Ndërlidhjet

Liderja e opozitës bjelloruse e lidh luftën e Ukrainës me luftën për demokraci në Bjellorusi


Tsikhanouskaya: Nuk mund të ketë një Bjellorusi të lirë pa pasur një Ukrainë të lirë.
Tsikhanouskaya: Nuk mund të ketë një Bjellorusi të lirë pa pasur një Ukrainë të lirë.

Svyatlana Tsikhanouskaya, udhëheqësja e opozitës bjelloruse, deklaroi se fati i vendit të saj është i lidhur ngushtësisht me rezultatin përfundimtar të luftës që Rusia ka nisur ndaj Ukrainës.

"Ne e kuptojmë përgjegjësinë tonë në lidhje me luftën në Ukrainë”, deklaroi Tsikhanouskaya në një intervistë të dhënë më 11 maj, për Radio Evropa e Lirë, në selinë e saj në Pragë.

“Jemi të vetëdijshëm që duhet të luftojmë për Ukrainën tani, në mënyrë që të luftojmë për Bjellorusinë më pas”, deklaroi ajo. “E dimë që pa një Ukrainë të lirë, nuk mund të ketë një Bjellorusi të lirë”.

Nga frika për sigurinë e saj dhe të familjes së saj, ish-mësuesja e anglishtes e shndërruar në politikane u largua nga Bjellorusia një ditë pas votimit që rezultoi në fitoren e një mandati të gjashtë presidencial për liderin autoritar Alyaksandr Lukashenka, teksa ka udhëhequr opozitën bjelloruse nga mërgimi në Lituani.

Pas protestave masive pas zgjedhjeve, për të cilat opozita tha se ishin të manipuluara, Lukashenka nisi një fushatë të ashpër dhe shpesh të dhunshme, duke burgosur dhjetëra mijëra protestues, shumicën e kundërshtarëve të tij politikë, dhe duke bllokuar mediat e pavarura.

Duke reaguar mbi situatën, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, dhe shtete të tjerë refuzuan të njihnin Lukashenka si udhëheqësin legjitim të Bjellorusisë dhe vendosën sanksione mbi të dhe mbi zyrtarë të tjerë bjellorusë.

I izoluar dhe i dobësuar financiarisht, Lukashenka iu drejtua aleatit tradicional,Rusisë për mbështetje, dhe që atëherë ai u përgjigj në të njëjtën mënyrë duke lejuar Moskën të nisë sulmet ndaj Ukrainës dhe të furnizojë forcat nga territori bjellorus.

Tsikhanouskaya tha se qytetarët bjellorusë, ndryshe nga udhëheqja e vendit, "po bëjnë atë që munden" për të mbështetur fqinjin e tyre.

"Duke ndihmuar Ukrainën, ne po ndihmojmë gjithashtu veten tonë. Sepse kur Ukraina të fitojë, kjo do të nënkuptojë se Kremlini është i dobët dhe, për rrjedhojë, dhe Lukashenka është i dobët. Kjo do të hapë një dritare të re mundësish për bjellorusët, për protesta dhe greva”, tha ajo.

Në përgjigje të pyetjeve të Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë dhe “Current Time”, kanali në gjuhën ruse i drejtuar nga RFE/RL në bashkëpunim me Zërin e Amerikës, mbi atë që pritet të ndodhë pas përfundimit të luftës, Tsikhanouskaya u përgjigj se "pasi Ukraina ta fitojë këtë luftë, pjesa tjetër do të varet nga bjellorusët”.

“Si mund ta shfrytëzojmë më së miri këtë moment? Si mund ta dobësojmë regjimin e Lukashenka? E gjithë puna jonë synon, nga një anë dobësimin e regjimit dhe në anën tjetër, fuqizimin e popullit bjellorus,”deklaroi ajo.

Tsikhanouskaya tha se lëvizja e saj ka nisur të hapë një zyrë përfaqësie në Kiev në mënyrë që të jetë në kontakt më të afërt, me zyrtarët ukrainas dhe diasporën bjelloruse në Ukrainë.

Pjesa më e madhe e përpjekjeve të Tsikhanouskaya që nga nisja e sulmit rus në Ukrainë ka të bëjë me ri-kujtimin e vendeve perëndimore se qeveria Lukashenka nuk duhet të shihet si përfaqësuese e popullit bjellorus.

Ajo u bëri thirrje gjithashtu vendeve perëndimore që të zgjasin afatin e vizave për bjellorusët e zakonshëm, veçanërisht studentët, dhe të gjejnë mënyra për të mbështetur median e pavarur bjelloruse.

"Kemi kontaktuar edhe kompanitë si Facebook dhe Microsoft për të rritur luftën ndaj propagandës [shtetërore] dhe të ndihmojë gazetarët bjellorusë dhe popullin tonë”, tha ajo.

Sipas Shoqatës Bjelloruse të Gazatarëve të Pavarur, mbi 20 gazetarë janë të burgosur në Bjellorusi, përfshi dhe Syarhey Tsikhanouski, i cili u dënua me 18 vjet burgim në dhjetor të vitit 2021.

XS
SM
MD
LG