Bosnje dhe Hercegovina rihap kufijtë më 1 qershor
Kufijtë e Bosnje dhe Hercegovinës do të rihapen më 1 qershor, konfirmoi kabineti i Këshillit të Ministrave të këtij vendi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Ky vend i ka mbyllur kufijtë për të huajt më 17 mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Këshilli i Ministrave ka miratuar tani vendimin që përcakton kushte shtesë për hyrjen e të huajve në Bosnje.
Detaje për to do të jepen në një nga seancat e ardhshme të këtij Këshilli, iu tha Radios Evropa e Lirë.
Bosnja dhe Hercegovina ka konfirmuar afro 2,300 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 133 viktima.
"Nuk ka përgjegjësi kolektive, por është përgjegjësi e secilit individ që t’i zbatojë masat dhe kështu të parandalojë përhapjen e koronavirusit”, u tha gazetarëve Goran Çerkez, anëtar i Shtabit të Krizave në Ministrinë e Shëndetësisë të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Ekonomia e Japonisë bie në recesion
Japonia ka rënë në recesion për herë të parë qysh në vitin 2015.
Ekonomia e tretë më e madhe në botë është tkururr për 3.4% në tre muajt e parë të vitit 2020, bëjnë të ditur shifrat zyrtare.
Edhe ky vend, si shumë të tjera në botë, është duke u përballur me pandeminë e koronavirusit, e cila ka bërë që shumë biznese të mbyllen ose të ngadalësojnë prodhimin.
Japonia nuk është izoluar plotësisht, por ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në prill, e cila ka prekur rëndë zinxhirët e furnizimit dhe bizneset.
Koronavirusi ka dëmtuar ekonominë globale me një kosto të vlerësuar deri në 8.8 trilionë dollarë.
Javën e kaluar, edhe Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, ka rënë në recesion.
Disa këshilla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë:
OBSH-ja “ka lëshuar herët alarmin” për pandeminë
Organizata Botërore e Shëndetësisë “e ka lëshuar herët alarmin” për koronavirus, por trajtimi i pandemisë do të hetohet në mënyrë të pavarur, tha shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai e mbrojti përgjigjen e organizatës së tij ndaj koronavirusit ngjitës, duke thënë se u ka dhënë vendeve paralajmërime, udhëzime dhe këshilla të bollshme.
“OBSH-ja e ka lëshuar alarmin herët dhe shpesh”, tha Tedros në një fjalim para Asamblesë Botërore të Shëndetësisë.
Megjithatë, ai e mirëpriti një rezolutë të propozuar, me nismën e Bashkimit Evropian, për të rishikuar përgjigjen e OBSH-së, duke thënë se ajo duhet të përfshijë "të gjithë aktorët, me mirëbesim".
Duke pranuar se “ka pasur mësime që janë mësuar”, Tedros tha se do të nisë një hetim të pavarur të përgjigjes së OBSH-së sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Do të inicioj një vlerësim të pavarur, në momentin e parë të duhur, për të shqyrtuar përvojën e fituar dhe mësimet e marra, si dhe për të bërë rekomandime, për të përmirësuar gatishmërinë dhe përgjigjet kombëtare dhe globale ndaj pandemisë”, tha Tedros.
Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar OBSH-në për keqmenaxhim të krizës dhe, për rrjedhojë, kanë ndërprerë fondet për të në muajin prill.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se OBSH-ja “ka qenë e përqendruar rreth Kinës” dhe se Kina duhet të përballet me pasoja nëse ka qenë “me vetëdije përgjegjëse” për pandeminë.