe punishtet e ndërtimit të qëndrojnë të hapura, dhe një pakete shpëtimi nga qeveria.

Ekonomistët presin një rënie më të thellë në tremujorin e dytë të vitit, pasi efektet e plota të izolimit do të jenë më të dukshme.

14:43 15.5.2020

Karantina në Qendrën e Studentëve nxit përplasje mes Thaçit dhe VV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pretendimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në karantinën që ndodhet në Qendrën e Studentëve, vendosen njerëz në mënyrë selektive dhe në baza politike.​

"Presidenti edhe njëherë tha një mori të pavërtetash dhe nxiti sërish përçarje. Këto të pavërteta të formuluara kësilloj janë padyshim të qëllimshme dhe marrë parasysh institucionin që përfaqëson janë edhe të papranueshme. Këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim", thuhet në reagimin e Vetëvendosjes, parti kjo që udhëheq me qeverinë në detyrë të Kosovës.

Në një konferencë për media të mbajtur të premten, presidenti Thaçi kritikoi menaxhimin e karantinës në Qendrën e Studentëve nga ana e institucioneve qeveritare duke thënë se vendosja e personave aty, duhet të ndodhë në mënyrë profesionale dhe jo selektive.

"Me rëndësi është që karantinimi në konvikte të bëhe në mënyrë profesionale në raste të nevojshme e sidomos të mos vazhdojë të ketë qasje selektive politike, dikush të karantinohet e dikush jo, në bazë të lidhjeve dhe preferencave politike", ka thënë Thaçi.

Me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri, të gjithë personat që synojnë të hyjnë në Kosovë, duhet t’i nënshtrohen karantinës në ambientet e Qendrës së Studentëve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG