Ndërlidhjet

Solidarizim me gazetarin e burgosur të REL-it


Ihar Losik
Ihar Losik

Kanë kaluar tre vjet prej kur është burgosur Ihar Losik, bloger i mirënjohur dhe gazetar i Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë.

Meqë në burg është edhe gruaja e tij Daria, vajza e tyre katërvjeçare, Paulinka jeton me gjyshërit në Baranoviq.

Figura të mirënjohura kanë shprehur mbështetjen e tyre për çiftin e burgosur.

“Derisa disa argumentojnë se revolucioni ynë është mposhtur, unë besoj se heronjtë e revolucionit ekzistojnë ende. Në mesin e tyre, unë e konsideroj dashurinë dhe durimin e këtyre dy njerëzve vërtet si diçka të jashtëzakonshme. Pavarësisht vështirësive, dashuria triumfon dhe i bën më të fortë. Shërben si përkujtim për aftësinë e jashtëzakonshme që e kanë individët, se dhe diçka e tillë rrit besimin për të ardhmen”, ka thënë Svetlana Alexievich, shkrimtare dhe fituese e Çmimit Nobel për Letërsi.

Robin Wagener, pjesëtar i Parlamentit të Gjermanisë dhe kumbara i Ihar Losikut, ia ka nisur një mesazh direkt Iharit.

“Nuk është punë e lehtë t’i gjesh fjalët e duhura në një situatë të tillë, nëse veç ekzistojnë fjalët. Megjithatë, dua ta dish që ne të shohim, ndonëse je mbrapa grilave. Ne të dëgjojmë ty, edhe pse nuk mund të flasësh me neve tani. Zëri yt jeton në Berlin, Vilnius, Varshavë dhe shumë qytete tjera në botë. Ne jemi me ty dhe do të vazhdojmë të luftojmë derisa ju të fitoni lirinë që e meritoni”.

Natalia Kaliada, bashkëthemeluese dhe regjisore e Teatrit Bjellorusia e Lirë, e ka nënvizuar rëndësinë e dashurisë dhe mbështetjes kolektive që ekziston jashtë mureve të burgut, pavarësisht izolimit për kohë të gjatë të Iharit dhe Darias.

“Në Londër, Sidnej, Uashington dhe çdo pjesë të botës ku ne performojmë, ata janë të vetëdijshëm për situatën tuaj. Ata ju dërgojnë dashuri dhe mbështetje. Ne duhet të bashkohemi dhe t’i japim fund regjimit diktatorial njëherë e përgjithmonë, ashtu që kjo dashuri të arrijë te ju. Asgjë nuk mund të zëvendësojë përqafimin fizik që të gjithë ua japim juve. Besoj që do të ndodhë. E di që do të ndodhë”.

Ihar dhe Daria Losik.
Ihar dhe Daria Losik.

Aliaksei Paluyan, drejtor i filmit dokumentar “Kuraja” që pasqyron protestat bjelloruse, gëzon një lidhje të veçantë me Ihar Losikun, pasi ata janë prej të njëjtit rajon, Baranaviqit.

Ai e ka kujtuar kohën e fëmijërisë.

“Ndonëse nuk jemi takuar kurrë, ne e kemi një lidhje të përbashkët. Ndryshimet në Baranaviq kanë qenë të thella në tre vjetët e fundit. Shokët janë larguar, disa janë burgosur dhe të tjerë i janë bashkuar luftës kundër imperalizimit rus në Ukrainë. Por, për aq kohë sa ka individë që inspirojnë dhe japin shpresë, është e mundshme t’ia kthejmë jetën qytetit tonë”.

Sviatlana Tihanovskaja, liderja e forcave demokratike të Bjellorusisë, i është adresuar Ihar Losikut me një mesazh të sinqertë duke u ankuar për padrejtësinë e vjedhjes së tre vjetëve të jetës së tij.

Ajo ka shprehur simpati për Losikun si baba, dhe ka shprehur dhimbje që ai ka munguar përgjatë rritjes së vajzës së tij – kur i ka thënë fjalët e para dhe kur ka mësuar shumë gjëra për botën.

“Ne nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Tikhanovskaya, duke u zotuar se do të vazhdojë të bëjë luftojë derisa Losik të bëhet bashkë me gruan dhe vajzën.

Duke e përmendur kontributin e tij, Tihanovskaya e ka lavdëruar rëndësinë e punës së tij të palodhshme që bëjnë kolegët e tij në Radion Evropa e Lirë.

Në dhjetor të vitit 2021, Ihar Losik është dënuar me 15 vjet burgim për disa shkelje, përfshirë “organizim të trazirave, nxitje të urrejtjes sociale” dhe disa akuza tjera që mbesin të paqarta.

Losik deklarohet i pafajshëm dhe i konsideron akuzat si të motivuara politikisht.

Për të nuk është ditur asgjë për 125 ditë, sa ka qenë duke e vuajtur dënimin në një qeli në Navapolatsk.

Gjatë asaj periudhe, atij i janë ndaluar vizitat dhe i është bërë presion i madh.

Në muajin mars ka pasur raportime të shumta se organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë bërë të ditur se Losik ka tentuar të bëjë vetëvrasje duke lënduar veten në nyje dhe qafë.

Tre prej katër avokatëve të tij u janë pezulluar licencat nga autoritetet bjelloruse, derisa avokatit të mbetur i është shkëputur kontrata për shkak të një tentimi të pasuksesshëm për ta vizituar Losikun në qeli.

Gruaja e tij Daria është arrestuar në tetor të vitit 2022, dhe është akuzuar për dhënien e një interviste për kanalin televiziv Belsat, të cilin Minsku e ka shpallur grup ekstremist.

Më 19 janar, gjykata në Brest, qytet në perëndim të shtetit, e ka dënuar atë me dy vjet burgim.

Ajo është duke e vuajtur dënimin në një burg për gra në Homel.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Ihar dhe Daria Losikut.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, ka kërkuar po ashtu lirimin e menjëhershëm të çiftit dhe e ka dënuar burgimin e tyre.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG