Ndërlidhjet

Konstituohet Kuvendi i Shqipërisë me Lindita Nikollën si kryetare


Tiranë
Tiranë

Shqipëria ka konstituuar legjislaturën e saj të dhjetë që nga rënia e komunizmit në vend në seancën e së premtes me deputetët e zgjedhur më 25 prill të vitit 2021.

Lindita Nikolla është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Shqipërisë me 79 vota pro, 4 vota kundër dhe 57 abstenime. Disa nga deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike, përmes një aksioni simbolik, grisën fletëvotimet dhe i hodhën në tokë pranë kutisë së votimit, duke treguar kështu se kundërshtojnë zgjedhjen e zonjës Nikolla si kryetare e institucionit më të lartë të shtetit. Këto vota u morën si abstenime.

Seanca konstituive u zhvillua nga deputetja më e vjetër e Kuvendit, Luljeta Bozo.
Në këtë seancë morën pjesë për herë të parë deputetët e PD-së dhe LSI-së, të cilët rreth dy vite më parë dogjën mandatet e tyre të deputetëve, duke u bërë zyrtarisht opozitë jo-parlamentare.

Postet e tyre u zunë nga kanditdatë tjerë që nuk kishin kaluar pragun zgjedhor.
Kuvendi i ri i krijuar e gjen Shqipërinë në një situatë të ndërlikuar mes këtij institucioni dhe presidentit të vendit Ilir Meta. Në muajin qershor të këtij viti deputetët në largim votuan në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të
ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022. Megjithatë, Partia Socialiste ka bërë të qartë se ka për qëllim shkarkimin e Metës.

Përfundimisht, vendimi i kuvendit për shkarkimin e Metës nga posti i presidentit do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, që është pjesë kyçe e procesit të shkarkimit të presidentit,
pas një krize të gjatë mosfunksionimi, ka filluar punën në janar të këtij viti, ndonëse ende nuk është e kompletuar plotësisht. Gjatë tërë tranzicionit të saj demokratik, Shqipëria është përshkruar nga polarizimi politik që
shpesh ka minuar reformat e përgjithshme dhe ka nënvlerësuar ambicien e Shqipërisë për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian.

Në rast të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese, presidenti Meta do të bëhet presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik.

Kuvendi i ri i Shqipërisë përbëhet nga Partia Socialiste që fitoi 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 dhe Partia Social-Demokrate 3 mandate.

XS
SM
MD
LG