Ndërlidhjet

Vitet e dhembjes, shpresës dhe zhgënjimit


Lutfije Vokshi duke mbajtur në duar fotografinë e vëllaut të saj të zhdukur, Adem Ademi.
Lutfije Vokshi duke mbajtur në duar fotografinë e vëllaut të saj të zhdukur, Adem Ademi.

Lutfije Vokshi, me prejardhje nga Mitrovica, tash e 20 vjet është duke e kërkuar vëllanë e saj, kurse Erblini babain e tij, dr. Adem Ademin. Ademi është zhdukur më 19 prill të vitit 1999, kur së bashku me një grup prej 25 personash, nëpër mal kishin provuar të dalin nga Kosova në drejtim të Malit të Zi.

Siç thotë Lutfija, besohet që ky grup është ndaluar nga forcat serbe në fshatin Dren, në komunën e Zubin Potokut. Që atëherë, atyre u është humbur çdo gjurmë.

“Në fillim e kemi kërkuar, sepse kemi shpresuar që është diku i gjallë. Mirëpo, duke kaluar vitet, i kemi humbur shpresat që ai është diku. Pas luftës na kanë thënë ‘jo, është këtu’, ‘jo, i kanë çuar në Zveçan’, jo, është në atë burg’... S’kemi lënë qytet pa i kërkuar listat. Ku thoshin se është ndonjë listë ku janë disa të burgosur në Serbi, se janë lista të fshehta, ne kemi shkuar. Sa e sa njerëz na janë lajmëruar dhe na kanë thënë ‘na jepni kaq të holla dhe ai do t’ju lajmërohet në telefon’, por ne nuk kemi rënë në ato gracka”, thotë Vokshi.

"Kur njeriu e humb anëtarin e familjes është shumë vështirë, por kur nuk di për fatin e tij, është edhe më vështirë", thotë biri i Ademit, Erblini, 30-vjeçar.

Adem Ademi, i lindur më 1948, ishte specialisti kirurgjisë abdominale dhe punonte në spitalin e Mitrovicës deri në vitin 1989, kur edhe u dëbua dhunshëm nga puna. Më pas, ai punoi privatisht, ndërkaq që në vitin 1998 u angazhua për mjekimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin plagosur në përplasjet me forcat serbe.

Pas paralajmërimeve që mund të arrestohej nga forcat serbe, gjatë bombardimeve të forcave të NATO-s mbi caqet serbe, në vitin 1999 ishte detyruar ta braktiste Mitrovicën dhe të shkonte në Skënderaj, prej ku edhe ishte nisur për në Mal të Zi. Ademi kishte lënë në shtëpi bashkëshorten dhe të birin, ndërkohë që dy fëmijë jetonin në Angli.

Të premten, më 30 gusht, Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve u shënua edhe në Kosovë.​

Marsh për të pagjeturit
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:29 0:00

Motra e Ademit, Lutfije Vokshi, tregon që edhe nëna e tyre kishte vdekur me mallin e të birit, duke e pritur atë që të kthehej.

“Nëna Hajrije ka vdekur duke pritur ‘po kthehet sot, po kthehet nesër’... Çdo herë i thoshim që ai do të kthehet, sepse është diku. Pak para se të vdiste na tha ‘unë e kam ditë se gjithmonë më keni mashtruar’. Mirëpo, nuk ka dashur që t’ia shuaj vetes shpresat dhe të na thotë se nuk na beson. Ne çdo herë kemi shpresuar, sepse të gjithë na thoshin ‘jo, është në atë burg’, ‘jo, është në këtë burg’. Atëherë kur i liruan të gjithë të burgosurit, e pamë që nuk është askund”, rrëfen Vokshi.

Erblin Ademi me babain e tij Adem Ademi
Erblin Ademi me babain e tij Adem Ademi

Erblini rrëfen që nëna e tij, Zyhra Ademi, ka bërë përpjekje maksimale për të gjetur Ademin.

"Ka shkuar në disa burgje të Serbisë me një organizatë për ta kërkuar. Pas disa viteve ka dalë edhe në vendin e ngjarjes në fshatin Dren, ku besohet se grupi është zënë me disa dëshmitarë të KFOR-it. E di që ka qenë afër për ta gjetur vendin ku janë vrarë, sipas dëshmitarëve, por më vonë edhe asaj i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe çështja ka mbetur si në mes.

"Ajo të gjitha këto i ka bërë vetë, nuk ka pasur as ndihmën e shtetit as te askujt. Me vetiniciativë. Vetë ka qenë prokurore e shtetit. Ndihma e shtetit për familjen tonë ka qenë zero, dhe vazhdon të jetë", ka thënë Erblini, i cili ndërkohë e ka humbur edhe nënën nga sëmundja.

Me lot në sy, Lutfija shpjegon që me vuajtje dhe dhimbje kanë kaluar ditët dhe vitet e tëra, e jo vetëm përvjetorët që shënojnë Ditën e të Pagjeturve. Një jetë e tillë, siç thotë ajo, është e vështirë.

“Tash, kur vjen përvjetori, nuk ke përgjigje prej askujt, asgjë. Çdo herë marr pjesë, në çdo takim, për arsye që nëse nuk shkoj, mua më duket që po më thotë (i vëllai) sigurisht ‘nuk po interesohesh për mua’ ose sikur më thotë ‘nuk po dëshiron t’më gjesh’”, shprehet Vokshi.

Ajo shton se nga grupi, në të cilin ka qenë edhe vëllai i saj në ditën që ka humbur pa gjurmë, ka pasur edhe persona që kanë mbijetuar, por që ata nuk kanë shumë informata.

Sa persona janë vrarë në luftën e Kosovës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Sipas saj, Qeveria e Kosovës po bën shumë pak për ndriçimin e fatit të të pagjeturve, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare edhe më pak.

“Qindra herë është thënë që gjatë bisedimeve me Serbinë të vihet kusht çështja e të pagjeturve. Na nuk e dimë, por Serbia i ka të gjitha listat se ku dhe çka ka bërë, si dhe kush e ku është varrosur. Ajo i ka bërë të gjitha, për shkak se përderisa i ka marrë kufomat nga këtu dhe i ka dërguar në Serbi, i ka bërë të gjitha këto vetëm për të humbur gjurmën e asaj që ka ndodhur me Kosovën. Ata i dinë të gjitha ato. Derisa nuk do të ketë presion Serbia, kurrë nuk ka për të dhënë shënime të sakta se ku janë njerëzit tanë. Por, e lus qeverinë tonë që të bëjë presion”, thotë Vokshi.

Siç thekson ajo, familja e saj e ka dokumentin e shoqatës “Zëri i prindërve” nga Mitrovica, që grupin në të cilën ka qenë i vëllai i saj, e ka zbuluar ushtria serbe dhe se dihet lokacioni i saktë se ku është zhdukur ai grup, por që asgjë nuk është bërë dhe nuk po bëhet lidhur me këtë çështje, me arsyetimin e zyrtarëve kompetentë se tashmë kanë kaluar shumë vite dhe se mali tashmë është shumë i dendur si dhe vendi i ngjarjes.

“Bëhet fjalë për shpirtra, për njerëz, Kjo nuk mund të jetë arsye. Çfarë do të thonë gjeneratat e ardhshme nëse ne u themi që vendngjarjet janë vjetruar. Gjërat nuk duhet të harrohen. Në rast se harrohet e kaluara, nuk do të kemi të ardhme kurrë”.

“Është shumë e rëndë. Plagët i kemi të hapura. Këtu nuk ka asgjë të përfunduar, të përfunduar krejtësisht. Gjithçka është e hapur për mua. Derisa nuk e gjejmë dhe nuk ia dimë një varr, që për një festë, ditëlindje, një Bajram, t’ia dërgoj një lule dhe ta di se te kush po shkoj, për mua nuk ka liri. Për mua është gjysmake kjo që ka ndodhur deri më tash”, u shpreh Vokshi.

Erblin Ademi ka trashëguar profesionin e babait të tij si kirurg abdominal.
Erblin Ademi ka trashëguar profesionin e babait të tij si kirurg abdominal.


Ndërkohë Erblini, i cili i përcolli hapat e babait të tij dhe sot është në specializim në kirurgji të përgjithshme abdominale, shpreson që institucionet tash e tutje do të bëjnë më shumë për zbardhjen e rasteve të të pagjeturve "e jo vetëm me deklarata televizive".

Kushtrim Gara, shef i njësisë së veçantë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur për Kosovën ka dimension të veçantë, për faktin se ende mbetet enigmë vendndodhja e 1 mijë e 650 personave të pagjetur.

*Video nga arkivi: Rrëfimi i babait për djalin e zhdukur

Rrëfimi i babait për djalin e zhdukur
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:48 0:00

Sipas tij, çështja e personave të pagjetur mbetet prioritet për institucionet e Kosovës. Megjithatë, sipas tij, ato përballen me dy sfida, çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuara, si dhe me mungesën e informacioneve të besueshme.

“Në rastin e mungesës së informacioneve të besueshme, kjo çështje ndërlidhet edhe me mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm të institucioneve apo autoriteteve të Serbisë. Presim dhe i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar për ushtrimin e trysnisë te këto autoritete, tek institucionet e Serbisë, për të ofruar informacionet për qytetarët tanë të zhdukur gjatë luftës, përkatësisht për fatin dhe vendndodhjen e tyre".

"Në të njëjtën kohë, është punë e vazhdueshme përpjekja e përbashkët, në këtë rast edhe me shoqatat e familjarëve, si përfaqësues të drejtpërdrejtë të familjeve të personave të pagjetur, por edhe me partnerët ndërkombëtarë që janë pjesë e këtij procesi, që të gjitha aktivitetet që janë të mundshme për t’u realizuar brenda kompetencave, brenda përgjegjësive dhe brenda territorit të republikës së Kosovës, të adresohen dhe të trajtohen si çështje me prioritet të veçantë”, thekson Gara.

Ai shton se gjatë këtij viti, është gërmuar në të paktën 20 lokacione të dyshuara si varreza masive në Kosovë. Por, sipas tij, shqetësues mbetet fakti se nga ky numër i gërmimeve, është numër i paktë që rezulton me gjetje.

*Video nga arikivi: Pritja ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit

Pritja ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:17 0:00

Ndërsa, edhe më shqetësues, siç ka theksuar ai, është fakti se që nga viti 2015, pala serbe në territorin e saj ka proceduar me vetëm një lokacion të dyshuar si varrezë masive. Sipas tij, zbardhja e fatit të personave të pagjetur është çështje humane, por është politizuar dhe keqpërdorur nga politika.

“Politika mund të jetë shtytëse e zgjidhjes së kësaj problematike, por gjithsesi duhet të ruhet nga politizimi i mundshëm i kësaj çështjeje”, thekson Gara.

Në korrik të vitit 2018, në Samitin Londrës, në deklaratën e nënshkruar nga kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse, një nga pikat kyçe brenda saj, ishte zotimi i kryeministrave që të bëhen përpjekje që çështja e personave të pagjetur të mos politizohet, por të punohet në përputhje me obligimet ligjore dhe të konventave ndërkombëtare, në mënyrë që familjarët e personave të pagjetur të mësojnë për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Sidoqoftë, përfundimi i luftës në Kosovë, në vitin 1999, rezultoi me evidentimin e 6 mijë e 50 personave të pagjetur.

Rreth 70 për qind të këtyre personave, tashmë janë gjetur në varrezat masive në Kosovë dhe Serbi, ndërkaq që fati dhe vendndodhja edhe e 1 mijë e 650 personave të tjerë, mbeten të pandriçuara.

XS
SM
MD
LG