Pas më shumë se një muaji nga zgjedhja e kryetarit të qytetit dhe pothuajse dy muaj nga zgjedhja e Këshillit të ri komunal, në Strugë nuk po mund të konsolidohet pushteti lokal.
Kryeministri maqedonas, njëherësh udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, vuri në dyshim mbështetjen për kryetarin Mendi Qyra, duke thënë se ai la një “përshtypje katastrofale” në fillim. Nga ana tjetër, asnjë nga partitë që hyri në Këshill komunal nuk ka dhe për momentin nuk mund të sigurojë shumicën, për çka ende nuk është zgjedhur as kryetar i Këshillit.
Nëse nuk ka pushtet funksional, sipas përfaqësuesve të pushtetit politik me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, qytetarët janë ata që do të vuajnë pasojat. Në këtë komunë, e cila ndodhet në bregun e Liqenit të Ohrit në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, jetojnë rreth 50.000 banorë.
Kryetari i qytetit është i bindur se do të bashkëpunojë me kryeministrin
Mendi Qyra, i cili vjen nga sektori i biznesit, është kandidati i vetëm që ka fituar postin e kryetarit në Strugë, dhe të paktën në letër, ai garoi si kandidat i pavarur. Koalicioni qeverisës, VMRO-DPMNE dhe VLEN, nuk paraqitën kandidatë për Strugën, por e mbështetën atë. Duke marrë parasysh qëndrimet e Mickoskit se e ka zhgënjyer, kryetari i qytetit konsideroi se bashkëpunimi i tyre mund të vazhdojë, sepse “komuna është mbi të gjitha” dhe “kemi nevojë për njëri-tjetrin”.
“Mendoj se kjo nuk është një deklaratë që mund të prishë marrëdhëniet. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë sepse Komunës së Strugës i duhen projekte të mëdha që janë të nevojshme për qytetarët”, tha Qyra për Radion Evropa e Lirë.
Kritikat ndaj tij, Mickoski i bëri pas festimit të Ditës së Flamurit kombëtar shqiptar më 28 nëntor, për shkak të mosvendosjes të flamurit shtetëror maqedonas, që është obligim ligjor.
“Ai nuk meriton mbështetje… Kishte një fillim të keq, nuk ka një mundësi të dytë për përshtypjen e parë”, tha Mickoski në një konferencë për gazetarët më 4 dhjetor, duke shtuar se nuk është i sigurt nëse këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do t’i japin mbështetje në të ardhmen.
Për mosvendosjes së flamurit maqedonas gjatë festës, policia e Strugës ka dorëzuar edhe një kërkesë për procedurë për kundërvajtje ndaj Komunës dhe kryetarit të qytetit. Por, a ishte kjo arsyeja e vetme që “mbushi kupën” apo ka edhe arsye të tjera për mllefin e Mickoskit?
“Nuk besoj. Unë nuk mund të di çfarë ka menduar kryeministri, por mendoj se do të kemi bashkëpunim të mirë edhe në të ardhmen”, tha Qyra.
Ai merr drejtimin e komunës pas qeverisjes së gjatë të Ramiz Merkos nga Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili nga 20 vjetët e fundit, në 16 prej tyre ishte kryetar i Strugës. Vetëm në periudhën 2013-2017 ai nuk udhëhoqi Strugën. Merko përfundoi në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe ndërhyrje në procese gjyqësore dhe në zgjedhjet e fundit lokale, BDI-ja së bashku me koalicionin e saj, garoi me një kandidat tjetër në Strugë.
Këshill pa shumicë
Një problem shtesë për Strugën është edhe çështja e funksionalitetit të Këshillit komunal. Më 14 nëntor u thirr seanca konstitutive, por nuk u zgjodh kryetari i Këshillit. Koalicioni opozitar Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga BDI, propozoi një nga këshilltarët e vet që të marrë kryesimin e Këshillit, por propozimi nuk kaloi.
Në fakt, AKI ka grupin më të madh të këshilltarëve, gjithsej tetë anëtarë. Këshilli ka gjithsej 23 anëtarë, ndërsa për shumicë nevojiten 12 vota. Partitë qeverisëse, VMRO-DPMNE me gjashtë dhe VLEN me katër këshilltarë, nuk e kanë shumicë, ndërsa njëkohësisht ka edhe mosmarrëveshje mes tyre. Nga një këshilltar përfaqësohen edhe LSDM-ja dhe E Majta, ndërsa tre këshilltarë janë nga lista e pavarur që para zgjedhjeve publikisht mbështeti ish-kryetarin Ramiz Merko, dhe tani shpesh nga pjesa tjetër e këshilltarëve ata quhen si “Lista e Merkos”.
Si kryetari, ashtu edhe disa nga këshilltarët shpresojnë që të zgjidhet kryetari i Këshillit, por për momentin askush nuk mund të konfirmojë se kur dhe si do të sigurojnë shumicën.
Këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Mite Stefoski, tha se ata si grup këshilltarësh kërkojnë funksionim ligjor të Këshillit dhe nuk do të mbështesin “asnjë voluntarizëm apo arbitraritet” për të shkelur procedurat.
“Mendoj se nëse punohet për zgjidhjen e problemit, do të gjendet një zgjidhje. Tani nuk mund të funksionojmë kështu, sepse qytetarët nuk do të përfitonin asgjë nga një këshill i tillë jofunksional”, tha Stefoski për REL-in.
Pakënaqësitë e VMRO-DPMNE-së janë përqendruar te fakti se, edhe pse nuk u zgjodh kryetar në seancën konstitutive, kolegët e tyre thërrasin seanca duke u mbështetur në faktin se ndërkohë Këshillin duhet ta udhëheqë anëtari më i vjetër. Në përbërjen aktuale, ai është Nafi Jonuzi nga radhët e VLEN-it.
“Sipas nenit 47 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, seancat i thërret dhe i udhëheq këshilltari më i vjetër. Po, në këtë rast ky jam unë. Ne kemi disa pika që duhet të kalojnë dhe për këtë arsye Këshilli do të punojë normalisht”, tha Jonuzi në një bisedë me REL-in, para seancës së 10 dhjetorit, që ai thirri.
Në rendin e ditës për seancën më 10 dhjetor ishin vendosur një dhjetëra pika, përfshirë formimin e komisioneve të ndryshme – për urbanizëm, turizëm si dhe votimin e disa raporteve tremujore. Në fillim të seancës, si propozim urgjent u shtua një pikë për shpërndarjen e 17 milionë denarëve nga buxheti i komunës për arsimin fillor.
Ky rast nxori në pah mosmarrëveshjet me VMRO-DPMNE-në, të cilët konsiderojnë se nuk mund të mbahen seanca të rregullta pa përfunduar konstituimi me zgjedhjen e kryetarit. Nëse ka pika urgjente për votim, tha Stefoski, atëherë mund të thirret seancë e jashtëzakonshme me një pikë të vetme në rendin e ditës. Komisionet dhe raportet tremujore, sipas tij, nuk janë urgjente. Për këtë arsye, VMRO-DPMNE-ja e braktisi seancën. Të njëjtën gjë bënë edhe këshilltarët e pavarur.
Përfundimi i kësaj seance ishte që u tërhoqën të gjitha pikat nga rendi i ditës, dhe këshilltarët e tjerë vetëm e miratuan pikën për shpërndarjen e parave për arsimin fillor, të cilat janë të destinuara për kompensimin vjetor (K-15) për mësuesit, pagesën e energjisë elektrike, furnizimin me naftë dhe transportin e nxënësve.
Megjithatë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme rreth asaj nëse dhe çfarë seancash duhet të mbahen derisa të mos ketë kryetar, edhe nga VLEN-i thanë se presin që së shpejti të tejkalojnë mosmarrëveshjet.
“Kryetar do të zgjidhet kur të kemi marrëveshje me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe pres që kjo të ndodhë shpejt, ndoshta këto ditë”, u shpreh Jonuzi.
Megjithatë, ata do të duhet të sigurojnë mbështetje edhe nga të paktën dy nga kolegët e partive të tjera ose lista e pavarur për të arritur 12 vota. Nga kush duan mbështetje, nuk japin emra konkretë.
Opozita akuzon për llogaritje partiake
Ndërsa publikisht asnjëra nga palët nuk komenton nëse ka mosmarrëveshje të tjera, opozita fajin për funksionimin joefektiv deri tani e sheh te pazaret e brendshme për ndarjen e pushtetit lokal. Për këshilltarin e vetëm nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM), Dimçe Shipinkarovski, problemi me zgjedhjen e kryetarit nuk është ligjor ose administrativ, por politik.
“Përgjegjësia është tek ata që formuan koalicionin dhe morën drejtimin. Struga nuk duhet të jetë peng i llogarive të brendshme, as i pazareve pas dyerve të mbyllura. Institucionet duhet të funksionojnë, qyteti ka projekte të nisura dhe ka obligime që duhet të përmbushen, si dhe qytetarë që me të drejtë presin stabilitet”, tha Shipinkarovski për Radion Evropa e Lirë.
Qëndrim i ngjashëm është edhe nga koalicioni AKI. Faton Pollozhani nga BDI theksoi se “më së shumti duket se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit”. Duke përdorur thënien se “dita e mirë shihet në mëngjes”, ai tha se fillimi ka qenë i keq dhe mendon se përpjekjet për marrëveshje të mëtejshme do të jenë të vështira.
“Ajo që shihet publikisht dhe qartë është se shtohet presioni i VMRO-DPMNE-së ndaj kryetarit dhe VLEN-it. Unë nuk kam informacion se si zhvillohen bisedimet e tyre, cilat janë kërkesat për ndarjen e pushtetit në nivel lokal, por do të ishte mirë që qytetarët të ishin të informuar, sepse situata po bëhet shqetësuese edhe për banorët e komunës së Strugës”, deklaroi Pollozhani për REL-in.
Kryetari Qyra, nga ana e tij, siguroi se deri tani nuk i kanë arritur kërkesa joparimore as nga VMRO-ja as nga VLEN-i për ndarjen e posteve, siç janë për drejtuesit e ndërmarrjeve publike, shkollave e të tjera. Ai tha se pret që këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, si partnerë koalicioni që e mbështetën në zgjedhje, të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Për këshillat jofunksionalë dhe mosmarrëveshjet mes këshilltarëve dhe kryetarit, publiku maqedonas ka qenë dëshmitar edhe në rastin e kryeqytetit, Shkup. Ish-kryetarja Danela Arsovska, e cila si kandidate e pavarur e mbështetur nga VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet dhe gjatë vitit të parë të mandatit u përplas me partinë që ishte më e madhe në Këshillin e qytetit. Ajo nuk pati mbështetje për disa projekte, ndërmarrjet publike u përballën me probleme dhe banorët e Shkupit patën “kokëçarje” me transportin publik dhe mbledhjen e mbeturinave komunale.
Për shkak të mungesës së marrëveshjes dhe shumicës në Këshill, Tetova në vitin 2022 zhvilloi zgjedhje të jashtëzakonshme për këshilltarë komunalë. Arsyeja ishte se gjatë tre muajve të parë të 2022 këshilltarët nuk kishin shumicën për të miratuar shpenzimet përfundimtare të komunës për vitin paraprak, gjë që sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale është kusht për shpërndarjen e Këshillit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.