Ndërlidhjet

Sulme ruse me dronë ndaj Odesës, luftime të ashpra në Ukrainën Lindore


Artiljerë ukrainas duke sulmuar pozicionet ruse me raketahedhës BM-21 Grad, në vijën e frontit, afër Bahmutit, në rajonin e Donjeckut, më 18 prill 2023.
Artiljerë ukrainas duke sulmuar pozicionet ruse me raketahedhës BM-21 Grad, në vijën e frontit, afër Bahmutit, në rajonin e Donjeckut, më 18 prill 2023.

Rusia ka sulmuar qytetin-port jugor ukrainas të Odesës me dronë të prodhimit iranian gjatë natës, ka bërë të ditur Komanda Ajrore Jugore e Ukrainës, më 19 prill, teksa luftimet e ashpra kanë vazhduar në rajonin lindor të Donjeckut, ku është duke u zhvilluar një betejë e gjatë për qytetin e Bahmutit.

“Këtë herë, 10 nga 12 dronët kamikazë Shahed janë shkatërruar nga pjesëtarët e brigadës kundërajrore të Odesës, nga Komanda Ajrore Jugore”, ka thënë ushtria ukrainase nëpërmjet një komunikate.

Kreu i administratës ushtarake në rajonin e Odesës, Yuriy Kruk, ka thënë se një objektiv i infrastrukturës publike është goditur gjatë sulmit me dron, por se nuk ka pasur raportime të menjëhershme për viktima.

Në lindje, mbrojtësit ukrainas kanë ndalur 60 sulme, teksa trupat ruse po vazhdojnë sulmet e tyre ndaj Bahmutit, Avdijivkës dhe Marjinkës, ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës në raportin e tij të përditshëm, më 19 prill.

Betejat më të ashpra po luftohen për Bahmutin dhe Marjinkën, që mbeten epiqendër e luftimeve, ka thënë ushtria ukrainase.

Luftimet disamuajshe për Bahmutin, në veçanti, janë kthyer në njërën ndër betejat më të përgjakshme të pushtimit rus të Ukrainës, ku të dyja palët raportohet të kenë pësuar humbje të mëdha.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Para një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili përbëhet nga dhjetëra vende që i ofrojnë ndihmë ushtarake Kievit, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për dërgimin e më shumë armëve dhe municioneve për Ukrainën.

“Ne çmojmë sasinë e madhe të armëve, municioneve dhe furnizimeve që tashmë i janë mundësuar Ukrainës, por duhet të bëjmë edhe më shumë”, ka thënë Stoltenberg për rrjetin televiziv amerikan, CNN, më 18 prill.

“Ne duhet të sigurohemi që ukrainasit janë në një pozitë ku ata mund t’i thyejnë radhët ruse dhe të lëvizin nëpër fusha të minuara, dhe në një pozitë ku ata mund të çlirojnë, të rimarrin territore”, ka deklaruar ai.

Grupi i Kontaktit pritet të mblidhet përsëri, më 21 prill.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka vizituar forcat ukrainase afër vijës së frontit në rajonin e Donjeckut, më 18 prill, duke i vëzhguar pozicionet e avancuara në Avdijivka, ka bërë të ditur zyra e tij.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke pozuar me ushtarë gjatë një vizite në rajonin lindor të Donjeckut, më 18 prill.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke pozuar me ushtarë gjatë një vizite në rajonin lindor të Donjeckut, më 18 prill.

Zelensky ka thënë në video-mesazhin e tij të mbrëmjen se ka vizituar ushtarët që po “frenojnë dhe po e shkatërrojnë gradualisht këtë ligësi ruse që 419 ditë dhe nëntë vjet”, duke iu referuar luftimeve që shpërthyen më 2014 ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonet e Donbasit, Donjeck dhe Luhansk.

Vizita e Zelenskyt në rajonin e Donjeckut ndodhi vetëm disa orë pasi Kremlini tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka bërë një vizitë të rrallë në rajonet e okupuara pjesërisht të Ukrainës, Herson dhe Luhansk.

Putin ka vizituar shtabin ushtarak rus dhe është takuar me komandantë në Herson dhe Luhansk, ka bërë të ditur Kremlini.

Lajmi për vizitën e Putinit u përcoll me zemërim në Kiev, ku këshilltari presidencial, Mykhaylo Podolyak, tha se Putin shkoi në “territoret e okupuara dhe të shkatërruara për të parë krimet e shërbëtorëve të tij për herë të fundit”.

XS
SM
MD
LG