Ndërlidhjet

AGK: Në veri janë sulmuar gazetarë shqiptarë e serbë


Disa kameramanë dhe gazetarë të mediave të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka ngritur shqetësime në lidhje me, siç ka thënë, mjedisin e rëndë dhë të pasigurt të punës së gazetarëve të cilët po mbulonin ngjarjet që ndodhën ditën e mërkurë (13 tetor) në veri të Kosovës.

AGK-ja thotë se sipas raporteve, janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë.

“Ndërkohë, sulme dhe presione ka pasur edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, nga protestuesit. Si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni. AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”, thuhet në komunikatë.

Portali Kossev transmeton lajme në gjuhën serbe.

Policia e Kosovës ndërmorri një aksion për, siç tha, luftimin e kontrabandës në disa komuna të Kosovës përfshirë Mitrovicën e Veriut. Banorët lokalë serbë kundërshtuan aksionin përmes protestave në rrugë. Raportohet për disa gjashtë policë të lënduar ndërsa dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë dhe se BE-ja është në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin për situatën e krijuar.

XS
SM
MD
LG