Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:10 17.5.2020

Spanja raporton 87 vdekje në 24 orët e fundit

Në Spanjë, gjatë 24 orëve janë raportuar më pak se 100 viktima nga COVID-19, për herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë dhe vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, rreth dy muaj më parë.

Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Ilya, tha se autoritetet rajonale kishin raportuar 87 vdekje të reja.

Në kulmin e epidemisë në Spanjë, çdo ditë, nga sëmundja COVID-19 që e shkakton koronavirusi i ri, raportoheshin rreth 900 vdekje.

Vendi anëtar i Bashkimit Evropian, deri më tani ka shënuar 27.563 vdekje, dhe 230.698 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

Spanja po lehtëson masat e saj të rrepta të izolimit, të cilat arritën të ngadalësojnë përhapjen e virusit, por gjithashtu shkaktuan rënie të ekonomisë së saj.

Spanja gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.
Spanja gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

14:15 17.5.2020

Tre të vdekur dhe 30 të infektuar nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut ka regjistruar edhe tre të vdekur nga koronavirusi duke e çuar në 101 numrin e viktimave që nga paraqitja e virusit COVID-19.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, dy viktima janë nga Tetova të moshës 57 dhe 78 vjeç ndërsa i treti është nga qyteti i Velesit, i moshës 58 vjeçe.

Nga spitali i Strugës është njoftuar për vdekjen e një vajze 14 vjeçe, e cila kishte ndërruar jetë rrugës për në Klinikën Infektive në Shkup. Ajo ishte pranuar në spitalin e Strugës në gjendje të rëndë shëndetësore. Në Shkup do të testohet për koronavirus.

Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë, gjithashtu ka bërë të ditur për 30 të infektuar, shifër kjo e lartë në krahasim me tre ditët e fundit. Numri më i madh i të infektuar është në Shkup me 11 raste dhe në Tetovë me 6 raste.

Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se janë shëruar 26 persona me koronavirus ndërsa ka dalë me një pasqyrë edhe për punonjësit shëndetësor duke bërë të ditur se 91 për qind e të infektuarve me COVID-19 janë shëruar plotësisht.

Nga 247 punonjës sa ishin infektuar, 227 kanë fituar betejën me koronavirus dhe janë kthyer në vendet e punës ndërsa 20 të tjerë vazhdojnë të jenë nën kujdes mjekësor.

Aktualisht nga 1,792 të infektuar, 1293 janë shëruar ndërsa 398 ende janë aktivë.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se 39 persona e kanë shkelur ndalesën për lëvizje dhe 30 prej tyre janë shoqëruar në polici për procedurë kundërvajtëse ndërsa kundër 9 të tjerëve do të ngriten padi penale.

13:07 17.5.2020

Katër pacientë me COVID-19 në Kosovë, në gjendje më të rënduar

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se janë të hospitalizuar 10 pacientë të infektuar me koronavirus.

Gjashtë prej tyre janë në gjendje stabile, kurse katër në gjendje më të rëndë, thuhet në një njoftim për media.

Në klinikë, thuhet në njoftim janë edhe 5 pacientë të tjerë me COVID-19, por që vazhdojnë mjekimin.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani është raportuar për 978 të prekur, 713 të shëruar dhe 29 të vdekur si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

12:21 17.5.2020

Pandemia zvogëlon importin dhe eksportin në Kosovë

Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ka prekur pothuajse në të gjitha sferat ekonomike. Që nga shpallja e masave emergjente që janë marrë për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit, në Kosovë është zvogëluar edhe importi i produkteve, që nënkupton edhe rënie të konsumit.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vetëm për muajin mars dhe prill të këtij viti, importi i produkteve ka shënuar rënie, mbi 139 milionë euro, kurse eksporti i mallrave nga Kosovë në vende tjera në mbi 3 milionë euro.

"Nga data 01.03. 2020 deri më 30.04.2020 importi i produkteve nga shtetet tjera në Kosovë ka qenë mbi 441 milionë euro, nga mbi 580 milionë euro sa ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar".

"Kurse eksporti nga mbi 61 milionë euro sa ka qene në muajin mars dhe prill të vitit të kaluar, ka rënë në 58 milionë euro”, ka thënë Adriatik Stavileci në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë.

Paralelisht me importin, rënie ka pasur edhe konsumi, çka sipas ekspertëve për çështje ekonomike, kjo drejtpërdrejtë ndikon në të hyrat buxhetore të shtetit.

Kjo, pasi vlera më e madhe e buxhetit mbushet nga të hyrat e Doganës se Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.

Kosova është e varur nga importi i produkteve të huaja, qoftë nga rajoni apo nga vendet e Bashkimit Evropian, pasi industria e prodhimit vendor ende mbetet pak e zhvilluar.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG