Lufta e liderëve botërorë për një “vaksinë të njerëzve”
Në Vuhan të Kinës ka nisur fushata e testimit masiv për koronavirus. Ndërsa, në Nju Jork numri i fëmijëve që po diagnostikohen me një sindromë të rrallë që po cilësohet si manifestim i ri i sëmundjes COVID-19, po rritet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se koronavirusi mund të mos zhduket kurrë.
Pas katër javësh, rritet mbi 100 numri i rasteve të reja me koronavirus në Çeki
Në Republikën Çeke, numri i rasteve ditore me koronavirus ka pësuar rritjen më të madhe brenda katër javësh, ndërsa ka kaluar 100 për herë të parë këtë muaj, tha të martën Ministria çeke e Shëndetësisë.
Sipas saj, në 24 orët e kaluara janë regjistruar 111 raste të reja, të cilat e çojnë në 8,586 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Prej tyre, mbi 5,600 janë shëruar.
Për viktima të reja nuk u raporta dhe numri i tyre mbetet 297.
Republika Çeke, si shumë vende të tjera në Evropë, ka mbyllur shkolla, dyqane dhe kufij, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Lehtësimi i masave të izolimit tashmë ka filluar.
Mesnatën e 17 majit ka përfunduar edhe gjendja e jashtëzakonshme, por disa kufizime kanë mbetur në fuqi.
Dyqanet e mëdha, qendrat tregtare dhe terracat e restoranteve janë hapur më 11 maj.
Liga e futbollit çek do të jetë ndër të parat në Evropë që do të nisë sërish nga 23 maji, por fillimisht pa spektatorë.
Rusia me gati 300,000 të infektuar nga koronavirusi
Rusia tha të martën se ka regjistruar edhe 9,263 raste të reja me koronavirus, të cilat e rrisin në 299,941 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Shifra për 24 orët e fundit është nën 10,000 për të katërtën ditë me radhë.
Për pjesën më të madhe të muajit maj, numri ditor i të infektuarve në Rusi ka qenë mbi 10,000.
Autoritetet njoftuan të martën edhe për 115 viktima.
Me këtë shifër, numri total i viktimave nga koronavirusi në Rusi arrin në 2,837.
India evakuon miliona njerëz në prag të stuhisë, presionin e rrit koronavirusi
India ka nisur evakuimin e miliona njerëzve nga bregu i saj lindor, i cili pritet të goditet nga një stuhi e fuqishme.
Stuhia pritet të zbarkojë të mërkurën në shtetet Bengali Perëndimor dhe Orisa.
Mbi 20 ekipe shpëtimi tashmë janë shpërndarë në terren dhe disa të tjera janë në gjendje gatishmërie, thanë zyrtarët.
Stuhia vjen në kohën kur dhjetëra-mijëra njerëz kanë migruar nga qytetet e Indisë në fshatra, për shkak të masave të izolimit nga koronavirusi.
Bengali Perëndimor dhe Orisa janë në mesin e shteteve që po përballen me numër të madh të të kthyerve.
Zyrtarët shtetërorë atje po përpiqen të gjejnë strehimore për të evakuuarit.
Për shembull, në Orisa, 250 nga më shumë se 800 strehimore ekzistuese janë duke u përdorur si qendra karantine.
Sipas BBC-së, kjo do të jetë stuhia e parë e fuqishme që godet Gjirin e Bengalit që nga cikloni i vitit 1999 në brigjet e Orisës, i cili ka lënë mbi 9,000 njerëz të vdekur.