Rihapen shkollat dhe plazhet në Izrael
Shkollat dhe plazhet do të rihapen këtë javë në Izrael, teksa ky shtet vazhdon të lehtësojë masat e izolimit, ka raportuar Haaretz.
Qeveria ka miratuar vendimin për rihapje të shkollave për të gjitha nivelet, në zonat që nuk konsiderohen vatra të përhapjes së virusit.
Plazhet do të hapen zyrtarisht të mërkurën, ndonëse mijëra persona tashmë janë parë në plazhet e Tel Avivit gjatë fundjavës, pavarësisht ndalesës që ka qenë në fuqi.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Izraeli ka regjistruar 16,608 të infektuar dhe 268 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Italia prezanton fazat e daljes nga izolimi
Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka prezantuar lehtësimin e masave të izolimit, duke përfshirë rihapjen e të gjitha dyqaneve, restoranteve dhe parukerive nga 18 maji, duke mos harruar udhëzimet që synojnë të ndalin përhapjen e koronavirusit sërish.
Në një adresim para kombit të shtunën, Conte ka thënë se përpjekjet për të kontrolluar shpërthimin e koronavirusit kanë sjellë rezultate dhe se Italia është e gatshme për një fazë të re kundër pandemisë, duke theksuar se ka shumë besim dhe përgjegjësi nga ana e popullatës.
Më 25 maj, palestrat, pishinat dhe qendrat sportive do të rihapen sërish, ndonëse duhet të funksionojnë me protokolle të sigurisë.
Më 3 qershor njerëzit mund të udhëtojnë nga rajoni në rajon, përveç nëse qeveria merr masa mbrojtëse bazuar nga rreziku i infektimit në ndonjë rajon specifik.
Nga kjo datë nuk do të jenë subjekt i karantinës edhe personat që arrijnë në këtë shtet nga Bashkimi Evropian, zona Shengen (përfshirë Zvicrën), Mbretëria e Bashkuara, Irlanda Veriore, Andora, Monako, San Marino dhe Vatikani.
Ai ka thënë se duhet edhe pak kohë para se të rikthehet liga italiane e futbollit, Serie A, ndonëse ekipet mund të rifillojnë stërvitjet nga 18 maji.
“Ne po marrin rrezik të matshëm, të vetëdijshëm se lakorja e infektimit mund të rritet sërish”, ka thënë Conte para gazetarëve.
“Ne po marrim rrezik dhe na duhet ta pranojmë atë, përndryshe nuk do të mund të rifillonim. Nuk mund të presim për vaksinë” është shprehur mes tjerash ai.
Italia është një prej shteteve të prekura më së keqi nga koronavirusi i ri. Ky vend ka regjistruar mbi 200,000 të infektuar dhe mbi 30,000 të vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Drejtori i Institutit amerikan për Alergji për Sëmundje Infektuese, Anthony Fauci, ka thënë së fundmi: Të jem i sinqertë, nuk besoj se ndonjëherë do të shtrëgojmë duart. Në kohën e koronavirusit, me siguri që dëshironi të bëni përshëndetje në mënyrë të sigurt. Këtu janë disa sugjerime.
Kosova regjistron 23 raste të reja me koronavirus
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar të shtunën edhe 23 raste të reja me koronavirus, pas kryerjes së 270 testeve.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Ferizajit 16 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Balaj dhe 5 raste Ferizaj), komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Randobravë), komuna e Zubin Potokut 2 raste dhe me nga 1 rast vendbanimet: Vushtrri dhe Leposaviq”, është thënë në njoftim.
Në po këtë ditë janë shëruar 22 pacientë, duke e çuar numrin total në 713.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani është raportuar për 978 të prekur, dhe 29 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.