Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e planifikuar të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha këshilltari i tij politik Klisman Kadiu për Radion Evropa e Lirë.
Edhe pse nga Bashkimi Evropian (BE) kanë thënë se synohet që nesër delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një gjë të tillë nuk kanë mundur ta konfirmojnë sot në Bruksel.
Një burim i BE-së ka thënë se “kjo do të varet dhe nga vullneti dhe gatishmëria e palëve, më saktësisht nga kryenegociatorët“, ndërsa BE-ja “gjithsesi ka synim që të ketë edhe takim trepalësh”.
Kadiu tha të martën në mëngjes për Radion Evropa e Lirë: “Mund të konfirmoj nga ana jonë, zëvendëskryeministri Bislimi nesër do të jetë në Bruksel”.
Deri me tash ka ndodhur shpesh që në takimet e dialogut të ketë vetëm takime dypalëshe mes përfaqësuesve të BE-së me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë veç e veç, ndërsa palët kanë refuzuar disa herë që të ketë takime të përbashkëta.
Kështu kishte ndodhur edhe herën e fundit kur në Bruksel ishin Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq. Ata patën takime të ndara me Përfaqësuesin e lartë të BE-së Josep Borrell por jo edhe mes vete.
Ndërkohë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi më herët gjatë ditës se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do t'i presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.
“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, tha Stano.
Takimi në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t'i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të "finalizohen brenda një periudhe dyjavore".
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.
Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.
Për shkak të mosdëgjimit të këshillave të faktorit ndërkombëtar për dhënie fund të krizës, Kosova është përballur me masa ndëshkuese nga BE-ja.
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.