Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
10:26 18.5.2020

Foshnjat që mbetën pa nëna, ushqehen nga vullnetaret në Kabul

Stafi mjekësor në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, janë duke u kujdesur për foshnjat e porsalindura, të cilat kanë mbetur pa nënat e tyre për shkak të një sulmi me armë zjarri në një maternitet më 12 maj. Disa vullnetare janë paraqitur për të ushqyer me gji foshnjat. Ende është e paqartë se kush qëndron prapa këtij sulmi.

Foshnjat që mbetën pa nëna, ushqehen nga vullnetaret në Kabul
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:11 0:00

09:36 18.5.2020

Policia e Kosovës ndalon 25 persona që s’i respektuan masat kundër koronavirusit

Për shkak të mosrespektimit të masave të vendosura për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit, Policia e Kosovës ka ndaluar 25 persona.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, numri më i lartë i të ndaluarve është në Mitrovicën e Jugut, gjithsej 15-të.

Të hënën në Kosovë ka nisur faza e dytë e lehtësimit të masave kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Në këtë fazë parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i fundit në letërnjoftim.Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë ka paralajmëruar se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 985 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga të cilët 736 janë shëruar.

09:21 18.5.2020

Në Klinikën Infektive po trajtohen 10 pacientë me COVID-19

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë duke u trajtuar 10 raste me Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

"7 raste janë në gjendje stabile, 3 raste janë në gjendje më të rënduar në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, 2 prej tyre janë duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike, kurse nga klinika do të lirohen 5 raste", thuhet në një njoftim të QKUK-së.

Deri më tani janë konfirmuar 985 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga të cilët 736 janë shëruar.

Në Kosovë rastet e para me koronavirusin e ri u shfaqën më 13 mars.

Për të frenuar përhapjen e mëtejmë të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

08:51 18.5.2020

Spitalet e Sao Paulos në Brazil afër kolapsit

Kryetari i qytetit më të madh të Brazilit, Sao Paulo, ka thënë se sistemi i tij shëndetësor mund të kolapsojë, pas rritjes së kërkesës për trajtime nga ana e pacientëve me koronavirusin e ri, raporton BBC.

Bruno Covas tha se spitalet publike të qytetit kishin arritur kapacitetin 90% dhe brenda dy javësh nuk do të kenë më vende për pacientë të rinj.

Sao Paulo është një nga rajonet më të goditura nga koronavirusi i ri, me gati 3,000 vdekje deri më tani.

Gjatë vikendit, Brazili kapërceu Spanjën dhe Italinë me numrin më të madh të të infektuarve nga koronavirusi i ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë raportoi për 7.938 raste të reja në 24 orët e kaluara, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 241 mijë.

Vetëm SHBA-ja, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë numër më të lartë.

Numri i të vdekurve në vendin e Amerikës Latine gjatë 24 orëve ishte 485.

Numri i përgjithshëm i viktimave tani është 16 118.

Ekspertët e shëndetit në Brazil kanë paralajmëruar se numri i vërtetë i të infektuarve mund të jetë shumë më i lartë se të dhënat zyrtare, për shkak të mungesës së testimeve.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG