Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
17:22 17.5.2020

SHBA-ja do të dërgojë ventilatorë në Rusi

Shtetet e Bashkuara do të dhurojnë 200 ventilatorë mjekësorë në Rusi, pasi ky vend po përballet me numër të lartë të të infektuarve nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19, raportoi Zëri i Amerikës.

Javën e ardhshme do të realizohet dërgesa e parë prej 50 ventilatorëve.

Më 8 maj presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kishte ofruar ndihmë për Rusinë, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Trump më vonë tha se Putini e kishte pranuar ofertën.

Sidoqoftë, një njoftimin për bisedën mes presidentëve, Kremlini nuk e kishte përmendur ndihmën.

Rusia nuk e ka konfirmuar për Zërin e Amerikës se do të pranojë ndihmë nga SHBA-ja.

Pas Shteteve të Bashkuara, Rusia ka numrin e dytë më të lartë të rasteve të raportuara me COVID-19 në botë.

Në muajin prill Rusia dërgoi ventilatorë në Shtetet e Bashkuara pasi qytetet si Nju Jorku, u përballën me mungesë të këtyre pajisjeve mjekësore.

Uashingtoni tha se kishte paguar për pajisjet.

16:54 17.5.2020

Në Bosnje dhe Hercegovinë janë regjistruar 23 raste të reja me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë në Republikën Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri është shënuar edhe një viktimë.

Viktima është një grua e cila u trajtua në Qendrën Klinike Universitare të Banja Llukës.

Në 24 orët e kaluara në Bosnje dhe Hercegovinë, janë regjistruar edhe 23 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.

Sipas të dhënave të Ministrisë për Çështje Civile të Bosnjës, deri më tani në këtë vend janë regjistruar gjithsej 2.290 persona të infektuar me koronavirusin e ri, nga gati pesëdhjetë mijë të testuar.

Numri i të shëruarve ka arritur në 1,436 ndërsa 133 njerëz kanë vdekur.

16:33 17.5.2020

Dy viktima të reja nga COVID-19 në Serbi

Në Serbi gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur dy persona nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, që janë publikuar të dielën, numri i përgjithshëm i viktimave në këtë vend ka arritur në 230.

Numri i rasteve të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri është 114, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 10,610.

Në spitalet e këtij vendi janë trajtuar 764 pacientë dhe prej tyre 4,713 janë shëruar.

15:55 17.5.2020

Dilema e të moshuarve për virusin: brenda apo jashtë?

Rrugët dhe sheshet janë mbushur me njerëz që kur Kosova ka lehtësuar masat që ishin ndërmarrë në muajin mars për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Në rrugë shihen edhe shumë të moshuar që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë më të prekurit nga koronavirusi i ri si për nga infektimi ashtu edhe për nga viktimat. Shumica prej tyre ecin pa masa mbrojtëse.

Zenel Ajeti 70 vjeç, nga Prishtina, me maskë, por pa dorëza thotë se nuk është mirë që të personat me në moshë, në kohë të pandemisë të mos dalin në rrugë. Ai thotë se për vete e ka të detyrueshme ecjen.

"Nuk kam frikë nga virusi. E kam kohën e caktuar. Rreziku është për çdonjërin e sidomos për të vjetrit. Unë kam dalë dhe dal për të lëvizur për shkak të problemeve që kam me zemër. Me duhet të lëvizi", tha Ajeti.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG