Ndërlidhjet

Shqipëria uron Kosovën


"Shqiponja" në hyrje të Tiranës
"Shqiponja" në hyrje të Tiranës

Institucionet më të larta të Shqipërisë kanë uruar Kosovën me rastin e 10 - vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, uroi Kosovën duke e përmendur progresin e vendit për këto dhjetë vjet.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që sot festojmë 10-vjetorin e shtetit të Kosovës, shtetit më të ri të Evropës, të një shteti që ka bërë progres të jashtëzakonshëm në këto dhjetë vjet dhe të një shteti që ka pa dyshim një të ardhme akoma më të fortë evropiane”, ka thënë Meta.

Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e deklaratës së përbashkët të presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit të dy vendeve, duke thënë se kjo arritje do ta përshpejtojë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Deklarata e presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Vujanoviq, për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit, do ta përshpejtojë perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e saj”, tha Meta.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në manifestimet shtetërore, gjatë ceremonisë së dekorimit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “Fati ynë është i përbashkët, rruga jonë është e përbashkët, e ardhmja jonë është e përbashkët”.

Ai, gjithashtu, mirëpriti nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të Kosovës me Malin e Zi, për çështjen e demarkacionit.

Edhe personalitete tjera politike nga Shqipëria, uruan 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Lulëzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, përmes një postimi në Facebook përkujtoi të gjithë ata që nuk e panë dot Kosovën të lirë.

“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët! Sot, ne jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë. Përulemi para veprës së Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e mijëra bijave e bijve të Kosovës dhe mbarë kombit që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë të madhe. Sot kujtojmë me përmallim të gjithë të dashurit tanë që u ndanë nga ne me pengun se nuk e panë dot Kosovën të lirë”, tha Basha.

Sali Berisha, ish- kryeministër i Shqipërisë në kohën kur Kosova u shpall shtet i pavarur, gjithashtu uroi Kosovën përmes rrjetit social Facebook.

Ndër tjerash, ai tha se “Pavarësia e Kosovës që u shpall 10 vjet më parë dhe çlirimi i saj, ishin kurorëzim i qëndresës mbinjerëzore pothuaj një shekullore të shqiptarëve në Kosovë. Ajo i ka rrënjët e veta në gjakun dhe sakrificën sublime të qindra mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave martire të Kosovës që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftërat e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar, që nga vitet 1870 deri në vitet 1999”.

Shqipëria është vendi i tretë që e njohu pavarësinë e Kosovës më 18 shkurt të vitit 2008, menjëherë pas Afganistanit - që është vendi i parë, dhe Kosta Rikës - që është e dyta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG