Ndërlidhjet

Një burrë akuzohet për terrorizëm pas të shtënave vdekjeprurëse në Oslo


Zyrtarët policorë në Oslo, Norvegji.
Zyrtarët policorë në Oslo, Norvegji.

Dy njerëz janë qëlluar për vdekje dhe 21 të tjerë janë plagosur në disa të shtëna në një klub nate dhe në një rrugë të afërt në qendër të kryeqytetit norvegjez, Oslo, ka thënë policia.

Një burrë 42-vjeçar është arrestuar dhe është akuzuar për vrasje, tentim-vrasje dhe akte terroriste, pas të shtënave.

I akuzuari ka nisur të shtënat me armë zjarri në orët e mesnatës në tri lokacione të ndryshme, përfshirë një bar të homoseksualëve.

Përveç barit të homoseksualëve, të shtënat janë dëgjuar edhe në një klub të muzikës jazz dhe në afërsi të tij.

Parada vjetore e Krenarisë, ishte planifikuar të mbahej të shtunën në Oslo, mirëpo organizimi është anuluar, sipas udhëzimeve të policisë.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere, e ka quajtur sulmin “të tmerrshëm dhe shokues ndaj personave të pafajshëm”.

I akuzuari është person i njohur për shërbimet e sigurisë në Norvegji.

XS
SM
MD
LG