Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
11:40 17.5.2020

Hapen kishat në Greqi

Mijëra grekë janë kthyer në kisha të dielën, pas periudhës së izolimit dhe masave kufizuese të lëvizjes me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Mesha u zhvillua me anë të distancës sociale duke praktikuar rregullat e reja në ruajtjen e shëndetit publik.

Për më shumë se dy muaj, grekët kanë qëndruar në shtëpi duke shënuar edhe Pashkët brenda. Masat e izolimit në Greqi nisën në mes të muajit mars.

Greqia ka shënuar një numër të vogël krahasuar me vendet tjera të të infektuarve me COVID-19. Deri të shtunën, u regjistruan 2,819 raste dhe 162 viktima.

10:40 17.5.2020

Kina kërkon nga kompanitë të rrisin prodhimin pas rrezikut të valës së dytë të virusit

Kina ka kërkuar nga kompanitë prodhuese të ushqimeve që të rrisin prodhimin e tyre për shkak të rrezikut të një vale të dytë të koronavirusit, që mund të jetë kërcënim për furnizim global.

Kompanive shtetërore dhe private u është kërkuar të rrisin prodhimin në vajëra dhe drithëra.

Një burim, raporton Reuters, ka thënë se Ministria e Tregtisë ka zhvilluar takim me kompanitë për të garantuar se ka rezerva të mjaftueshme gjatë pandemisë.

Por, Ministria e Tregtisë nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara për planet e rritjes së rezervave në këtë periudhë.

Deri më 16 maj, Kina, epiqendra e përhapjes së virusit COVID-19 ka shënuar 82,947 raste me koronavirus.

09:40 17.5.2020

Hartë në kohë reale për përhapjen e koronavirusit

Kjo hartë tregon përhapjen e koronavirusit sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Worldometers.info. Të dhënat e tyre bazohen në informacionet e ofruara nga qeveritë. Në shumë shtete, ka kufizime në publikimin e këtyre informacioneve apo ka arsye përse nuk mund të tregohet në mënyrë të drejtë situata reale.

Hartën mund ta shikoni këtu.

08:33 17.5.2020

Brazili, vendi i katërt në botë me më së shumti raste të infektuara

Brazili ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus të shtunën, duke kaluar Italinë dhe Spanjën që ishin epiqendra e virusit në Evropë.

Ministria e Shëndetësisë në Brazil ka regjistruar 14,919 raste të reja në 24 orë duke e çuar numrin total në 233,142 raste. Sipas statistikave, Brazili ka numrin më të madh të rasteve pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Britanisë.

Numri i testimeve të kryera në Brazil është ende shumë larg nga shtetet tjera evropiane.

Ndërkaq, Italia dhe Spanja kanë kryer 1.9 milion teste për koronavirusin. Ministria e Shëndetësisë në Brazil të shtunën raportoi për 816 viktima të reja nga virusi, ndërkaq numri total ka rritur në 15,633.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG