Ndërlidhjet

SHSKUK: 37 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë


Doktorët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Doktorët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të martën se janë 1016 pacientë të shtrirë në klinikat COVID-19 dhe spitalet e përgjithshme të vendit. Prej tyre, 902 janë të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Sa i takon trajtimit, SHSKUK njofton se 797 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi ndërsa 37 janë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Më së shumti pacientë ka të shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë, gjithsej 119 ndërsa nga spitalet rajonale, në atë të Prizrenit po trajtohen 130 pacientë.

Dita e hënë, më 23 gusht, ishte një prej ditëve me bilancin më tragjik për sa i takon numrit të personave që kanë vdekur nga koronavirusi. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës raportoi për 17 raste të vdekjes për 24 orë, më datën 23 gusht. Në këtë datë, raste të reja të infektimit janë evidentuar 1,067 ndërkaq, numri më i madh i personave të infektuar i takojë moshës prej 20 deri në 50 vjet.

Institucionet qeveritare, javën e kaluar, kanë marrë masa shtesë kufizimi mirëpo situata epidemiologjike vazhdon të jetë e rënduar.

Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim pasi, sipas tyre, që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovë është esencial për shpëtimin e jetës së tyre dhe institucionet shëndetësore dhe qeveritare kompetente për shëndetësinë, duhet të jetë më agresive në fushatën për vaksinimin e qytetarëve, vlerëson epidemiologu Isuf Dedushaj.

Deri më 23 gusht, Kosova ka administruar mbi 714 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë mbi 239 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

XS
SM
MD
LG