Pendarovski e vazhdon për dy javë gjendjen e jashtëzakonshme në Maqedoni të V.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Maqedonisë së Veriut ka vendosur vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për dy javë.
Gjendja e jashtëzakonshme në këtë vend po zgjat tani e dy muaj për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe është dashur të skadojë më 17 maj.
"Do të jenë të mjaftueshme [dy javë] për të zbatuar masat ekonomike dhe për të përfunduar luftën në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Arsyeja e këtij vendimi është nevoja për të zbatuar masa ekonomike dhe sociale, për të zbutur pasojat e pandemisë”, ka deklaruar presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili drejton Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Vendimit të presidentit i ka paraprirë kërkesa e qeverisë për zgjatje të gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditë, por Pedarovski ka pranuar vazhdimin e saj për vetëm 14 ditë.
Ai ka thënë se vendimi për kohëzgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk ka lidhje me datën e zgjedhjeve.
Por, vendimi i tij dikton caktimin e kësaj date, pasi, sipas ligjeve në fuqi, menjëherë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme vazhdojnë afatet për mbajtjen e zgjedhjeve që ishin ndërprerë që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme më 17 mars.
Njëzetedy ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme më 30 maj, duhet të mbahen zgjedhjet.
Në bazë të parashikimeve, ato duhet të mbahen më 21 qershor, por për këtë duhet të vendosin liderët e partive në një takim te presidenti javën e ardhshme.
Maqedonia e Veriut, këtë javë, ka nisur me lehtësimin e masave kundër koronavirusit, duke rihapur qendrat tregtare dhe biznese tjera.
Organizata Botërore e Shëndetësisë sjell disa këshilla:
Koronavirusi dëmton rëndë ekonomitë e SHBA-së dhe Gjermanisë
Shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara ranë për 16.4 për qind në muajin prill, tregojnë të dhënat e qeverisë.
Kjo është rënia më e madhe që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1992.
Ajo pothuajse është dyfishuar në krahasim me rënien e muajit mars prej 8.3%.
Situata është pasojë e mbylljes së shumë bizneseve, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ndërmarrje si JCrew aplikuan për mbrojtje nga falimentimi.
Të tjerë shitës me pakicë, si JC Penny, pritet të ndërmarrin hapa të ngjashëm.
Të dhënat vijnë në kohën e një niveli të paparë të humbjeve të vendeve të punës në SHBA.
Rreth 36.5 milionë amerikanë janë regjistruar si të papunë gjatë tetë javëve të fundit.
Të premten, edhe Gjermania – ekonomia më e madhe në Evropë – njoftoi se është zhytur në recesion, pasi pësoi tkurrjen më të madhe tremujore që nga kriza financiare e vitit 2008.
Të dhënat zyrtare atje treguan se ekonomia është tkurrur për 2.2. për qind në tre muajt e parë të vitit 2020.
Edhe Gjermania ka mbyllur dyqane dhe biznese, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Infografikë: