Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:08 18.5.2020

Arrin në 104 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut u regjistruan edhe tri viktima nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi njoftoi të hënën për vdekjen e një gruaje të moshës 62-vjeçare nga Kumanova, të një burri nga Struga të moshës 59-vjeçare dhe të një tjetri të moshës 51-vjeçare nga Shkupi.

Të gjithë ata kanë ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup.

Me këto të dhëna, numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut arrin në 104.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, bëri thirrje për respektimin e masave kufizuese, si kusht i vetëm dhe i domosdoshëm për, siç tha, përballje të suksesshme me pandeminë.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi edhe për 25 raste të reja të të infektuarve, që u identifikuan gjatë 24 orëve të fundit.

Prej tyre, më së shumti u regjistruan në Shkup - gjithsej 16 raste.

Numri i të shëruarve gjatë 24 orëve të fundit është tetë - shifër kjo më e ulët në krahasim me ditët e kaluara.

Që nga fillimi i pandemisë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1,817 persona të infektuar; prej tyre 1,301 janë shëruar, 104 kanë vdekur, ndërsa 412 raste janë ende aktive.

Numri i testeve të kryera tash për tash qëndron në 21,722.

14:52 18.5.2020

Hungaria dhe Sllovenia merren vesh për rihapje të kufijve

Hungaria dhe Sllovenia kanë rënë dakord për një rihapje graduale të kufijve të tyre deri më 1 qershor, tha ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.

"Rihapja e ekonomive tona nuk është e mundur pa rifilluar bashkëpunimin ndërkombëtar", shkroi në profilin e tij në Facebook, ministri Szijjarto.

"Prandaj, pa rrezikuar mbrojtjen e shëndetit, është e nevojshme një lehtësim i masave kufizuese të vendosura në kufij", tha ai.

Më 15 maj, Sllovenia u bë vendi i parë evropian që shpalli zyrtarisht fundin e epidemisë së koronavirusit.

Njerëzit të cilët arrijnë në Slloveni nga vendet e tjera të BE-së nuk do të duhet më të zbatojnë një karantinë të detyrueshme për të paktën shtatë ditë, siç ka ndodhur që nga fillimi i prillit, thuhej në njoftimin e qeverisë sllovene.

Por, ata që hyjnë në Slloveni nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, me përjashtim të diplomatëve, duhet të hyjnë në karantinë në periudhë prej 14 ditësh.

Më 18 maj, qeveria e krahut të djathtë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, tha se do të paraqesë një propozim në parlament, për të hequr dorë nga fuqitë e jashtëzakonshme të cilat iu dhanë për të luftuar pandeminë.

13:51 18.5.2020

Merkel dhe Macron me plan të përbashkët për rimëkëmbjen e BE-së

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel pritet të dalin me një plan të përbashkët të vendeve të tyre, për rimëkëmbjen e BE-së nga kriza e pandemisë së koronavirusit.

"Plani ka të bëjë me fushat e shëndetësisë, rimëkëmbjen ekonomike, tranzicionin mjedisor dhe dixhital dhe sovranitetin industrial", tha presidenca franceze përmes një deklarate.

Ende nuk dihet detaje tjera të këtij plani, por ato pritet të shpalosen gjatë një konference të përbashkët për media, të cilën Macron dhe Merkel, do ta mbajnë më 18 maj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron

Evropa sapo ka filluar të dalë nga masat e izolimit të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.

Masat që u vendosën në mars e kanë ndaluar përhapjen e virusit, por edhe kanë shkaktuar dëme ekonomike për vendet e BE-së.

Gjermania, si ekonomia më e madhe e BE-së, tashmë ka hyrë në recesion.

Blloku evropian është zotuar të ndajë 500 miliardë euro fonde emergjente për të përballuar krizën.

Ekonomia e eurozonës në përgjithësi parashikohet të tkurret në 7.7 për qind këtë vit, por dëmi mund të jetë më i keq në Itali dhe Greqi. Ekonomitë e këtyre vendeve mund të tkurren me gati 10 për qind, raporton AFP.

13:16 18.5.2020

Qeveria hungareze do të heqë dorë nga kompetencat e gjendjes emergjente

Qeveria e krahut të djathtë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, tha se do të paraqesë një propozim në parlament për të hequr dorë nga fuqitë e jashtëzakonshme të cilat iu dhanë për të luftuar pandeminë.

Më 30 mars, parlamenti i Hungarisë, ku partia Fidesz e Orbanit ka shumicën, miratoi legjislacionin për luftimin e pandemisë, duke i dhënë qeverisë të drejtën për të qeverisur me dekret për një kohë të pacaktuar.

Paketa e masave u kritikua për mungesë të një afati kohor të gjendjes së jashtëzakonshme.

Parlamenti i Bashkimit Evropian mbajti një seancë të veçantë më 14 maj për të diskutuar sundimin e ligjit në Hungari, gjatë së cilës, zyrtarët e BE-së shprehën shqetësimin për situatën e sundimit të ligjit në këtë vend.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG