Ndërlidhjet

Ukrainë: Rritet numri i viktimave pas sulmit me raketë në një stacion treni


Dhjetëra njerëz duke pritur të udhëtojnë nga qyteti Kramatorsk. 5 prill 2022.
Dhjetëra njerëz duke pritur të udhëtojnë nga qyteti Kramatorsk. 5 prill 2022.

Pesëdhjetë persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur pasi raketat ruse goditën një stacion të trenit në lindje të Ukrainës më 8 prill. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ky ishte sulm i qëllimshëm ndaj civilëve.

Kompania shtetërore e hekurudhave në Ukrainë, ka thënë se dy raketa ruse goditën stacionin në Kramatorsk, që përdorej për evakuimin e civilëve nga zonat që janë nën sulme të vazhdueshme ruse, teksa Rusia po përqendron luftën e saj në lindje të Ukrainës.

"Pesëdhjetë të vdekur, pesë prej tyre fëmijë. Ky është bilanci deri më tani i viktimave pasi sulmet ajrore nga forcat okupuese serbe në stacionin e trenit në Kramatrosk", tha Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake në rajonin e Donjeckut.

Dymbëdhjetë viktima vdiqën në spital, ndërkaq 38 "vdiqën në vendngjarje", tha Kyrylenko përmes një postimi në Telegram.

Ai paralajmëroi se numri i viktimave me gjasë do të ndryshojë, pasi ka edhe qindra të plagosur.

Ndërkaq, më herët, Zelensky tha se "duke pasur mungesë të forcës dhe kurajës për t'u përballur me ne një fushëbetejë, ata po shkatërrojnë popullsinë civile", tha Zelensky përmes një deklarate.

Gjatë një video-adresimi në Parlamentin e Finlandës, Zelensky tha se asnjë ushtar ukrainas nuk ishte në stacion në kohën e sulmit.

Liderët botërorë dënuan sulmin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, shkroi në Twitter se ky sulm "është edhe një mizori e tmerrshme e kryer nga Rusia, duke goditur civilët kur ata tentojnë të evakuohen në zona të sigurta".

Qveria franceze e quajti "krim kundër njerëzimit", ndërkaq kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se ky sulm ishte "i pandërgjegjshëm".

Zelensky tha se 300 persona janë plagosur, duke shtuar se Evropa nuk mund të ketë "përgjigje të pjesshme" ndaj Rusisë për agresionin e saj "sepse liria nuk do të mbijetojë nëse ne largohemi nga kanalet e tiranisë".

Kryetari i Kramatorskit, Oleksandr Honcharenko, tha se afër 4,000 persona ishin në stacion në kohën e sulmit.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka mohuar se qëndron pas këtij sulmi.

Sulmi erdhi teksa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe kryeministri sllovak, Eduard Heger, vizituan Kievin.

Von der Leyen nisi vizitën në Ukrainë duke u ndalur fillimisht në Buça, ku ajo pa nxjerrjen e 20 trupave nga një varrezë masive. Ajo ndezi një qiri për viktimat në një kishë të këtij qyteti që gjendet pranë Kievit.

"E gjithë bota po vajton për këtë që ndodhi këtu", tha ajo. Më pas ai shkroi në Twitter se për të ishte e rëndësishme që të niste vizitën në Buça, "sepse në Buça është shkatërruar humaniteti ynë".

Pas largimit të trupave ruse nga Buça më 1 prill, trupat e pajetë të civilëve ukrainas janë parë në rrugët e qytetit. Po ashtu janë zbuluar edhe varreza masive. Zyrtarët lokalë thonë se mbi 300 persona janë vrarë nga forcat ruse dhe rreth 50 janë ekzekutuar. Moska mohon çdo akuzë.

Më vonë, von der Leyen, gjatë një konference me presidentin Zelenksy, tha se Rusia po përballet me situatë të rëndë për shkak të sanksioneve, ndërsa Ukraina "ka të ardhme në Evropë".

Ajo u zotua se BE-ja do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Kievit në bllok.

Ndryshe, Kramatorsk, ku ndodhi sulmi me raketa më 8 prill, është njohur si një prej rrugëve kyçe për evakuim nga lindja e Ukrainës.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

XS
SM
MD
LG