Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
20:42 18.5.2020

Suedia regjistron muajin më vdekjeprurës në gati 30 vjet

Suedia - qasja më e butë e së cilës ndaj pandemisë së koronavirusit ka tërhequr vëmendje në gjithë botën - ka regjistruar në prill muajin më vdekjeprurës në gati tri dekada.

Suedia nuk ka ndërmarrë masa të ashpra kundër koronavirusit, të tilla si vendet e tjera në Evropë

Ajo i ka mbajtur hapur shollat për fëmijët nën 16 vjeç, ashtu si edhe kafiteritë, baret, restorantet dhe bizneset.

Autoritetet, ndërkaq, u kanë bërë thirrje njerëzve që të respektojnë udhëzimet për distancim fizik.

Zyra e Statistikave e Suedisë tha të hënën se 10,458 njerëz kanë humbur jetën në prill.

“Duhet të kthehemi prapa në dhjetor të vitit 1993, kur janë regjistruar më shumë të vdekur në një muaj të vetëm”, tha përmes një deklarate Tomas Johansson, nga Zyra e Statistikave.

Në total, 97,008 vdekje janë regjistruar në Suedi gjatë tërë vitit 1993, i cili, nga ana tjetër, ka qenë edhe viti më vdekjeprurës që nga 1918-ta, kur pandemia e gripit spanjoll e ka shkatërruar këtë vend.

Johansson tha për AFP-në se nuk ka pasur ndonjë shkaktar zyrtar që ka shpjeguar numrin e lartë të vdekjeve në dhjetor të vitit 1993, por shtoi se në atë kohë ka qenë një epidemi gripi.

Qasja suedeze ndaj koronavisrusit është kritikuar brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht pasi numri i viktimave i ka tejkaluar ato në vendet fqinje nordike, të cilat kanë vendosur masa më të ashpra të kontrollit.

Të hënën, Suedia tha se ka konfirmuar 30,377 raste të të infektuarve me koronavirus dhe 3,698 viktima.

20:18 18.5.2020

Tri raste të reja me koronavirus në Kosovë

Në Kosovë u konfirmuan të hënën tri raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë bëri të ditur se të trija rastet janë raste kontakti dhe se ato vijnë nga Komuna e Prishtinës.

Me këtë shifër, numri total i të infektuarve në Kosovë arrin në 988.

IKSHPK-ja po ashtu njoftoi se të hënën janë shëruar 18 pacientë, me të cilët numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 754.

Që nga regjistrimi i rasteve të para me COVID-19 më 13 mars, në Kosovë kanë humbur jetën 29 pacientë, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

19:39 18.5.2020

Turqia do të futet në izolim të plotë gjatë Bajramit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se vendi do të futet në izolim të plotë për katër ditë, duke filluar që nga data 23 maj.

Ky vendim, siç tha Erdogan, është marrë në kuadër të përpjekjeve për të frenuar përhapjen e koronavirusit, teksa vendi do të kremtojë Festën e Fitër Bajramit.

Duke folur pas takimit të kabinetit qeverisës, Erdogan po ashtu tha se shkollat nuk do të rihapen gjatë këtij viti akademik, duke shtuar se mësimi në shkolla do të nisë në shtator, në vitin e ri akademik.

President turk po ashtu tha se xhamitë, nga 29 maji do të rihapen për besimtarët për të kryer lutjet e mesditës dhe pasdites.

Erdogan po ashtu njoftoi se personat e burgosur, që janë dërguar në burg shtëpiak – si pjesë e masave kundër koronavirusit – do të qëndrojnë në burg shtëpiak edhe për dy muaj.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në Turqi, deri më tani janë regjistruar mbi 149,000 raste me koronavirus dhe mbi 4,100 të vdekur.

Një punëtor duke dezinfektuar Xhaminë e Kiliç Ali Pashës në Stamboll.
Një punëtor duke dezinfektuar Xhaminë e Kiliç Ali Pashës në Stamboll.

19:08 18.5.2020

Në Mbretërinë e Bashkuar regjistrohen 160 viktima të reja nga COVID-19

Departamenti për Shëndetësi i Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 160 viktima nga koronavirusi, duke e çuar në 34,796 numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Ky është numri më i ulët i viktimave të regjistruara brenda një dite në Britani që prej 24 marsit, ndonëse ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është indikatorë se numri i viktimave do të vazhdoi të bie.

Ndërkaq, në Mbretëri të Bashkuar u regjistruar edhe 2,684 raste të reja me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga autoritetet, në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani janë 246,406 raste me koronavirus.

Londër, prill, 2020.
Londër, prill, 2020.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG