Kosovarët nuk i regjistrojnë veturat për shkak të COVID-19
Mbi 50 mijë automjete nuk janë regjistruar gjatë kohës qëkur Kosova po përballet me pandeminë e koronavirusit dhe kjo ka goditur rëndë kompanitë e sigurimeve, thonë zyrtarë të këtyre kompanive.
Vetëm gjatë muajve mars dhe prill, shitja e policave (sigurimi i detyrueshëm për automjete) ka rënë për 50 për qind krahasuar me muajt paraprakë.
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, tha për Radion Evropa e Lirë se pandemia e koronavirusit ka sjellë vështirësi të mëdha në operim, porse problemet më të mëdha janë shfaqur në aspektin financiar.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Spanja heq ndalesën e fluturimeve nga Italia
Spanja hoqi të martën ndalesën e fluturimeve të drejtpërdrejta nga Italia, të vendosur qysh më 11 mars, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Ndalesa u hoq edhe për anijet nga Italia, megjithëse karantina e detyrueshme 14-ditore për udhëtarët që hyjnë në Spanjë, do të mbetet në fuqi.
Rënia e vdekshmërisë nga koronavirusi ka inkurajuar Spanjën të nisë lehtësimin e masave të izolimit.
Kryeministri Pedro Sanchez, megjithatë, pritet të kërkojë nga parlamenti vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme deri në fund të qershorit.
Në kulmin e shpërthimit të koronavirusit, Spanja ka humbur qindra njerëz në ditë.
Por, në 24 orët e fundit, ajo ka raportuar për 59 viktima, që është numri më i ulët në dy muajt e fundit.
Në total, Spanja ka regjistruar 27,709 viktima nga koronavirusi dhe mbi 230,000 të infektuar.
Italia qëndron pas Spanjës me numër të të infektuarve, por ka më shumë viktima.
Mirëpritet propozimi franko-gjerman për paketën e ndihmës në BE
Shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, e mirëpriti propozimin e Gjermanisë dhe Francës për një fond, në vlerë prej 500 miliardë dollarësh, për rimëkëmbjen e Bashkimit Evropian nga koronavirusi.
“Plani franko-gjerman është ambicioz dhe i mirëpritur”, tha Lagarde në një intervistë për katër gazeta evropiane.
Është “dëshmi e frymës së solidaritetit dhe përgjegjësisë”, e nxitur së voni nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha Lagarde.
Pa të, shtoi ajo, nuk do të kishte perspektivë për rritje të solidaritetit dhe koordinimit financiar.
Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, propozuan të hënën krijimin e fondit të rimëkëmbjes, për të lehtësuar pasojat e pandemisë së koronavirusit në vendet anëtare të BE-së.
Propozimi u pa si shprehje e unitetit në kohën kur shumë vende evropiane kanë nisur të rihapin ekonomitë, dy muaj pas izolimit.
Merkel dhe Macron e cilësuan atë si një "hap të madh përpara" dhe thanë se Komisioni Evropian gjithashtu do të lejohet të huazojë më shumë para në tregjet financiare, në emër të Bashkimit Evropian.
Fondi i ri ka ende nevojë për miratimin e të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Tre pacientë me COVID-19 në Kosovë, në gjendje të rëndë
Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të hospitalizuar shtatë pacientë me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Prej tyre, tre janë në gjendje më të rënduar, ndërsa katër raste janë në gjendje stabile, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë ditës, nga Klinika Infektive do të lirohen 3 pacientë që janë në gjendje të mirë shëndetësore, por që do të vazhdojnë vetizolimin në shtëpi.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 988 raste me koronavirus.
Prej tyre, 754 janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.