Dy punëtorë të Ambasadës ruse në Kabul të Afganistanit janë vrarë në një sulm vetëvrasës me bombë.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin në kryeqytetin afgan.
“Në orën 10:50, sipas kohës lokale në Kabul, një militant i paidentifikuar shpërtheu eksplozivë në afërsi të hyrjes së Ambasadës ruse në Kabul”, tha Ministria e Jashtme ruse përmes një deklarate.
Në deklaratë nuk jepen detaje për dy viktimat, por sipas një raporti të mëhershëm të agjencisë shtetërore të lajmeve ruse, RIA Novosti, një diplomat dhe një roje sigurie janë plagosur.
“Në mesin e të plagosurve ka edhe shtetas afgan”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Jashtme ruse.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane, Abdul Nafy Takor, tha se sulmuesi ishte përleshur me forcat e sigurisë që po ruanin ndërtesën e Ambasadës ruse.
Khalid Zadran, zëdhënës i komandës së sigurisë në Kabul, i tha Radios Azadi se sulmuesi “u identifikua dhe u shënjestrua” nga rojet talibane dhe për pasojë “shpërthyen materialet që ai kishte vendosur në trup”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti incidentin “akt terrorist”.
Mediat lokale kanë transmetuar pamje të autoambulancave duke shkuar drejt vendit të ngjarjes.
Agjencia e lajmeve Reuters tha se dy persona janë vrarë dhe 11 janë plagosur pasi një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivët e tij teksa u qëllua nga rojet e Ambasadës.
AP ka cituar një zëdhënës të policisë në Kabul të ketë thënë se një civil afgan është vrarë dhe 10 janë plagosur.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti raportoi se një diplomat dhe një roje sigurie janë plagosur në këtë incident që ndodhi në kohën kur një radhë e gjatë e afganëve po prisnin për të marrë viza për në Rusi.
Autoritetet kanë nisur hetimet për këtë rast, teksa vendi ku ka ndodhur shpërthimi është rrethuar nga policia.
Rusia është një prej shteteve të pakta që ka mbajtur të hapur Ambasadën e saj në Kabul, pasi talibanët morën pushtetin gushtin e vitit të kaluar. Komuniteti ndërkombëtar – përfshirë Rusinë – nuk njeh autoritetet de fakto talibane në Afganistan.
Talibanët morën kontrollin e shtetit pak pasi koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoq nga shteti dhe pak kohë më pas ra Qeveria paraprake.