Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
19:48 15.5.2020

Në Itali bie edhe numri i viktimave, edhe i të infektuarve të rinj

Numri i viktimave nga koronavirusi në Itali ra të premten në 242, krahasuar me 262 sa ka qenë të enjten.

Agjencia e Mbrojtjes Civie tha se edhe numri i të infektuarve të rinj ka rënë nga 992 në 789.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve në këtë vend, që nga shpërthimi i koronavirusit më 21 shkurt, ka arritur në 31,610.

Kjo është shifra më e lartë në botë, pas atyre në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Venedik, Itali
Venedik, Itali

19:19 15.5.2020

OBSH po heton lidhjet midis COVID-19 dhe një sëmundjeje të fëmijëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është duke studiuar lidhjen e mundshme midis sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, dhe një sëmundjeje të rrallë inflamatore që ka sëmurë dhe vrarë fëmijë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Në javët e fundit, disa vende kanë raportuar raste të fëmijëve me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes Kawasaki.

“Raportet e para supozojnë se kjo sindromë mund të ketë lidhje me COVID-19", tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë virtuale.

"Është thelbësore që kjo sindromë klinike të përcillet me urgjencë dhe me kujdes, të kuptohet shkaku dhe të përshkruhen ndërhyrjet në trajtim", tha ai.

Tedros i bëri komentet pasi një mjek në Francë tha të premten se një djalë nëntë vjeç atje, që ka dalë pozitiv për COVID-19, ka vdekur nga sindroma, duke shënuar vdekjen e parë të tillë në këtë vend.

Vdekje të ngjashme të fëmijëve po hetohen edhe në Nju Jork dhe Londër.

18:53 15.5.2020

Edhe 384 viktima në Mbretërinë e Bashkuar

Në 24 orët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan edhe 384 viktima nga koronavirusi.

Kjo shifër e çon në 33,998 numrin e përgjithshëm të të vdekurve në këtë vend.

Mbretëria e Bashkuar është shteti më i prekur në Evropë sa u përket viktimave.

Në aspektin global prin SHBA-ja me gati 86,000 të vdekur.

Londër
Londër

18:32 15.5.2020

Nga e hëna nis faza e dytë e lehtësimit të masave në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se nga 18 maji, në Kosovë do të fillojë zbatimi i fazës së dytë të lehtësimit të masave të vendosura në kuadër të luftimit të pandemisë së koronavirusit.

Kurti tha se ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Nga e hëna do të rihpahen këto biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, deklaroi Kurti.

Ai tha se për shkak të rrezikut nga përhapja e koronavirusit, do të vazhdohet me një orar të kufizimit të lirisë së lëvizjes.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.

Kurti tha se faza e dytë nënkupton hapje të ekonomisë dhe lëvizjes më të shumtë të qytetarëve, që, sipas tij, duhet bërë gjithmonë duke respektuar masat parandaluese dhe duke respektuar distancën fizike.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vita, tha se qytetarët duhet të vazhdojnë t’iu përmbahen masave dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Sa i takon mundësisë së rifillimit të garave sportive, Vita tha se janë zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit sportiv në Kosovë dhe se është bërë e qartë se nuk do të ketë asnjë mundësi që garat sportive të rifillojnë para datës 2 qershor.

Këto komente, Kurti dhe Vitia i bënë në një konferencë me gazetarë në Prishtinë.

Faza e parë e lehtësimit të masave në Kosovë ka nisur më 4 maj.

Deri më tash, Kosova ka konfirmuar 945 raste me koronavirus; prej tyre 690 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG