Ndërlidhjet

QKSS: Shqetësimet e qytetarëve për sigurinë e tyre, janë në rritje


Prishtinë - Foto nga arkivi

Banorët e Kosovës nuk ndihen shumë të sigurt në vendin, në të cilin jetojnë, thuhet në hulumtimin e fundi të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili merr për bazë perceptimet e shprehura nga vet qytetarët.

Dukuritë si vrasjet, plaçkitjet, fajdetë dhe dhuna në shkolla e familje, sipas qytetarëve, krijojnë ndjenjë të pasigurisë tek ata.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) që hulumton trendët e perceptimit të qytetarëve për sigurinë publike, thotë se në tre vjetët e fundit ka pasur lëvizje të vazhdueshme sa i takon krijimit të ndjenjës së sigurisë te qytetarët.

Të jetosh pa lëvizur nga një plumb qorr...
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Hulumtuesja Donika Marku, duke prezantuar të gjeturat për tre vjetët e fundit të barometrit kosovar të sigurisë, tha se vrasjet, fajdetë, dhuna në familje dhe shkolla janë disa nga dukuritë që ndikojnë drejtpërsëdrejti në perceptimin e qytetarëve sa i takon sigurisë publike.

“Rreth 42 për qind të të anketuarve janë shprehur se i konsiderojnë fajdetë si një rrezik të larë të sigurisë publike në Kosovë. Është vërejtur një rritje e konsiderueshme e perceptimit të qytetarëve se dhuna në familje është një kërcënim kyç i sigurisë publike në Kosovë. Kemi pasur një rritje prej 10 për qind te të anketuarit që i shohin plaçkitjet e shtëpive dhe banesave si një kërcënim kyç i sigurisë publike në Kosovë”, tha Marku.

Sipas QKSS-së, qytetarët po ashtu i shohin aksidentet e trafikut si rrezik të lartë të sigurisë publike.

Niveli aktual i kriminalitetit, gjendja jo e mirë ekonomike dhe sfidat e funksionimit të rendit dhe ligjit, sipas Astrit Ibrahimit, një qytetar nga Prishtina, ka ndikuar që ai dhe familja e tij të mos ndihen të sigurt me jetën që bëjnë në Kosovë.

“Normalisht që kriminaliteti, krimi i organizuar, e bëjnë një banor të ndihet i pasigurt në vendin e vet. Siguri nuk ka. Siguria është në nivelin më të ulët duke i marrë parasysh, për shembull, nëpër shkolla ka shumë parregullsi, nuk ka siguri, nuk je i sigurt ta dërgosh fëmijën në shkollë”, thotë ai.

Sipas tij, policia nuk është e angazhuar sa duhet në terren.

“Rrinë vetëm nëpër zyre, si inspektorati si të gjithë. S’mund të bësh një jetë të mirëfilltë këtu dhe për këtë arsye shumica e njerëzve po shikojnë që të dalin jashtë vendit, sepse nuk ndihen të sigurt”, thekson Ibrahimi.

Për gjendjen e krijuar, Ibrahimi thotë se fajin më të madh e kanë politikanët.

Kurse Sahit Rama, një qytetar nga qyteti i Mitrovicës thotë se jeton në një qytet me shumë probleme të trashëguara nga e kaluara. Problemet politike, me të cilat është përballur qyteti i tij, sipas Ramës, kanë lënë pasoja edhe për vitet që do të vijnë.

“Nuk është siguria në nivel, nuk janë të ardhurat në nivel. Askund nuk është Kosova në binarë, aktualisht. Shpresojmë më vonë. Pasiguria është në nivel të lartë. Nuk kam çfarë të them, po i shoh në lajmet në mbrëmje, nuk ka siguri, nuk ka jetë, nuk ka asgjë”, thotë Rama.

Hulumtuesi i politikave, Krenar Shala, thotë se përveç aspektit social dhe ekonomik, mosluftimi i kriminalitetit ka ndikim të madh te qytetarët. Ai thotë se institucionet nuk po dëshmojnë se janë të gatshme të ofrojnë siguri politike, ekonomike e as sociale për qytetarët.

“Besoj që sistemi jonë i drejtësisë është efikas vetëm për ata persona që nuk kanë fuqi politike. Të gjithë ata persona që kanë fuqi politike në mënyrë direkte apo indirekte për ata persona nuk vlen drejtësia. Ky është element që po i bënë njerëzit e Kosovës që të mendojnë se zgjidhja më e mirë për jetën e tyre dhe të familjes së tyre është që të largohen nga Kosova”, thekson tha Shala.

Lidhur me hulumtimin, perceptimet dhe shqetësimet e qytetarëve, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar edhe një prononcim nga Policia e Kosovës, por nuk kishte gatishmëri për përgjigje.

Institucionet përgjegjëse për rendin dhe ligjin në Kosovë, në vazhdimësi e kanë vlerësuar gjendjen e sigurisë së qytetarëve si të mirë dhe pa ndonjë indikacion shqetësues.

XS
SM
MD
LG