Kanadaja miraton testimin e një vaksine për koronavirus
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka thënë se qeveria e tij ka miratuar testimin e parë klinik në këtë shtet të një vaksine potenciale për koronavirus.
Ai u ka thënë gazetarëve se testimet do të bëhen në Qendrën kanadeze për Viksionologji në Universitetin Dalhousie.
Trudeau nuk ka bërë të ditur se kush po zhvillon vaksinën, mirëpo ka thënë se nëse të gjeturat do të rezultojnë të sukesesshme, Këshilli Kombëtar për Kërkime në Kanada do të ndihmojë në prodhim dhe shpërndarje.
Kanadaja deri më tani ka raportuar 75,000 raste të prekura me koronavirus, bashkë më 5,595 vdekje të lidhura me të.
Modit i rritet popullariteti gjatë pandemisë
Popullariteti ndaj kryeministri indian, Narendra Modi është rritur prej nisjes së shpërthimit të pandemisë, pasi shifrat në disa sondazhe janë rritur nga 80 deri në 90 për qind, ka raportuar e përditshmja amerikane, The New York Times.
Mirëpo jo secili është duke përkrahur atë.
Një aplikacion që ndihmon në kontrollimin e përhapjes së koronavirusit është shkarkuar nga 50 milionë persona brenda ditës në Indi, duke tërhequr vërejtjen për qeverinë autoritare, e cila sipas tyre është duke shfrytëzuar pandeminë për të cenuar liritë civile.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, India deri më tani ka regjistruar 88,506 persona të infektuar dhe 2,760, të vdekur, si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronvirusi.
Edhe në Kosovë është raportuar rritje e rasteve të dhunës në familje, në kohën e shpërthimit të koronavirusit.
Mijëra gjermanë protestojnë kundër masave kufizuese
Mijëra gjermanë kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar kundër kufizimeve të vëna nga qeveria, me qëllim të luftimit të pandemisë me koronavirus, kanë thënë organizatorë dhe zyrtarë policorë.
Numri i të vdekurve nga ky virus në Gjermani ka qenë më i ulët sesa në shumicën e fqinjëve të saj evropianë, andaj edhe janë hequr disa masa të kufizimit, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
Kjo është fundjava e dytë që gjermanët dalin në rrugë për këtë çështje.
Të quajtur nga disa nëpër media si “covidiotë”, të cilët rrezikojnë nisjen e një vale të dytë të infektimit, protestuesit kanë nisur protesta në disa lokacione në Berlin dhe shtetin e afërt, Brandenburg.
Në Shtutgart, ku javën e kaluar disa protestues nuk kanë respektuar distancimin fizik dhe nuk kanë vendosur maska, policia ka thënë se pret një marsh me rreth 5,000 persona.
Koronavirusi deri më tani ka infektuar mbi 173,000 persona në Gjermani, derisa ka lënë të vdekur afro 7,900 prej tyre.
Shumica e gjermanëve kanë përkrahur menaxhimin e krizës nga Qeveria e kancelares, Angela Merkel.
Një sondazh i publikuar të enjten ka treguar se 56 për qind e popullsisë përkrah masat aktuale të izolimit.