Sulmet amerikane ndaj sistemeve të mbrojtjes dhe të radarëve të Iranit duket se u kryen për të shërbyer si një paralajmërim i kufizuar ndaj Teheranit dhe jo si goditja e parë e një fushate më të gjerë ushtarake, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ekspertëve rajonalë të sigurisë.
Sulmet kishin në shënjestër disa sisteme iraniane të mbrojtjes ajrore dhe radarëve.
Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa lokacione në provincën e Hormozganit, përfshirë Sirikun, Bandar Abasin, Minabin dhe në ishullin Keshm.
Sulmet erdhën në një moment delikat në raportet SHBA-Iran, teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, vazhdon të ndjekë rrugën e negociatave me Teheranin, pavarësisht rritjes së tensioneve ushtarake në Gjirin Persik.
Disa zyrtarë amerikanë që folën me gazetarët thanë se nuk presin që veprimi ushtarak të devijojë përpjekjet diplomatike.
Megjithatë, më 10 qershor, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se po shqyrtohet nëse mund të vazhdojnë negociatat me SHBA-në pas sulmeve. Baghaei tha se po vlerësohet ndikimi i përplasjes ushtarake në bisedimet me Uashingtonin.
Një zyrtar i lartë amerikan tha pas sulmeve se presidenti amerikan, Donald Trump, ende beson se mund të arrihet një marrëveshje e paqes me Iranin, duke theksuar se “nuk ndryshon asgjë se ku qëndron situata aktualisht sa i përket marrëveshjes”.
Në të njëjtën kohë, një tjetër zyrtar amerikan i përshkroi sulmet si “goditje paralajmëruese”, duke sugjeruar se Uashingtoni synonte të shfaqte gatishmërinë për t’u përgjigjur ushtarakisht dhe njëkohësisht duke shmangur hapat që do të mund të nxisnin një konflikt më të gjerë.
Qëndrimi i Kongresit
Operacioni vjen pas presionit në rritje nga ligjvënësit amerikanë, pas raportimeve për përfshirjen e Iranit në rrëzimin e një helikopteri amerikan Apache.
Duke folur në një konferencë për media, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson nga Louisiana, tha se ishte informuar për atë që ai e përshkroi si “sulme të shënjestruara”, të cilat sipas tij ishin “të natyrës mbrojtëse” kundër Iranit.
Johnson shtoi se kishte marrë pjesë në një takim në Dhomën e Situatave më herët gjatë 9 qershorit me presidentin Trump, nënpresidentin, JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes*, Pete Hegseth, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ku Irani ishte ndër temat e diskutuara.
Zyrtarë të lartë ushtarakë po ashtu sinjalizuan se një përgjigje ishte duke u shqyrtuar edhe para se sulmet të bëheshin publike. I pyetur për reagimin e SHBA-së ndaj incidentit me helikopterin, teksa po largohej nga një mbledhje e klasifikuar në Kongres, admirali Brad Cooper u përgjigj shkurt: “Do të shohim”.
Republikanët në Kongres ishin më të drejtpërdrejtë. Kryetari i Komitetit të shërbimeve të armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, Mike Rogers, argumentoi se Uashingtoni nuk mund të lejonte që rrëzimi i një helikopteri amerikan të mbetej pa përgjigje.
“Duhet të përgjigjemi me forcë”, tha Rogers. “Nuk mund të lejojmë që dikush të rrëzojë një nga helikopterët tanë dhe të mos ketë përgjigje”. Ai shtoi se Trump duhet të shqyrtojë “opsione domethënëse”.
Më herët gjatë 9 qershorit, senatori Ted Cruz, bëri thirrje për veprim ushtarak, duke shkruar në rrjete sociale se “ekziston një nevojë urgjente që SHBA të përgjigjet ndaj këtij sulmi”.
Edhe kongresisti demokrat Josh Gottheimer mbështeti një reagim të fortë në kohën kur u bënë publike raportimet për sulmet, duke thënë se Irani kishte tentuar të vriste pjesëtarë të forcave amerikane dhe duke vlerësuar “trimërinë dhe reagimin e shpejtë” të ushtrisë.
Mbështetja dypartiake për hakmarrje tregoi se sulmet ndaj personelit amerikan vazhdojnë të prodhojnë presion të fortë politik në Uashington, edhe mes ligjvënësve që kanë qëndrime të ndryshme për politikën më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Ekspertët shohin një mesazh të kalibruar, jo një marsh drejt luftës
Analistët e sigurisë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë i interpretuan kryesisht sulmet si një përgjigje të kujdesshme dhe të kalibruar, që synon të forcojë parandalimin, duke ruajtur njëkohësisht hapësirë për diplomaci.
Zëvendësadmirali në pension Robert Murrett, i cili më parë ka drejtuar Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës Gjeohapësinore të SHBA-së, tha se e sheh operacionin kryesisht si një veprim të kufizuar mbrojtës dhe jo si sinjal për përshkallëzim më të gjerë.
Murrett vuri në dukje përshkrimin e sulmeve nga Komanda Qendrore e SHBA-së si “proporcionale”, duke argumentuar se një gjuhë e tillë është domethënëse, pasi tregon përpjekje për ta kufizuar përplasjen, dhe jo për ta zgjeruar atë.
Ai gjithashtu theksoi se mbeten paqartësi lidhur me rrethanat e rrëzimit së helikopterit, duke thënë se raportimet sugjerojnë se ende nuk është e qartë nëse fluturakja është rrëzuar qëllimisht apo nëse incidenti lidhet me një aksident të shkaktuar nga një dron iranian.
Në një kuptim më të gjerë, Murrett argumentoi se si Uashingtoni ashtu edhe Teherani duket se po synojnë të shmangin veprime që do të rrezikonin mundësinë e një marrëveshjeje të negociuar.
Sipas Murrett, presioni ushtarak dhe diplomacia po zhvillohen paralelisht, me asnjërën palë që nuk dëshiron të ndërmarrë hapa aq të ashpër sa të përjashtojnë një rezultat të mundshëm diplomatik në të ardhmen.
Megjithatë, ai paralajmëroi se një periudhë e zgjatur e konfrontimit të kufizuar mbetet e mundshme, ndërsa negociatorët përballen me çështje të vështira, përfshirë programin bërthamor të Iranit, sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit dhe çështjet që lidhen me asetet iraniane të ngrira.
Dan Arbell, ish-diplomat izraelit dhe profesor në Universitetin Amerikan në Uashington dha një vlerësim të ngjashëm. Ai e përshkroi operacionin si një përgjigje të kufizuar dhe tha se nëse Irani zgjedh të mos hakmerret, sulmet mund të krijojnë në fakt një mundësi që bisedimet të rifillojnë.
Pas sulmeve amerikane, Irani gjuajti raketa dhe dronë drejt bazave amerikane në Lindjen e Mesme, por një zyrtar amerikan tha se pothuajse të gjitha fluturaket u penguan.
Ai argumentoi se, pas incidentit me helikopterin Apache, Uashingtoni me gjasë është ndjerë i detyruar të tregojë se sulmet ndaj forcave amerikane nuk do të mbeten pa përgjigje. Në të njëjtën kohë, ai e përshkroi operacionin si një përdorim “kirurgjikal” dhe “taktik” të forcës, të kryer në mënyrë të përmbajtur.
Për Arbell, mesazhi ndaj Teheranit është i dyfishtë: Shtetet e Bashkuara do të reagojnë kur personeli i tyre të jetë në shënjestër, por njëkohësisht mbeten të përkushtuar për të ndjekur negociata që synojnë uljen e tensioneve, rihapjen e rrugëve detare dhe adresimin e mosmarrëveshjes së gjatë mbi programin bërthamor të Iranit.
Sfida e administratës amerikane tani do të jetë të bindë si aleatët ashtu edhe kundërshtarët se hakmarrja ushtarake dhe diplomacia nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.
Duke shënjestruar sistemet e mbrojtjes ajrore dhe radarët, në vend të infrastrukturës më të gjerë strategjike, Uashingtoni duket se ka zgjedhur një opsion që synon t’i shkaktojë kosto Iranit, duke kufizuar njëkohësisht rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë rajonal.
Përsëritja nga zyrtarët amerikanë se sulmet janë një “goditje paralajmëruese” dhe se negociatat mbeten “afër” sugjeron se Shtëpia e Bardhë po përpiqet të balancojë parandalimin me diplomacinë.
*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë.