Njëzetedy të infektuar dhe një i vdekur nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për një person të vdekur dhe 22 raste të reja me koronavirus të regjistruara gjatë 24 orëve te fundit në Maqedoninë e Veriut. Në Shkup janë evidentuar nëntë raste, gjashtë në Tetovë, katër në Prilep dhe nga një në Kumanovë, Veles dhe Ohër.
Viktima ka qenë grua e moshës 79-vjeçare nga Shkupi, e cila ishte shtrirë në spital më 13 maj me simptoma të sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Të dhënat janë bërë të ditura pas kryerjes së 462 testeve nga Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas raportit, 16 persona janë shëruar plotësisht dhe prej tyre tetë janë nga Shkupi që ka edhe numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus.
Që nga paraqitja e virusit, janë infektuar 1762 persona dhe prej tyre 1267 janë shëruar, 98 kanë ndërruar jetë ndërsa 397 ende janë aktivë. Deri tani janë realizuar 21,010 teste.
Gjatë 24 orëve të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme ka regjistruar 64 raste të mosrespektimit të orës policore, ku 49 persona janë arrestuar. Për mosmbajtje të maskës mbrojtëse, 20 persona janë dënuar me nga 20 euro.
Austria rihap kufijtë me Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë
Kufijtë e Austrisë me Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë do të rihapen plotësisht më 15 qershor, ka njoftuar Ministria e Brendshme austriake, teksa ka vazhduar lehtësimin e masave të vëna për luftim të koronavirusit.
Ky njoftim ka ardhur pas një hapi të koordinuar për të hequr plotësisht kufizimet në udhëtim mes Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit nga 15 qershori si dhe për lehtësim të kufizimeve se kush mund të kalojë tranzit gjatë kësaj kohe.
Kufizimet për tranzit mbeten në fuqi për Italinë.
“Qëllimi ynë është të kemi liri sa mundemi dhe sa më pak kufizime të nevojshme”, kanë thënë zyrtarë të ministrisë së Brendshme, Jashtme dhe ata për Evropë, përmes një deklarate të përbashkët.
“Këto lehtësime krijojnë normalitet për njerëzit në rajonin kufitar dhe e bëjnë më të lehtë përditshmërinë”.
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje të mërkurën për rihapje të kufijve të brendshëm, mirëpo ka rekomanduar që kufijtë e jashtëm të mbeten të mbyllur për shumicën e udhëtimeve deri të paktën në mes të qershorit.
Hartë në kohë reale për përhapjen e koronavirusit
Kjo hartë tregon përhapjen e koronavirusit sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Worldometers.info. Të dhënat e tyre bazohen në informacionet e ofruara nga qeveritë. Në shumë shtete, ka kufizime në publikimin e këtyre informacioneve apo ka arsye përse nuk mund të tregohet në mënyrë të drejtë situata reale.
Metodologjia, transparenca dhe kualiteti i këtyre të dhënave mund të ndryshojë në mënyrë dramatike nga shteti në shtet.
Liga gjermane e futbollit rikthehet në stadion pa publik
Liga kryesore e futbollit në Gjermani, Bundesliga, do të rikthehet në stadion prapa dyerve të mbyllura. Kjo është liga e parë evropiane që do po rikthehet që nga shfaqja e pandemisë COVID-19.
Ndeshjet e së shtunës vijnë pas pezullimit të tyre më 13 mars. Ndeshja e parë që do të zhvillohet është në mes Bourssia Dortmund dhe Schalke, të shtunën.
Forcat e sigurisë do të jenë prezente në stadion për të siguruar që tifozët nuk do të tentojnë të hyjnë brenda.
Rreth 300 persona përfshirë lojtarët, stafin dhe zyrtarët, pritet të jenë në stadion.
Lojtarët janë testuar për COVID-19 dhe duhet të mbajnë distancë sociale.