Ndërlidhjet

Spitali në Graçanicë qe një dekadë në ndërtim  


Spitali i papërfunduar në Graçanicë.
Spitali i papërfunduar në Graçanicë.

Në vend që të kishin një spital, ku do të kishte hapësirë edhe për aterrimin e helikopterëve, banorët e Komunës së Graçanicës do të mund ta shfrytëzojnë objektin si banesa sociale.

Ndërtimi i spitalit, i cili është thënë se do të jetë 7,000 metra katrorë me 12 salla të operimit, nisi dhjetë vjet më parë, por as sot e kësaj dite nuk ka përfunduar ndërtimi i tij.

Të gjithë të përfshirët në këtë projekt japin arsye të ndryshme se pse është pezulluar ndërtimi i spitalit, projekt për të cilin, Qeveria e Kosovës është dashur që të ndajë katër milionë euro.

“Ndërtimi i spitalit duhet të jetë prioritet për të gjithë, në mënyrë që njerëzit të kenë një vend për t’u trajtuar”, thotë Lubica Periq nga Komuna e Graçanicës, që gjendet afër Prishtinës.

Periq tha për Radion Evropa e Lirë se të gjithë e kanë të qartë se kjo komunë, që është një nga komunat në Kosovë e banuara me shumicë serbe, ka nevojë për një spital të ri.

Kjo gjë ishte e qartë edhe dhjetë vjet më parë, kur filloi ndërtimi i spitalit, por ky objekt ende nuk ka përfunduar.

“Çfarë të ju them, struktura e spitalit po qëndron atje si kërpudhë, njerëzit po mendojnë se e gjithë kjo po shërben për pastrim parash”, tha Tatjana Kovaqeviç, banore e Graçanicës.

“Kjo gjë duhet të hetohet. Ku shkuan ato fonde, ato para ishin të destinuara për spitalin”, shton ajo.

Pse u pezullua ndërtimi i spitalit?

Nenad Rashiq, ish-ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e Kosovës, thotë se më 2009, nga buxheti ishin ndarë tre milionë euro dhe pretendon se ato para nisën që të shpërndaheshin më 2010, kur u vu edhe gurthemeli i spitalit. Rashiq, atëbotë, kishte qenë i përfshirë në ndërtimin e këtij spitali.

“Me kërkesë të komunës, më 2011, ato mjete u ridestinuan, jo për spital, por për diçka tjetër. Nuk më kujtohet se për ku u destinuan këto para. (Ndërtimi i spitalit) Ishte prioritet për ne në qeveri, por edhe për nivelin lokal”, thotë Rashiq, që udhëheq partinë opozitare, partinë Demokratike Progresive.

Ky objekt, që fillimisht se u tha se do të bëhej spital, tash pritet të shndërrohet në ndërtesë banimi për rastet sociale.
Ky objekt, që fillimisht se u tha se do të bëhej spital, tash pritet të shndërrohet në ndërtesë banimi për rastet sociale.

Atëbotë, kryetari i Graçanicës, ishte Bojan Stojanoviq, po ashtu nga partia e Rashiqit. Stojanoviq ishte kryetari i parë i Komunës së Graçanicës, një prej dhjetë komunave me shumicë serbe, që u formuan në Kosovë pas procesit të decentralizimit më 2009, proces ky që u bazua në planin e Martti Ahtisaarit. Në bazë të këtij plani, Kosova shpalli pavarësinë më 2008.

“Spitali është parashikuar që të mbulojë të gjithë territorin e Kosovës, të paktën sa i përket nevojave shëndetësore të komuniteteve joshumicë që jetojnë në jug të vendit. Sa më kujtohet, kur u ndërrua qeveria, u pezullua puna, për shkak të statikës së zonës, ku ishte planifikuar që të ndërtohej spitali”, thotë Rashiq dhe shton se autoritetet e atëhershme lokale këtë rast e kishin raportuar edhe te Agjencia Kundër Korrupsionit.

Statika apo paratë?

Branimir Stojanoviq nga Lista Serbe fitoi në zgjedhjet lokale të vitit 2013. Ai më pas kishte deklaruar për mediat lokale se “është e pabesueshme që dikush do të ndërtojë një strukturë të tillë pa bërë një analizë të tokës, nëse ajo është mjaftueshëm e qëndrueshme”.

“Për fat të mirë, pas analizës që bëmë, erdhëm në përfundim se kjo zonë është e qëndrueshme dhe nuk do të ketë rrezik të tillë që objekti të shembet apo të ndodhë diçka e tij”, kishte deklaruar atëbotë Stojanoviq, por megjithatë, ndërtimi i spitalit nuk vazhdoi.

Komuna e Graçanicës më vonë u drejtua nga Vladeta Kostiq, që vjen nga Lista Serbe, që është forca kryesore politike e serbëve të Kosovës. Ai pretendoi se Qeveria e Kosovës nuk kishte dhënë paratë e mjaftueshme për ndërtimin e këtij spitali.

Në anën tjetër, Ministria e Financave e Qeverisë së Kosovës thotë se për ndërtimin e spitalit në Graçanicë ishin marrë vesh gojarisht më 2012 ministri i atëhershëm i Financave, Bedri Hamza dhe kreu i Graçanicës, Bojan Stojanoviq.

“Më vonë është bërë një kontratë për të paguar një shumë prej katër milionë eurosh për ndërtimin e spitalit në Graçanicë, projekt që duhej të realizohej nga viti 2012 deri më 2015. Tenderi u shpall, projekti nisi më 2012 dhe qeveria pagoi shumën prej një milion eurosh tri herë brenda atij viti. Sidoqoftë, komisioni që mbikëqyri punimet, raportoi për disa parregullsi dhe devijime nga projekti, kështu që projekti përfundoi në Agjencinë për Korrupsion dhe u bllokua për disa vite”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave dërguar Radios Evropa e Lirë.

Nga kjo ministri po ashtu thanë se “më vonë ka pasur një marrëveshje e pagesës jashtë gjyqit ndërmjet komunës dhe punëkryesit, në vlerë prej 1.2 milion eurosh”.

“Projekti u ndalë më këtë marrëveshje”, tha Ministria e Financave.

Serbia njofton për investime

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Agjencinë Kundër Korrupsionit lidhur me rastin e ndërtimit të spitalit në Graçanicë. Deri në publikimin e këtij teksti, nga kjo agjenci nuk i janë përgjigjur pyetjes se deri ku ka arritur rasti lidhur me këtë çështje.

Kryetari aktual i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, nuk tregoi qartë se pse punimet për ndërtimin e këtij spitali po vazhdojnë të jenë të pezulluara, por ai tha:

“Situatën e gjeta të tillë. Ajo që mund të them është se ne kemi vendosur që të fillojmë përsëri me ndërtimin e spitalit te ri”.

Por, siç thotë Popoviq, ai ka një plan objektin, i cili deri më tani do të duhej të ishte një spital modern.

“Ne kemi një plan, është thjesht në kuadrin e idesë deri më tani, por sigurisht që do të shndërrohet në një hapësirë banimi dhe ne do ta ndërtojmë spitalin shumë shpejt. Dokumentacioni i këtij projekti është duke u përgatitur. Fondet janë siguruar dhe tani varet nga ne që të bëjmë ato që kërkohen me ligj. Ndërtimi i spitalit është një gjë thelbësore për komunën tonë”, thotë Popoviq për Radion Evropa e Lirë.

Vuçiq gjithashtu premtoi ndërtimin e një spitali

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se një spital i ri në Graçanicë do të ndërtohet me fondet e Qeverisë serbe.

Fillimisht u tha se do të ndaheshin rreth dy milionë euro për ndërtimin e spitalit dhe në fund të vitit 2020, Vuçiq tha se “shteti i Serbisë do të ndajë gjashtë milionë euro për ndërtimin e një spitali të ri në Graçanicë”.

Institucionet shëndetësore në vendbanimet e banuara me shumicë serbe në Kosovë, funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Në Graçanicë, në vitin 1999, Qendra Spitalore Klinike nga Prishtina u zhvendos në kontejnerë dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në kontejnerë.

Pacientët nga Komuna e Graçanicës trajtohen në atë spital, por aty shërbime marrin edhe pacientë nga komunat e tjera, që gjenden në jug të lumit Ibër.

Mjekët që punojnë në këtë qendër spitalore në Graçanicë vazhdimisht kanë thënë se në kujdesin shëndetësor situata është alarmante, duke thënë se ata që disa vjet nuk kanë staf të mjaftueshëm dhe shpesh pacientët detyrohen që të shkojnë në klinika private për të kryer analiza të ndryshme.

Përveç në Graçanicë, serbët nga Kosova po ashtu shkojnë për tretman mjekësor edhe në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG