Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
21:34 15.5.2020

Zgjatet pezullimi i turneve të tenisit profesionist

Pezullimi i turneve të tenisit profesionist, për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të vazhdojë deri më 31 korrik.

Vendimi i marrë të premten nga Shoqata e Profesionistëve të Tenisit (ATP) dhe Shoqata e Grave të Tenisit (WTA) prek turnetë në Gjermani, Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Suedi, Meksikë, Kroaci, Letoni, Rumani dhe Austri.

"Për shkak të paqartësive të vazhdueshme përreth pandemisë COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], me keqardhje njoftojmë vendimin tonë për të zgjatur pezullimin e turneve", tha përmes një deklarate kryetari i ATP-së, Andrea Gaudenzi.

Turnetë kanë qenë të pezulluara së paku deri më 13 korrik, për shkak të shqetësimeve për përhapjen e koronavirusit në turma ose në mesin e atletëve.

Wimbledon, turneu i përvitshëm në Londër, është anuluar, ndërsa French Open e ka shtyrë datën e fillimit nga fundi i majit për në fund të shtatorit.

Turneu në Nju Jork, U.S. Open, është planifikuar të fillojë më 24 gusht.

21:18 15.5.2020

Jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë i Brazilit

Ministri i Shëndetësisë i Brazilit, Nelson Teich, dha dorëheqje, pas më pak se një muaji në këtë detyrë.

Vendimi pasoi mosmarrëveshjet në lidhje me trajtimin e krizës së koronavirusit nga qeveria.

Teich e ka kritikuar një dekret të lëshuar nga presidenti Jair Bolsonaro, për të lejuar rihapjen palestrave dhe të salloneve të bukurisë.

Paraardhësi i tij është shkarkuar po ashtu për shkak të mosmarrëveshjeve me Bolsonaron.

Bolsonaro vazhdon t’i kundërshtojë masat e izolimit për shkak të koronavirusit.

Ai e ka minimizuar atë, duke e cilësuar si “grip të vogël”.

Brazili ka mbi 200,000 njerëz të infektuar me koronavirus dhe mbi 14,000 viktima.

20:56 15.5.2020

Në izolim, dhuna në familje në rritje

Derisa miliona njerëz po strehohen në shtëpi gjatë pandemisë se koronavirusit, rastet e dhunës në familje po rriten në Rusi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në mbarë botën.

Në izolim, dhuna në familje në rritje
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:53 0:00

20:47 15.5.2020

Rriten për 30% rastet e dhunës në familje në Kosovë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se rastet e dhunës në familje këtë vit janë rritur për 30 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Rritja e numrit të rasteve, sipas saj, ka ndodhur në kohën kur Kosova është duke kaluar nëpër pandeminë e koronavirusit të ri.

“Gjatë kohës së pandemisë, krahasuar me vitin e kaluar, dhuna në familje është rritur për 30% më shumë, bazuar në databazën që posedon Ministra e Drejtësisë. Kjo është shqetësuese dhe kërkon ngritjen e nivelit të përgjegjësisë së institucioneve, sidomos atyre të sigurisë dhe drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu në një postim në rrjetin social Facebook.

Sipas Haxhiut, dhuna psikike, fizike, materiale dhe seksuale është vepër penale, prandaj çdo dhunues "duhet të dënohet sipas legjislacionit në fuqi".

Që nga kufizimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve në muajin mars, për shkak të koronavirusit, në Kosovë është raportuar për rritje të rasteve të dhunës në familje.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, janë bërë pjesë e një fushate, përmes së cilës kanë kërkuar denoncimin e rasteve të dhunës në familje.

Përveç Kosovës, edhe vende të tjera të botës kanë raportuar shifra më të larta të rasteve të dhunës në familje, gjatë kohës sa pandemisë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG