Ndërlidhjet

Prokurori i GJNP-së thotë se do të hetojë talibanët dhe IS-in


Vahdat, një ushtar taliban dhe ish i burgosur, qëndon ulur në një helikopter ushtarak në Bazën Ajrore Bagram në Parvan, Afganistan, 23 shtator 2021.
Vahdat, një ushtar taliban dhe ish i burgosur, qëndon ulur në një helikopter ushtarak në Bazën Ajrore Bagram në Parvan, Afganistan, 23 shtator 2021.

Gjykata Penale Ndërkombëtare është vënë në lëvizje për të hetuar krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit në Afganistan, të cilat do të fokusohen në veprimet e talibanëve dhe pjesëtarëve lokalë të grupit ekstremist të Shtetit Islamik.

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJNP) tha se ka kërkuar një autorizim urgjent për të rifilluar hetimet.

Në kërkesën e kryeprokurorit, Karim Khan, drejtuar gjyqtarëve, citohen shqetësimet se Afganistani nuk mund të kryejë hetime në mënyrë të pavarur.

Prandaj, prokurori kërkoi autorizim për hetime pas zhvillimeve të muajit gusht kur talibanët morën pushtetin në Afganistan dhe qeveria e përkrahur nga Perëndimi u rrëzua.

Gjyqtarët në GJNP në muajin mars të vitit 2020 kishin autorizuar një hetim nga paraardhësja e Khanit, prokurorja Fatou Bensouda. Mirëpo, me kërkesë të qeverisë së asaj kohe, hetimi ishte ndalur pasi autoritetet lokale po hetonin pretendimet për krime lufte.

Hetimi mbuloi veprat penale të supozuara të kryera nga trupat e Qeverisë afgane, talibanët dhe forcat amerikane, që datojnë që nga viti 2002.

Vendimi për të hetuar amerikanët bëri që administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump të vendosë sanksione ndaj prokurores Bensouda.

Ajo u largua nga detyra, gjatë verës, pasi po i vinte fundi i mandatit nëntëvjeçar.

GJNP kishte kaluar tashmë 15 vjet duke shqyrtuar akuzat për krime lufte në Afganistan.

Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në GJNP.

Khan, i cili u betua si kryeprokuror i ri në muajin qershor, tha se mundësia e hetimeve të vërteta dhe efektive nga autoritetet lokale nuk ka një perspektivë.

"Kontrolli de-fakto i territorit të Afganistanit nga talibanët paraqet një ndryshim thelbësor në rrethana për të rihapur hetimin”, tha ai.

"Prandaj, unë kam vendosur që t'i përqëndroj hetimet e zyrës sime në Afganistan në krimet e supozuara të kryera nga talibanët dhe Shteti Islamik-Provinca Khorasan (IS-K)", shtoi prokurori.

Aktivistja afgane për të drejtat e njeriut, Horia Mosadiq e quajti njoftimin "një fyerje për mijëra viktima të tjera të krimeve nga forcat qeveritare afgane dhe forcat e SHBA-së dhe NATO-s", transmeton Reuters.

GJNP me seli në Hagë është një gjykatë që ndërhyn vetëm kur një vend anëtar nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të ndjekë penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit ose gjenocidin.

"Ne jemi të kënaqur që GJNP-ja u jep përparësi burimeve për t'u përqëndruar në akuzat më të mëdha dhe krimet e tmerrshme", u tha gazetarëve zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jalina Porter.

Talibanët ende nuk e kanë komentuar njoftimin.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG