Ndërlidhjet

Shqiptarët duan Kushtetutë të qytetarëve, jo të “popullit serb”


Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Pas thirrjes së zyrtarëve të Serbisë që përfaqësuesit e shqiptarëve të marrin pjesë në ndryshimin e Kushtetutës - pjesës për drejtësinë - shefi i grupit parlamentar SDA Sanxhak - Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi, tha për Radion Evropa e Lirë se ai do të merrte pjesë në propozimet për të ndryshuar këtë pjesë të aktit më të lartë juridik, porse nuk i mbështet ndryshimet e pjesshme.

“Nëse procedura e ndryshimit të Kushtetutës tashmë ka filluar, do të ishte më mirë të ndryshohej e gjithë Kushtetuta, sesa vetëm një pjesë e caktuar”, tha Kamberi, për të shtuar se ndryshimet janë të nevojshme edhe në pjesë të tjera të Kushtetutës, me qëllim harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me atë evropian.

Serbia, në kuadër të procesit të integrimit në BE, është zotuar se do të ndryshojë pjesën për drejtësinë në Kushtetutë, për të siguruar pavarësinë e saj.

Në seancën e 7 qershorit, deputetët e Parlamentit të Serbisë miratuan propozimin e qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën në këtë pjesë. Referendumi mbi ndryshimet pritet të mbahet në vjeshtë.

Përfaqësuesit e shqiptarëve nga jugu i Serbisë votuan kundër propozimit të qeverisë.

Çfarë sugjerojnë përfaqësuesit shqiptarë?

Kamberi tha se nisma për të ndryshuar Kushtetutën e Serbisë “nuk është e menduar mirë, sepse ajo u referohet ndryshimeve që duhet të harmonizojnë legjislacionin e brendshëm në fushën e drejtësisë dhe ato kanë të bëjnë me Kapitujt 23 dhe 24”.

Sipas tij, i gjithë legjislacioni i brendshëm duhet të harmonizohet me atë evropian, përfshirë Kapitullin 35, i cili u referohet negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kapitulli 35 përfshin të gjithë procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, përkatësisht zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Nëse shkon kështu me nga dy-tre kapituj, atëherë do të kalojnë dekada derisa legjislacioni i brendshëm dhe Kushtetuta të harmonizohen me Bashkimin Evropian. Mendoj se nuk duhet shpenzuar as kohë, as energji, as mjete”, tha Kamberi.

Sipas tij, propozim i përfaqësuesve shqiptarë është hapja e një debati publik në nivel kombëtar për çështjen e ndryshimit të Kushtetutës, sepse “debati në kuvend nuk është i mjaftueshëm”.

Duhet të përfshihen të gjithë aktorët, si dhe përfaqësuesit e pakicave, u shpreh Kamberi.

Një ankesë e shqiptarëve me Kushtetutën aktuale të Serbisë është edhe përcaktimi i Serbisë si shtet i popullit serb.

Kamberi, në një fjalim në Kuvendin e Serbisë më 7 qershor, ka përmendur si ilustrim përkufizimin e Kosovës si shtet të të gjithë qytetarëve dhe ka thënë se në Serbi jetojnë shumë pakica.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka reaguar ndaj fjalimit të Kamberit, duke thënë se nuk është në rregull që në Kuvendin e Serbisë të përmendet Kushtetuta e Kosovës, sepse për institucionet e Serbisë, “Kosova është krahinë autonome”.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kamberi tha se nëse Serbia “konceptohet si një shtet i popullit serb dhe të tjerëve që jetojnë atje, kjo do të thotë që ne kemi popuj të rendit të parë dhe të dytë”.

Thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në ndryshimin e Kushtetutës

Pas seancës së Kuvendit të Serbisë më 7 qershor, ministrja për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialogun Shoqëror në Qeverinë e Serbisë, Gordana Çomiq, u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të shqiptarëve që të marrin pjesë në diskutimet dhe vendimet për propozim-ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë.

Çomiq tha se përfaqësuesit e shqiptarëve duhet të vendosin se si do të duket gjyqësori dhe si do të ndikojnë ndryshimet në pozicionin e pakicave kombëtare.

Sipas saj, duhet të sqarohet se çfarë do të thotë pavarësia e gjyqësorit dhe çfarë do të thotë detyrimi dhe angazhimi i shtetit për të pasur përfaqësues të pakicave kombëtare në të gjitha shërbimet publike, sepse “kjo është mirë si për shumicën, ashtu edhe për pakicën”.

Kamberi tha se përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë do ta shqyrtojnë mundësinë që në seancën për tekstin e ndryshimit të Kushtetutës, të japin komente.

“Kam pasur mundësinë të shikoj vlerësimet e publikut, veçanërisht nga gjyqësori, se çfarë mendojnë ata për propozimin e qeverisë dhe çfarë ndryshimesh duhet të bëhen në fushën e drejtësisë, në mënyrë që gjyqësori të jetë përfundimisht i lirë nga ndikimi politik”, tha Kamberi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, i tha Radios Evropa e Lirë se shqiptarët kërkojnë më shumë barazi dhe më shumë liri, në mënyrë që t’i gëzojnë të drejtat e tyre individuale dhe kolektive.

“Atë që e ka thënë zoti Kamberi në parlament, ne e mbështesim plotësisht, sepse nuk duhet të ketë ndryshime kozmetike në Kushtetutë, por Kushtetuta duhet të jetë mbrojtja e të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë”, tha Mustafa.

Në Serbi, sipas regjistrimit të fundit më 2011, 0.08 për qind e popullsisë është shqiptare.

Duke komentuar Kushtetutën, Mustafa tha se pakicat janë qytetarë të klasës së dytë dhe se disa zyrtarë i konsiderojnë shqiptarët si qytetarë të klasës së tretë.

“Pas ndryshimeve në vitin 2001, kur shqiptarët besuan në demokraci dhe në garancitë e bashkësisë ndërkombëtare që në procesin e demokratizimit të Serbisë të kërkojnë të drejtat e tyre civile - kjo nuk ka ndodhur dhe ne nuk besojmë se do të ndodhë ndonjëherë me një mentalitet të tillë në qeveri, ku anëtarët kanë qasje të keqe ndaj shqiptarëve”, tha Mustafa.

Pse po ndryshon Kushtetuta e Serbisë?

Kushtetuta aktuale e Serbisë është miratuar pas një referendumi në tetor të vitit 2006.

Qysh në mars të vitit 2007, Komisioni i Venecias - një organ këshillimor në fushën e së drejtës kushtetuese të Këshillit të Evropës - e ka kritikuar Serbinë dhe ka thënë se Kushtetuta e re “i ka të gjitha tiparet e shkrimit të nxituar, që nuk është afër standardeve të mëparshme”.

Shqetësime janë shprehur edhe për “rolin e madh të Parlamentit në emërimet në gjyqësor”.

Kushtetuta e Serbisë
Kushtetuta e Serbisë

Në raportin e Komisionit Evropian mbi përparimin e Serbisë në rrugën drejt BE-së, të publikuar në tetor të vitit 2020, Serbia është kritikuar për mungesë përparimi në fushën e drejtësisë.

Kryeministrja Bërnabiq ka thënë në fund të tetorit, 2020, se detyra e qeverisë së saj është të përshpejtojë pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe se hapi i parë drejt kësaj është ndryshimi i Kushtetutës në fushën e drejtësisë.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, tha më 6 qershor se referendumi për ndryshimet në Kushtetutë mund të mbahet në vjeshtën e këtij viti.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG