Ndërlidhjet

Shqiptarët e Luginës në hall me pasivizimin e adresave


Preshevë, fotografi nga arkivi.
Preshevë, fotografi nga arkivi.

Vitin e kaluar, Teuta Fazliu u njoftua nga autoritetet komunale të Bujanocit se emri i saj është hequr nga lista e vendqëndrimit, ku kishte qenë e regjistruar.

Fazliu thotë për Radion Evropa e Lirë se me pasivizimin e adresës së saj dhe shumë banorëve të tjerë të komunave jugore të Serbisë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Beogradi zyrtar po bën shkelje të të drejtave të njeriut.

“Kanë filluar që vendqëndrimet t’i pasivizojnë, do të thotë t’i fshijnë emrat e njerëzve nga vendqëndrimet. Unë jam një nga viktimat e radhës në këtë çështje. Në momentin që ta pasivizojnë atë adresë, më nuk ke të drejtë të aplikosh për dokumente. Do të thotë, derisa ka ke afat në dokumente, mund t’i shfrytëzosh ato, siç është pasaporta, letërnjoftimi, patentëshoferi, libreza shëndetësore”, tregon Fazliu.

Ajo thotë se pasi një person, të cilit i është pasivizuar adresa, paraqitet që të marrë dokumente të reja, autoritetet i thonë se nuk mund të aplikojë për dokumente të reja, pasi nuk ka vendqëndrim.

Teuta Fazliu, që viteve të fundit jeton në Kosovë, thotë se ka shumë raste kur shqiptarët, që janë nga këto komuna në jug të Serbisë, nuk janë njoftuar fare se janë hequr nga lista e vendbanimeve.

Ajo ka deponuar ankesa në instanca të ndryshme, përfshirë edhe në Gjykatën Administrative dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Unë e kam bërë edhe një ankesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme sepse policia i raporton Ministrisë. Ata pas dy muajve më kanë kthyer përgjigje negative, duke thënë se unë nuk kam të drejtë ankese dhe e kanë shkruar në deklaratë se unë nuk jetoj këtu, jetoj dhe punoj në Prishtinë dhe jam e martuar me kosovar. Do të thotë, një paragraf shumë i paarsyeshëm”, tha Teuta Fazliu.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – që njihen edhe si Lugina e Preshevës – thonë se viteve të fundit është rritur dukuria e pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Sipas tyre, pasivizimi i adresave, po e ndryshon strukturën etnike të këtyre komunave.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë për Radion Evropa e Lirë se po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që të ndalet pasivizimi i adresave.

“Këto vendime janë anti-kushtetuese dhe anti-civilizuese. Ne e kemi konsideruar se ky proces është sa masovik po aq edhe selektiv ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe më së miri e dëshmon gjendja në Komunën e Medvegjës”, tha Mustafi.

Ai shtoi se sipas të dhënave zyrtare, në vendbanimet shqiptare në Komunën e Medvegjës, në tri vjetët e fundit janë pasivizuar rreth 1.800 adresa, në Bujanoc 600, ndërkaq për Komunën e Preshevës nuk ka të dhëna zyrtare.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Mustafi thotë se janë mbi 3.000 adresa që janë pasivizuar në Medvegjë dhe mbi 2.000 në Preshevë e Bujanoc.

Mustafi tha se spektri politik në Luginën e Preshevës ka përgatitur raporte të ndryshme të cilat i janë dërguar edhe faktorit ndërkombëtar, për të pasqyruar gjendjen në këto komuna në Serbi, ku banojnë shqiptarë.

"Jemi shumë të interesuar që këtë proces ta çojmë deri në fund sepse e drejta është në anën tonë dhe krahas saj do të kërkojmë drejtësi", tha ai.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi, kanë shprehur shqetësimin që shqiptarët që janë larguar nga Lugina e Preshevës drejt Kosovës që nga viti 1999, nuk e kanë të rregulluar statusin civil as në Kosovë.

Prej vitit 2018 deri në fund të vitit 2020, 816 persona nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë fituar të drejtën e shtetësisë së Kosovës. Sipas Departamentit për shtetësi, azil dhe migracion, numri më i madh i personave që kanë kërkuar shtetësi të Kosovës, janë ata nga Serbia.

"Numri më i madh i personave që fitojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës i përkasin grupmoshave 18-34 dhe 35-64. Kërkesat për fitim të shtetësisë janë nga personat me shtetësi serbe, shqiptare, maqedonase etj", thuhet në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Numri më i madh i atyre që u bënë shtetas të Kosovës ishte në vitin 2018, përkatësisht 349 persona.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, thanë se nuk e dinë arsyen e kërkesave për të pasur shtetësinë e Kosovës, por siç thanë, "të gjitha ata që i plotësojnë kriteret sipas Ligjit për shtetësi, përfitojnë shtetësinë e Kosovës".

Kërkesa për fitimin e shtetësisë së Kosovës me natyralizim parashtrohet nga personi i huaj i moshës madhore personalisht në Zyrën e gjendjes civile sipas vendbanimit të parashtruesit të kërkesës në Republikën e Kosovës.

Kërkesës duhet bashkangjitur dëshmitë si: certifikata e lindjes dhe martesës për personat e martuar, dëshmi e lejes së përhershme të qëndrimit për pesë vjet, dëshmia që i ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare, e dokumente të tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG