Ndërlidhjet

OKB-ja thotë se talibanët do të shpallin planin për shkollimin e vajzave


Disa vajza të shkollës fillore shihen brenda një klase në Kabul.
Disa vajza të shkollës fillore shihen brenda një klase në Kabul.

Talibanët do të shpallin një plan kornizë përmes së cilit do t’iu mundësohet vajzave të ndjekin shkollimin e mesëm në të gjithë Afganistanin, tha një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara.

Kjo, sipas këtij zyrtari, pritet të ndodhë “shumë shpejt”.

"Ministri ‘de facto’ i arsimit na tha se ata po punojnë në një kornizë, të cilën do ta shpallin së shpejti, që do t'i lejojë të gjitha vajzat të shkojnë në shkollë të mesme, dhe ne presim që kjo të ndodhë shumë shpejt", tha zëvëndësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, Omar Abdi.

Ka disa javë që talibanët kanë thënë se do t'i lejojnë vajzat të kthehen në shkollë sa më shpejt të jetë e mundur.

Grupi islamik, i njohur për sundimin e tij brutal dhe shtypës nga viti 1996 deri në 2001, është përballur me zemërim ndërkombëtar pasi përjashtoi gratë dhe vajzat nga shkollat dhe puna në të gjithë vendin, si pjesë e një reduktimi të lirive të afganëve në mënyrë graduale.

Në fund të muajit gusht talibanët morën kontrollin e Afganistanit pas rreth 20 vjetësh të pranisë ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Talibanët i lejuan vajzat të ndiqnin shkollën fillore, por për shkollimin e mesëm thanë se mund të ndodhë vetëm pasi siguria e vajzave dhe ndarja e rreptë gjinore në klasa të mund të sigurohet përmes interpretimit të ligjit islamik të sheriatit.

Zyrtari i UNICEF-it tha se "për të 27-ën ditë rradhazi miliona vajza të moshës së shkollës së mesme po humbin të drejtën e arsimit".

Ai tha se kishte vizituar Afganistanin një javë më parë dhe ishte takuar me autoritetet talibane.

"Në të gjitha takimet e mia, edukimi i vajzave ishte çështja kryesore që ngrita", tha ai.

Sa i takon shkollimit të mesëm, ai tha se vajzat lejoheshin të vazhdojnë këtë nivel shkollimi "vetëm në pesë provinca", por shtoi se OKB -ja po bën presion që kjo e drejtë të zbatohet në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG