Disa fotografi të publikuara nga një punishte në rajonin ukrainas të Zaporizhjas, tani kryesisht nën kontrollin e ushtrisë ruse, ofrojnë më shumë hollësi për tanket me gjemba, si dhe transformimin e mbrojtjes kundër dronëve në Ukrainë.
Fotografitë, të publikuara më 22 janar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, shpërfaqin sasi të mëdha kabllosh çeliku të prera, të cilat mekanikët rusë i inkuadrojnë në tanket ruse.
Yevhen, operator i dronëve ukrainas, i cili ndodhet aktualisht në rajonin e Donbasit dhe e përdor nofkën “Krym”, shpjegoi përmes një mesazh zanor të nisur më 26 janar se pjesët e mprehta të armaturës mund t’i devijojnë dronët që godasin mjetin dhe i kthejnë në një drejtim tjetër në momentin e përplasjes.
"Kur një dron synon tanken, ka shumë mundësi të mos e arrijë objektivin", tregoi Yevhen. Sipas tij, sulmi është më efektiv kur e godet armaturën direkt, dhe jo nga këndi.
Për më tepër, Yevhen, i cili ka luftuar në anën e Ukrainës që nga viti 2022, tregon se kur një dron godet armaturën në majë, gjithçka shpërthen "në një distancë [nga trupi i tankes], prandaj ngarkesa e formësuar e humbë efektin".
Ekzistojnë edhe versione të tjera të armaturave që i bëjnë tanket të duken nga jashtë si iriqë. Njëri model sikurse ky në fotografinë më poshtë, u kap nga Brigada e 92-të Sulmuese e Ukrainës në janar.
Yevhen thotë tanket e dendura me armaturë "kanë detyrë të dyfishtë: mbrojnë pajisjen nga goditjet e dronëve FPV dhe sigurojnë kamuflazh të shkëlqyer" nga pilotët e dronëve zbulues që gjurmojnë forma të krijuara nga dora e njeriut.
Por, thuhet se dendësia e madhe i ka të metat e veta, pasi e bën tanken shumë të rëndë. Një ushtar rus i tha një gazetari se një tanke e tillë "nuk ia doli t'i kalonte as 10 kilometra para se një nga [komponentët e sistemit të transmisionit] të dështonte".
Fotografitë e janarit në punishte tregojnë automjete të pajisura me armaturë, që është më pak e dendur sesa versionet e mëparshme.
Tanket e mbuluara me armaturë janë të pranishme në të dyja anët e konfliktit në Ukrainë.