Ndërlidhjet

Sveçla: Njëri prej sulmuesve të vrarë, rojë e Vullinit më 2013


Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se njëri prej sulmuesve të vrarë në Banjskë më 24 shtator është Bojan Mijailloviq – rojë e shefit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë [BIA], Aleksandar Vullin, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë, më 2013.

Më 24 shtator, afër manastirit të Banjskës në Zveçan ka ndodhur një përleshje e armatosur mes Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur.

Për pasojë janë vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tre sulmues. Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist.

Zveçani dhe tri komuna tjera në veri janë të banuara me shumicë serbe.

“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiqit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë e ka kërkuar komentin e autoriteteve në Serbi për deklarimin e Sveçlës, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, në një postim të ndarë, Sveçla publikoi një dokument që pretendoi se është vërtetim që ushtria e Serbisë “i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”.

Një ditë më parë Sveçla ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - Millan Radoiçiq i ka organizuar sulmet dhe ka qenë pjesë e tyre.

Ai madje e ka publikuar një pamje me dronë, dhe aty pretendohet se shihet Radoiçiq i armatosur, në mesin e një grupi burrash, po ashtu me armë në duar, dhe të veshur me uniforma.

Në Serbi, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq ka thënë se shihet qartë që video-incizimi nuk është i ditës së sulmeve në veri të Kosovës.

“Nuk e kam atë informacion nëse ai [Radoiçiq] është në video-material apo jo, nuk e di”, ka thënë ai për Radiotelevizionin e Serbisë.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.

XS
SM
MD
LG