Ministria për Evropën dhe Punë të Jashtme njoftoi se ka kthyer në shtet një shtetase shqiptare, të identifikuar me inicialet E.D. e cila prej vitesh gjendej në një kamp në Siri.
MEPJ tha se kthimi i saj u mundësua përmes mbështetjes së partnerëve, veçmas me kontributin e autoriteteve të Turqisë.
Shtetasja shqiptare që u kthye është Eva Dumani, e cila ishte 8-vjeçare kur babai i saj, Shkëlzeni e mori në Siri më 2013 dhe iu bashkua grupit ekstremist, Shteti Islamik.
Babai i saj, që ndiqet ligjërish në Shqipëri, besohet se është vrarë në Siri.
Më 2019, e ëma e Evës, Mide Dumani, kishte rrëfyer për Radion Evropa e Lirë se si dy fëmijë të saj u morën, Evën dhe djalin, Endrin.
Endri, që në kohën kur i ati e mori në zonat e luftës në Siri ishte 5 vjeç, është kthyer në Shqipëri gjashtë vjet më parë.
Rrëfimi i nënës së Eva Dumanit për dy fëmijët e saj që u dërguan në Siri nga babai i tyre. Videoja është publikuar në korrik të vitit 2019.
Përpjekjet për kthimin e Evës nuk i ndali daja i saj, Xhetan Ndregjoni. Më 2024 ai deklaroi për Radion Evropa e Lirë se fliste me mbesën e tij në mënyrë sporadike, por kishte shtuar se ajo hezitonte të tregonte vendndodhjen e saktë.
Ndergjoni ka rrëfyer për Top Channel më 14 shkurt se Eva u intervistua për disa orë nga autoritetet e sigurisë në Turqi, me të kaluar kufirin për në këtë shtet nga Siria, dhe më pas me ndihmën e autoriteteve shqiptare, paraditen e së shtunës ajo arriti në shtëpinë e saj.
Shqipëria, por edhe Kosova, kanë riatdhesuar shtetas të tyre nga Siria, të cilët shkuan atje dhe u ishin bashkuar organizatave terroriste, pasi atje shpërtheu konflikti më 2011. IS-i u mposht më 2017, por luftëtarë dhe familjarë të tyre besohet se mbetën nëpër kampe.