Rundi i dytë i bisedimeve mes zyrtarëve rusë, ukrainas dhe amerikanë për një draft-plan të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare në Ukrainë, do të nisë të mërkurën dhe jo këtë të diel, ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi për shtyrjen e ditës së takimit.
Ky njoftim është bërë i ditur një ditë pasi të dërguar të posaçëm të presidentit rus, Vladimir Putin kanë zhvilluar takime të paparalajmëruara me zyrtarë amerikanë në Florida, pa Ukrainën.
“Data për takimet trepalëshe të radhës janë caktuar – 4 dhe 5 shkurt në Abu Dabi”, ka thënë Zelensky përmes një postimi në X – dikur Twitter.
As Shtetet e Bashkuara, dhe as Kremlini nuk i ka konfirmuar datat e reja.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë afër ndërmjetësimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit – më vdekjeprurësit në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore – mirëpo as Moska, dhe as Kievi nuk kanë arritur të gjejnë kompromis në disa çështje të lidhura me territore.
Rusia, e cila ka pushtuar 20 për qind të territorit të Ukrainës, kërkon që kontrollimi i plotë i rajonit të Donjeckut të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje. Moska ka kërcënuar se do ta marrë me forcë atë rajon, nëse bisedimet dështojnë.
Ukraina, në anën tjetër, insiston se dorëzimi i territorit vetëm e forcon Moskën dhe nuk do të nënshkruajë një marrëveshje, nëse ajo nuk ia pamundëson Rusisë që të nisë pushtim tjetër në të ardhmen.
Shumë ukrainas nuk pajtohen me idenë e dorëzimit të territoreve, për të cilat kanë luftuar aq shumë ushtarë prej nisjes së luftës.
Rundi i parë i bisedimeve për planin amerikan, që është zhvilluar në Abu Dabi në fundjavën e kaluar, nuk ka prodhuar ndonjë rezultat.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.