Ndërlidhjet

Siguria publike në Kosovë nga ekspertë, përfaqësues të organizatave që merren me çështje të sigurisë dhe qytetarë të anketuar konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme.

Ndër veprimet që po cilësohen si kërcënim për sigurinë publike në Kosovë janë vjedhjet, qentë endacakë, shtimi i rasteve të dhunës nëpër institucione arsimore si dhe shkeljet e vazhdueshme të Ligjit për komunikacionin që përfundojnë me aksidente, qoftë me fatalitet apo lëndime të njerëzve.

Vetëm brenda një muaji në Kosovë, në aksidente komunikacioni kanë humbur jetën 17 persona.

Perceptimet e qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë ndaj sigurisë publike, janë të ndryshme. Disa shprehen se ndihen të sigurt në lagjet ku ata jetojnë, por që ka edhe shumë prej tyre, të cilët thonë se siguria publike në Kosovës nuk është në nivelin e dëshiruar.

Berat Shala, qytetar, thotë se nuk ndihet shumë i sigurt në lagjen ku ai jeton. Ai thotë se janë shumë gjëra që kërcënojnë sigurinë në lagje.

“Kemi probleme me sigurinë, nuk është në nivelin e duhur, pastaj nuk ka lëvizje të policisë në këtë lagje, ka thyerje të shtëpive (vjedhje), shqetësohen banorët e lagjes, kemi problem me qentë endacakë e shumë e shumë problem të tilla që na bëjnë të ndihemi të pasigurt”, thotë ai.

Qytetarët shprehin shqetësimet e tyre se në rrugë nuk ka prani të policëve, gjë që krijon një mjedis tolerant për kundërvajtje dhe krime të llojeve të ndryshme.

“Për gjendjen e sigurisë në lagjen tonë ‘Dardania’ është e qetë dhe stabile, megjithatë policia e lagjes ka nevojë të jetë më shumë e pranishme për shkak të vjedhjeve të veturave që ndodhin dhe veprimeve tjera”, thotë Hasan Gashi, qytetar.

Ndërkohë, Blerta Kelmendi banore në lagjen “Koda e Diellit” në Prishtinë thotë se në mungesë të ndriçimit publik, niveli i sigurisë lë shumë për të dëshiruar.

“Problem kryesor te ne është çështja e sigurisë, ku si pasojë e mungesës së ndriçimit publik, që është një gjë e rëndësishme, kemi hasur në vështirësi dhe probleme të vazhdueshme, vlen të përmenden thyerjet e banesave, një tendencë për përhapje të huliganizmit, një problem tjetër janë qentë endacakë që e bëjnë të vështirë qarkullimin e njerëzve në këmbë”, thotë ajo.

Megjithatë, autoritetet e rendit vlerësojnë se gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet stabile.

Policia e Kosovës është në zbatim të fazës së dytë të strategjisë dhe planit të veprimit për policim në bashkësi 2017-2021.

Kjo strategji, është shtrirë në tërë territorin e Kosovës, në të gjitha komunat dhe lagjet e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë prezent në bashkësi dhe atë përmes formave të ndryshme, siç janë patrullat policore dhe forma të tjera, të cilat kanë të bëjnë me avancimin e sigurisë publike.

“Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj, në bashkëpunim dhe partneritet me organizatat ndërkombëtare që trajtojnë elementet të sigurisë kanë hartuar dhe zbatuar Strategji dhe Projekte me qëllim të avancimit të shërbimeve për komunitetin”.

Projekti Polici i lagjes izbatuar në të kaluarën ka qenë projekt i përkohshëm, para se të aprovohet dhe zbatohet Strategjia e Policimit në bashkësi dhe plani i veprimit 2012-2017 dhe tani ky projekt është modifikuar dhe është zëvendësuar me sektorin patrullues dhe zyrtarët e sektorit patrullues”, bën të ditur Hoxha.

Policia e Kosovës thotë se kanë kontakte në komunitet me qytetarin, gjë që, sipas Hoxhës, kjo ka mundësuar që të krijohet dhe të rritet besueshmëria. Kjo formë, sipas tij, ka dhënë rezultate të mira në parandalim i krimit në fusha të ndryshme të llojeve të ndryshme të kriminalitetit.

“Këto forma dhe metoda të bashkëpunimit, e që njihen si forma të bashkëpunimit demokratik me komunitetin, kanë shtuar bashkëpunimin me komunitetin, si dhe kanë ndihmuar që edhe bashkësia të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve të sigurisë dhe mirëqenës sociale përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit”, thotë Hoxha.​

Ekspertët kërkojnë kontroll të shtuar të policisë në komunitet

Një hulumtim nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë i publikuar vitin e kaluar, kishte vënë në pah se mesatarisht 40 për qind e respondentëve kishin deklaruar se janë ndier të sigurt,40 për qind të tjerë nuk janë ndier as të sigurt as të pasigurt, përderisa 20 për qind janë ndier të pasigurt në Kosovë.

Sipas ekspertëve, kërcënimi i sigurisë publike nga krime të ndryshme shton nevojën për ngritjen e kontrollit më të shtuar të policisë në komunitet.

Eksperti për çështje të sigurisë nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë - SPRC, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se me qëllim që të luftohen krimet e ndryshme, duhet të ndërmerren hapa konkretë në trajtimin e sigurisë publike në vend.

Siguria publike duhet të fillojë të trajtohet përmes një bashkëpunim në mes nivelit qendror, nivelit komunal, policisë, lagjeve dhe komunitetit. Te Policia e Kosovës është domosdoshmëri zbatimi i plotë dhe i suksesshëm i policit në bashkësi, afrimin e zyrtarit policor me lagjen, respektivisht të funksionalizohet ajo që quhet polici i lagjes. Patjetër, duhet të investohet në vendosjen e kamerave, në rritjen e bashkëpunimit mes komunitetit, institucioneve lokale dhe Policisë së Kosovës”, thekson Ramadani.

Siguria publike në Kosovë, përveç tjerash, nga ekspertë të sigurisë ishte theksuar se po kërcënohet edhe nga armët pa leje.

Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta për numrin e armëve ilegale, të cilat mund të jenë në duart e qytetarëve.

Për këtë janë vetëm disa të dhëna të vitit 2008 të organizatave ndërkombëtare, ku ishte thënë se numri i armëve pa leje në Kosovë arrin në 300 mijë.

Të dhënat e Policisë tregojnë se në vit mesatarisht konfiskohen deri në 1500 armë pa leje.

Burim Ramadani vlerëson se për të rritur nivelin e sigurisë publike, duhet bërë largimi i këtyre armëve ilegale nga duart e qytetarëve, luftimin e narkotikëve, pasi që, siç thotë ai, në shumë raste narkotikët kthehen në motivin kryesor të vjedhjes, plaçkitjes apo edhe sulmeve fizike.

“Trendi i sigurisë publike nuk është në përmirësim. Për të rritur sigurinë publike përveç tjerash duhet të bëhet ndriçimi publik. Këto elemente janë më të paktat që duhet bërë dhe mund të bëhen për të rritur sigurinë në bashkësi publike duke përfshirë këtu edhe sigurinë në komunikacionin rrugor, ku Kosova në këtë vit ka shënuar rekord të aksidenteve në trafik”, tha Ramadani.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë këtij viti në Kosovë janë evidentuara 15 raste të vrasjeve.

Derisa, javë më parë në rrethana ende të pasqaruara nga autoritetet e rendit, në një lagje të kryeqytetit ishte gjetur i vrarë me armë zjarri një 16-vjeçar.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG