Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
08:33 19.5.2020

Gjermania regjistron edhe mbi 500 raste të reja me koronavirus

Gjermania njoftoi të martën se numri i rasteve me koronavirus në këtë vend ka arritur në 175,210.

Instituti Robert Koch për Sëmundje Infektive tha se në 24 orët e fundit ka regjistruar 513 raste të reja.

Ai njoftoi edhe për 72 viktima, të cilat e rrisin në 8,007 numrin e përgjithshëm të tyre.

Gjermania, edhe pse ka numër të madh të të infektuarve, ajo ka numër më të vogël të viktimave krahasuar me vendet tjera evropiane: Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Francën dhe Spanjën.

Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.

Berlin, Gjermani
Berlin, Gjermani

08:20 19.5.2020

SHBA kërcënon OBSH-në me ndërprerje të përhershme të fondeve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i dërgoi një letër kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke e kërcënuar me pezullim të përhershëm të fondeve amerikane, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Letra përmban një afat prej 30 ditësh për OBSH-në që të angazhohet në "përmirësime thelbësore"; në të kundërtën, siç thuhet, rrezikon të humbë miliona dollarë, ashtu si edhe anëtarësinë e SHBA-së.

E adresuar te shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, letra kritikon përgjigjen e OBSH-së ndaj koronavirusit, që nga shfaqja e tij në muajin dhjetor.

Aty thuhet se OBSH-ja i ka injoruar raportet e besueshme për përhapjen e virusit në Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar, dhe se ka bërë pretendime për koronavirusin që "ishin ose të pasakta, ose mashtruese".

Trump, muajin e kaluar, i ka pezulluar përkohësisht kontributet e SHBA-së në OBSH, duke e akuzuar atë për njëanshmëri ndaj Kinës.

Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa Kina ka thënë se ka qenë ”transparente dhe e hapur”.

Të hënën, OBSH-ja është zotuar se do të bëjë një vlerësim të pavarur të përgjigjes së saj ndaj pandemisë së koronavirusit.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga ky virus ngjitës. Mbi 1.5 milion njerëz atje janë infektuar dhe mbi 90,000 kanë humbur jetën.

08:07 19.5.2020

Trump merr ilaç për malarien, si mbrojtje e mundshme nga koronavirusi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është duke marrë një ilaç për malarien, për të lehtësuar simptomat nëse sëmuret nga koronavirusi.

Trump tha se po merr hidroksiklorinë dhe një shtesë të zinkut çdo ditë, tash e një javë, dhe se nuk ka pasur asnjë efekt anësor.

“E gjitha që mund t’ju them është se, deri më tani, jam në rregull”, tha Trump.

Komentet e tij vijnë pavarësisht mungesës së provave se ilaçi është i sigurt ose efektiv në parandalimin ose trajtimin e COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

Dy studime të mëdha, secili me rreth 1,400 pacientë në Nju Jork, kanë konstatuar së voni se nuk ka asnjë përfitim nga hidroksiklorina.

Dy studime të tjera, në Francë dhe Kinë, kanë arritur po ashtu në të njëjtin përfundim.

Trump i bëri komentet disa ditë pasi dy pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.

Mbi 1.5 milion njerëz janë infektuar atje, ndërsa mbi 90,000 kanë vdekur.

22:56 18.5.2020

Mbi 90,000 të vdekur nga koronavirusi në SHBA

Numri i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka kaluar 90,000.

Të dhënat e Universitetit Johns Hopkins tregojnë se ky vend ka 90,312 të vdekur nga koronavirusi – më së shumti në botë.

Shteti më i goditur atje është Nju Jorku, me mbi 28,000 viktma.

SHBA-ja po ashtu ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus: mbi 1.5 milion.

Në Evropë, shtetet e goditura më së keqi janë: Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca dhe Spanja.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG