Ndërlidhjet

Shpëtimi i hebrenjve ruhet në memorien e shqiptarëve


Pllaka përkujtimore në Prishtinë për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit
Pllaka përkujtimore në Prishtinë për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit

Marrja nën mbrojtje e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur në çdo vend evropian hebrenjtë po përndiqeshin nga regjimi nacional-socialist i Adolf Hitlerit, ka krijuar një memorie të përbashkët të të dy popujve, thonë përfaqësuesit e bashkësisë hebraike dhe të shoqatave të miqësisë shqiptare-hebraike në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit, ata kujtojnë ngjarjet që kishin nisur në Kosovë, që nga viti 1943, kur kishte kapitulluar regjimi fashist i Italisë, dhe Kosova ishte okupuar nga forcat naziste të Gjermanisë.

Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike e Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se pas pushtimit gjerman të Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë, në shtator të vitit 1943,kishte nisur përndjekja e hebrenjve . Por, megjithatë, siç thotë Demiri, numri i hebrenjve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte rritur.

Pllaka përkujtimore në Prishtinë për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit
Pllaka përkujtimore në Prishtinë për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit

“Kur numri i hebrenjve, në të gjitha vendet e Evropës, është zvogëluar nga nacional-socializmi gjerman, vetëm në trojet shqiptare numri i hebrenjve është rritur. Mentaliteti i shqiptarëve kurrë nuk e ka pranuar solucionin final të gjermanëve. E dyta, ‘besa e shqiptarëve’ praktikisht ka dalë në shesh dhe ne kemi shumë familje të shqiptarëve që kanë ruajtur, që kanë ndihmuar dhe që i kanë ende lidhjet mes veti. Meqenëse ajo gjeneratë ka ikur, por mbesat dhe nipat e tyre kanë vazhduar t’i kenë ato lidhje”, thotë Demiri.

Xhangyle Ilijazi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë - Izrael “Dr. Haim Abravanel”, thotë se arsyet pse shqiptarët u kanë ndihmuar hebrenjve janë të shumta dhe të ndërlidhura, por mbi të gjitha dominon tradita.

“Pse bash te shqiptarët? Një popull i vogël, i varfër, si ka mundur t’i shpëtojë gjithë ata hebrenj sa që të dëgjohet në rrethin e ngushtë të hebrenjve të asaj kohe që ekziston një vend i vogël në Ballkan, i cili po i mbron hebrenjtë? Unë gjithmonë e potencoj që më së pari ka qenë ajo fisnikëria dhe bujaria e shqiptarëve, kudo që janë ata. Pastaj, kemi mungesën e antisemitizmit në tokat e ish-Perandorisë Osmane, në krahasim me vendet tjera në Evropë. Ka luajtur rol edhe bektashizmi, kanuni dhe më së shumti besa”, thekson ajo.

Ilijazi shton se sipas rrëfimeve, të cilat i ka mbledhur shoqata që ajo drejton, nga individë të ndryshëm, ekziston një numër i madh i familjeve shqiptare të Kosovës që kanë ndihmuar mbijetesën e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i kanë strehuar dhe mbrojtur ata, si dhe u kanë ndihmuar të shkojnë në Shqipëri.

Pllaka përkujtimore në Prishtinë për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit
Pllaka përkujtimore në Prishtinë për hebrenjtë e vrarë gjatë Holokaustit

Por, siç thotë ajo, dokumentacioni për një gjë të tillë ekziston për 20 familje shqiptare, ndërkohë që 2 prej tyre, familja Rezniqi nga Prishtina, me prejardhje nga rrafshi i Dukagjinit dhe familja Sharri nga Prizreni, tashmë janë dekoruar nga shteti i Izraelit.

“Ne kemi raste që nuk mund të dokumentohen. Kemi familje që i dimë. I kemi marrë deklaratat dhe kemi bërë edhe dokumentarin për to. Kemi njerëz që sot i kanë nga 82 apo 83 vjet dhe ata i mbajnë mend ngjarjet. Por, është vështirë të dokumentohet. Aso kohe shqiptarët nuk kanë qenë të informuar dhe as që e kanë ditur holokaustin, sepse nuk është quajtur në atë kohë si holokaust”.

“Por, së paku, e kanë ditur që hebrenjtë po përndiqen dhe në rastet kur i kanë fshehur ata, i kanë mbajtur vetëm pse kanë qenë mysafirë dhe u kanë hyrë në shtëpi dhe kjo ka qenë kryesorja. Besa është një koncept kulturor shqiptar dhe do të thotë se duhet mbajtur fjalën e nderit. Besa ka qenë një prej elementeve kryesore që hebrenjtë kanë shpëtuar dhe hebrenjtë këtë e dinë”, shprehet Ilijazi.

Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët, sipas Demirit, ka krijuar memorien e përbashkët për ngjarjet historike të dy popujve.

“Publicistika shqiptare nuk e ka dhënë fjalën e fundit lidhur me këto raporte shqiptare-hebraike. Në perspektivë, Kuvendi Komunal i Prizrenit na e ka dhënë një ndërtesë ku do ta bëjmë muzeun, ku kemi për t’iu treguar gjeneratave të reja për përndjekjet dhe për problemet e popullit shqiptar, por njëkohësisht edhe t’u tregojmë faktet, të cilat i kemi lidhur me popullin hebre”, bën të ditur Demiri.

Sipas tij, para Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë kanë jetuar rreth 480 hebrenj, ndërkaq që komuniteti më i madh i tyre ka qenë në Prishtinë, ku edhe kanë ekzistuar shkollat e këtij komuniteti, Kuvendi Komunal i hebrenjve dhe të tjera.

Pas Luftës së Dytë Botërore, numri më i madh i hebrenjve kanë shkuar në Izrael, kryesisht për shkaqe ekonomike dhe për shkak të lidhjeve familjare.

Aktualisht, në Kosovë tashmë kanë mbetur 56 hebrenj, në 18 familje, të cilat jetojnë në Prizren. Në 17 vjetët e fundit, për në Izrael janë shpërngulur 3 familje dhe mjaft individë të tjerë.

Ndryshe, Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar. Me këtë datë, në vitin 1945,forcat sovjetike e çliruan kampin në Aushvic-Birkenau.

Vlerësohet se rreth 1.5 milionë hebrenj evropianë janë vrarë përgjatë Holokaustit, së bashku me 4.5 milionë hebrenj të tjerë, përfshirë meshkuj dhe gra.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG