Ndërlidhjet

Spanja në prag të shkarkimit të presidentit të Katalonjës


Presidenti katalan Carles Puigdemont
Presidenti katalan Carles Puigdemont

Senati i Spanjës ka mbajtur një mbledhje sot paradite, në të cilën kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, u ka bërë thirrje senatorëve të aprovojnë masat për heqje të kompetencave rajonale nga Katalonja.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy tha se masa e parë e Qeverisë do të jetë shkarkimi i presidentit të Katalonjës, Carles Puigdemont.

Adresimi i tij është shoqëruar me duartrokitje, ku partia Partido Popular ka shumicën në Senat.

Rajoy ka bërë thirrje për miratimin e masave të jashtëzakonshme, sepse sipas tij nuk ka rrugë tjetër. Ai ka shtuar se situata në Katalonjë, shkel ligjet, demokracinë dhe të drejtat e të gjithëve, prandaj “edhe do të ketë pasoja”.

Kryeministri spanjoll është shprehur se këto masat janë rrugëdalje nga kriza politike që ka kapluar Spanjën.

"Katalanasit në mënyrë të patolerueshme, deklarojnë veten pronarë të Katalonjës dhe e konsiderojnë si ekskluzive një histori, kulturë dhe ndjenja që janë trashëgimia e komunitetit ", u shpreh Rahoy.

Pritet që Senati të mbështesë masat e propozuara nga kryeministri spanjoll, derisa në kryeqytetin katalanas, Parlamenti rajonal do të rifillojë debatin për të siguruar një përgjigje ndaj planeve të Qeverisë spanjolle.

Parlamenti rajonal i Katalonjës pritet gjithashtu të mbajë një mbledhje të posaçme të premten vonë, në të cilin mund të bëhet një deklarim formal i pavarësisë.

Sipas gazetës La Vanguardia, Katalonja ka paraqitur një mocion për të shpallur pavarësinë nga Spanja, edhe pse ishte e paqartë nëse kjo do të vihej në votim, thekson gazeta.

Mocioni u prezantua nga ligjvënësit e Junts pel Si , dhe CUP (Njësia e Bashkimit Popullor) të cilat së bashku kanë shumicën në kuvendin katalanas.

Qeveria e Gjermanisë ka thënë se e mbështetë Qeverinë spanjolle në çështjen me Katalonjësdhe shpresojnë se të dyja palët do të gjejnë rrugë për të zbutur situatën, përmes dialogut.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, gjatë një konferencë në Berlin, ka thënë se “Qeveria beson se palët do të shfrytëzojnë mundësinë e dialogut për të gjetur zgjidhje për situatën e krijuar”.

Hapat që po ndërmerr Qeveria qendrore në Spanjë janë vlerësuar si të rrezikshëm, që përshkallëzojnë situatën e tensionuar në vend.

Kabineti spanjoll, masat e marra do t’i vë në funksion duke aktivizuar nenin 155 të Kushtetutës, i cili i lejon të marrë përsipër udhëheqjen e rajonit.

Me aktivizimin e këtij neni, Qeveria harton një listë të masave specifike, me të cilat nis transformimin e përgjegjësive nga Katalonja në Madrid.

Neni 155 i Kushtetutës së Spanjës thotë: “Nëse një komunitet vetëqeverisës nuk i përmbush detyrimet e imponuara nga Kushtetuta apo ligjet e tjera, ose vepron në atë mënyrë që dëmton seriozisht interesin e përgjithshëm të Spanjës, Qeveria mund t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për ta detyruar komunitetin që t’i përmbushë obligimet ose të mbrojë interesin e përgjithshëm të lartpërmendur”.

Ndërsa, lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont, pati thënë se Parlamenti i rajonit do të votojë për pavarësi nëse Spanja “vazhdon shtypjen”.

Rreth 43 për qind e elektoratit në Katalonjë kanë votuar në referendumin e 1 tetorit. Autoritetet rajonale kanë thënë se 90 për qind e tyre kanë votuar për pavarësi dhe rezultatet i kanë shpallur të vlefshme.

Përgatiti: Linda Gjokaj
XS
SM
MD
LG