Testimi i një vaksine kundër koronavirusit jep shenjat e parë premtues
Shenjat e parë se një vaksinë mund ta përgatisë sistemin imunitar të njerëzve për të luftuar koronavirusin, u raportuan nga një kompani në Shtetet e Bashkuara.
Moderna tha se antitrupat neutralizues janë gjetur në tetë personat e parë që kanë marrë pjesë në testim.
Kompania po ashtu tha se reagimi imunitar ka qenë i ngjashëm te njerëzit e infektuar me virusin aktual.
Testime më të mëdha për të parë nëse vaksina në të vërtetë mbron nga infeksioni, pritet të fillojnë në korrik.
Puna për krijimin e një vaksine kundër koronavirusit është duke u zhvilluar me një shpejtësi të paparë - rreth 80 grupe në të gjithë botën janë duke bërë përpjekje.
Moderna është e para që teston një vaksinë eksperimentale, të quajtur mRNA-1273, në njerëz.
Vaksina është një copëz e vogël e kodit gjenetik të koronavirusit, që injektohet te pacienti.
Ajo nuk ka kapacitet të shkaktojë infeksion ose simptoma të koronavirusit, por është e mjaftueshme për të nxitur reagime nga sistemi imunitar.
Testimet e vaksinës, të udhëhequra nga Instituti për Alergji dhe Sëmundje Infektive i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, treguan se ajo çon në prodhimin e antitrupave që mund të neutralizojnë koronavirusin.
Megjithatë, testimi është bërë vetëm në tetë njerëzit e parë, nga 45 sish.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë disa këshilla për gratë që janë shtatzëna në kohën e pandemisë së koronavirusit:
Ahmeti: Në Prishtinë janë 15 raste aktive me COVID-19
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se në kryeqytet janë 15 raste aktive me koronavirus dhe, sipas tij, të gjithë të prekurit janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti po ashtu njoftoi se tre rastet e reja me koronavirus, që u konfirmuan të hënën, janë familjarë të një personi që ka dalë pozitiv gjatë fundjavës.
“Sot në Prishtinë i kemi gjithsej 15 raste aktive, të gjitha në gjendje të mirë”, tha Ahmeti në një postim në Facebook, duke bërë thirrje që qytetarët të bartin maska dhe doreza kur dalin në qytet.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 988 raste me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.
Prej tyre, 754 janë shëruar, ndërsa 29 pacientë kanë humbur jetën.
Franca, Gjermania propozojnë plan të ndihmës prej qindra miliarda eurosh
Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë propozuan një fond të rimëkëmbjes, në vlerë prej 500 miliardë eurosh, që do t’i ndihmojë vendet më të goditura të BE-së nga koronavirusi.
Shuma do t’i shtohet një pakete të madhe kredie, në vlerë prej 540 miliardë eurosh, e cila do të lëshohet përmes mekanizmave ekzistues të BE-së nga 1 qershori.
Fondi ri ende ka nevojë për miratimin e të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Ai u bë publik përmes një video-konference të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Macron tha se kjo ndihmë do të përbëhet nga grantet dhe jo nga kreditë.
Merkel tha se kostoja mund të shpërndahet në buxhetet e ardhshme të BE-së.
Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë eknomitë e vendeve të Evropës, të cilat janë detyruar të mbyllin përkohësisht bizneset për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Gjermania, ekonomia më e fuqishme në Evropë, ka rrëshqitur javën e kaluar në recesion.
Numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi e kanë Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca, ndërsa në aspektin global prin SHBA-ja.