Ndërlidhjet

Të ardhurat e deklaruara dhe të padeklaruara të zyrtarëve të Listës Serbe


Zyrtarët e Listës Serbe, së bashku me Goran Rakiqit duke shkuar së bashku në qendra të votimit. 21 qershor, 2020.
Zyrtarët e Listës Serbe, së bashku me Goran Rakiqit duke shkuar së bashku në qendra të votimit. 21 qershor, 2020.

Shumica e zyrtarëve nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, kanë së paku një vend pune në sistemin e Kosovës dhe atë të Serbisë, prandaj kanë edhe paga të dyfishta. Megjithatë, jo për të gjitha pagat që marrin nga buxheti i Serbisë, i raportojnë në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës, ndërkaq, as të ardhurat që marrin nga postet që mbajnë në institucionet e Kosovës, nuk i deklarojnë në Agjencinë serbe Kundër Korrupsionit. Zyrtarët janë të detyruar me ligj që të deklarojnë të gjitha të ardhurat e tyre në të dyja këto agjenci, por shumica nga ta e bëjnë këtë në mënyrë selektive.

Në muajin prill të vitit 2021, kryetari i Listës Serbe, Goran Gakiq, raportoi në Agjencinë kosovare Kundër Korrupsionit të ardhurat e fituara vitin e kaluar. Ai deklaroi pagë prej rreth 1.000 eurosh si zëvendëskryeministër në Qeverinë e kaluar të Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, por në këtë agjenci ai nuk ka raportuar të ardhurat që merr nga puna në sistemin serb.

Rakiq nuk ka deklaruar në agjencinë e Kosovës se mban dy funksione brenda sistemit serb, përkatësisht atë të drejtorit të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Mitrovicë të Veriut “Standard” si dhe që mban postin e asistentit në Shkollën e lartë ekonomike në Pejë, që funksionon në kuadër të sistemit serb. Kjo shkollë është zhvendosur në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Për këto dy poste, Rakiq ka marrë pagë prej rreth 750 eurosh.

Rakiq po ashtu nuk i ka deklaruar në agjencinë serbe të ardhurat që merr nga institucionet e Kosovës.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ku Albin Kurti u zgjodh kryeministër, Rakiq u emërua në Qeverinë Kurti ministër për Kthim dhe Komunitete.

Zyrtarët të tjerë nga Lista Serbe po ashtu kanë funksione dhe paga të dyfishta.

Igor Simiq, nënkryetari i Listës Serbe, është deputet i Kuvendit të Kosovës. Në deklarimin e pasurisë pranë Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, vitin e kaluar, Simiq raportoi se merr pagë nga kuvendi prej rreth 2.000 eurosh në muaj. Për dallim nga Rakiqi, ai raportoi po ashtu edhe të ardhurat që ka nga pozitat që mban në sistemin serb, siç është puna në Sigurimin Pensional të Serbisë, ku ka deklaruar se merr rreth 5.000 euro në vit. Ai po ashtu ka deklaruar se merr një pagë prej 7.000 euro në vit nga Fakultetit Ekonomik në Mitrovicën e Veriut.

Ndërkaq, sipas të dhënave publike të Agjencisë serbe për Parandalimin e Korrupsionit, thuhet se Igor Simiq është po ashtu kryetar i Bordit të Rrjetit Most (rrjeti i mediave në gjuhën serbe në Kosovë), prej nga ai marrë të ardhura dy herë në vlerë prej 420 eurosh.

Simiq nuk ka deklaruar në agjencinë serbe të ardhurat që i fiton nga postet që mban në institucionet e Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka deklaruar në Kosovë të ardhurat që merr nga institucionet e Kosovës dhe ato serbe, në të cilat është kreu i “qarkut të Mitrovicës”. Vitin e kaluar, Simiq ka deklaruar se ka fituar rreth 30.000 euro si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe rreth 8.000 euro si kryetar i qarkut të Mitrovicës.

Megjithatë, ai nuk i deklaroi në agjencinë serbe të ardhurat që fiton nga postet që mban në institucionet e Kosovës.

Edhe pse zyrtarët e tjerë të Listës Serbe mbajnë poste të dyfishta, që gjë vërehet lehtësisht edhe në faqet e internetit të institucioneve apo kompanive, emrat e tyre nuk figurojnë në data-bazën e të dhënave publike të Agjencisë serbe për Parandalimin e Korrupsionit.

Për shembull, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, është kryetar i Organit të përkohshëm komunal në Zveçan, që është në kuadër të sistemit serb.

Deputeti Ljubinko Karaxhiq është kryetar i Autoritetit të përkohshëm komunal të Prishtinës. Edhe Zoran Mojsiloviq është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe gjithashtu mban postin e drejtorit të qendrës sportive në Mitrovicë të Veriut dhe asistent në Fakultetin e Sportit dhe Edukatës Fizike në Leposaviq. Verica Qeraniq është deputete e Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu është e punësuar si ekonomiste në Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

Situatë e ngjashme është edhe me kryetarët e komunave në Kosovë. Bratisllav Nikolliq është kryetar i Shtërpcës sipas sistemit të Kosovës dhe koordinator i Organit të përkohshëm komunal të Shtërpcës sipas sistemit serb. Zoran Todiq është kryetar i Leposaviqit sipas sistemit të Kosovës dhe të njëjtin post mban edhe sipas sistemit serb.

Milan Radojeviq është kryetar i Mitrovicës së Veriut, që merr rrogë nga buxheti i Kosovës, por është edhe drejtor i Fondit për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicë të Veriut.

Emini: Funksionet dhe pagat e dyfishta, si pasojë e mosbashkëpunimit

Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini tha për Radion Evropa e Lirë se pagat e dyfishta të zyrtarëve të Listës Serbe, në fakt janë rezultat i mungesës së bashkëpunimit midis Agjencisë kosovare dhe asaj serbe Kundër Korrupsionit dhe shtoi se të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë “fenomen”.

Ajo tha se beson që kjo çështje është e natyrës politike dhe se të dyja palët thjesht po i mbyllin sytë para fatit që zyrtarët e Listës Serbe nuk i raportojnë të gjitha të ardhurat e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës dhe Serbisë.

“E gjithë kjo po ndodh për arsye politike. Serbia dëshiron të ruajë ndikimin e saj në veri të Kosovës dhe Kosova dëshpërimisht dëshiron që të integrojë banorët që jetojnë në veri, të paktën në letër. Kjo është e qartë, nuk është asgjë e re, ka ndodhur edhe më herët. Të dy agjencitë (për luftën kundër korrupsionit) dinë për të (të ardhurat e dyfishta), të dy qeveritë e dinë po ashtu, por askush nuk mund ta dokumentojë apo sanksionojë (zyrtarët) sepse të dyja palët nuk bashkëpunojnë”, tha Emini.

Sipas Eminit, lehtësisht mund të vije deri te kriminalizimi në një fushë për shkak të “zbrazëtirave ligjore”, sepse zbrazëtira të tilla ka në ligjet e Kosovës dhe ato të Serbisë, gjë që sipas saj, sërish është pasojë e mosbashkëpunimit mes palëve.

Mandati dhe puna e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, për Donika Eminin, është disi konfuz kur bëhet fjalë për kontrollimin e zyrtarëve nga komuniteti shumicë shqiptar, dhe ajo thekson se kontrollimi i të ardhurave dhe posteve që mbajnë serbët, është çështje edhe më e ndjeshme.

“Siç thashë, integrimi i serbëve në Kosovë është i rëndësishëm dhe kjo reflektohet në atë sesa prej tyre janë pjesë e sistemit të Kosovës dhe nëse diçka bëhet kundër integrimit, mund të ketë një përshkallëzim, madje kjo çështje mund të ngrihet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Emini.

Miniq: Lista Serbe shfrytëzon një vakuum politik

Zllatko Miniq, bashkëpunëtor në organizatën “Transparenca Serbia”, tha për Radion Evropa e Lirë se postet dhe pagat e dyfishta të zyrtarëve të Listës Serbe janë më shumë çështje politike sesa çështje ligjore. Ai shpjegoi se bazuar në Ligjin serb për parandalimin e korrupsionit, të dhënat publike që merren nga burime publike përfaqësojnë “gjithçka që përfitohet nga shteti nga të gjitha nivelet – nga institucionet, kompanitë shtetërore etj”.

“Pra, ka mundësi që ata (zyrtarët e Listës Serbe) të raportojnë të ardhura të tjera, por ne nuk i shohim sepse nuk i trajtojnë si të burime publike. Nga ana tjetër, është çështje politike, sepse nëse këta zyrtarë të Listës Serbe konsiderojnë se janë disa institucione të përkohshme dhe se janë praktikisht pjesë e shtetit të Serbisë, atëherë ata duhet t’i trajtojnë ato të ardhura si të ardhura nga institucionet e shtetit të Serbisë. Atëherë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndoshta duhet t'i trajtojë edhe në këtë mënyrë”, tha Miniq.

Sipas tij, zyrtarët e Listës Serbe dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi duhet të japin një përgjigje për deklarimin e pasurisë,por edhe të përgjigjen nëse e i trajtojnë këto të ardhura si të ardhura nga burimet publike të Serbisë ose jo.

Ai shtoi se në rastin e posteve dhe pagave të dyfishta të zyrtarëve të Listës Serbe përdoret vakuumi politik që ekziston midis Kosovës dhe Serbisë, pasi veç tjerash, agjencitë kundër korrupsionit të të dyja shteteve nuk bashkëpunojnë.

“Ata janë të ulur në dy karrige dhe nuk është diçka e re. Është diçka që e dimë për një kohë të gjatë. Në njërën anë, propagandohet se nuk ka shtet të Kosovës, dhe në anën tjetër, përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë në Beograd dhe ata në Kosovë ulen në ato institucione, negociojnë me njerëzit që udhëheqin ato institucione, respektojnë ligjet dhe përmbushni detyrimet e përcaktuara me ato ligje”, theksoi ai.

Ai përsërit se kjo çështje është më shumë politike sesa ligjore ose i takon fushës kundër korrupsionit, duke shtuar se nuk është i sigurt nëse një veprim i tillë mund të sanksionohet.

Miniq tha se shtrohet pyetja se në çfarë mënyre mund të trajtohet çështja e pagave të dyfishta në Serbi, duke pasuar parasysh fatin që Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën si shtet, që sipas tij, praktikisht, nuk mund ta trajtojë këtë çështje si ushtrim të funksioneve publike.

“Nuk mund t’i trajtojmë këto vende pune si punë në organet e shtetit të Serbisë, sepse ai vend pune praktikisht nuk ekziston në regjistrin e funksioneve publike të shtetit të Serbisë”, tha Miniq dhe shtoi se për shkak të vakuumit politik, zyrtarët kanë përfituar paga të dyfishta për dekada të tëra.

Cilëve zyrtarë të Listës Serbe iu tërhoq vërejtja nga Agjencia serbe për Parandalimin e Korrupsionit?

Në mesin e muajit korrik, Agjencia serbe për Parandalimin e Korrupsionit ia tërhoqi vërejtjen Goran Rakiqit, kreut të Listës Serbe dhe drejtorit të ndërmarrjes “Standard” për mosdeklarim të pasurisë për vite me radhë. Përveç Rakiqit, edhe katër zyrtarë të tjerë janë përfshirë në këtë masë.

Tërheqja e vërejtjes, është masa më e butë që kjo agjenci mund t’iu japë zyrtarëve. Sipas portalit Qendra për Gazetari Hulumtuese në Serbi (CINS), përveç Rakiqit, kjo masë i është shqiptua edhe presidentit të Autoritetit të Përkohshëm të “qarkut të Mitrovicës”, Aleksandar Spiriq dhe drejtorit të ndërmarrjes së ujësjellësit “Ibër”, Miodrag Raliq. E njëjta masë iu shqiptua edhe dekanit të Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në Leposaviq, Veroljub Stankovi dhe drejtorit të shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicë, Millorad Jovanoviq.

Ndërkaq, procesi ligjor ndaj ish-drejtorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Millan Ivanoviq ende nuk ka përfunduar.

Lista Serbe nuk komenton për funksionet dhe pagat e dyfishta

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Listës Serbe për të komentuar për pagat dhe funksionet e dyfishta të zyrtarëve të kësaj partie, por edhe për të komentuar protestën e banorëve serbë në Vërboc. Po ashtu, nga kjo parti u pyet se pse nuk e deklarojnë të gjitha të ardhurat në Agjencinë Kundër Korrupsionit të Kosovës dhe Serbisë.

Deri në publikimin e këtij teksti, Lista Serbe nuk ka kthyer përgjigje dhe Igor Simiq, që është përgjegjës për media në këtë parti, po ashtu nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe as mesazheve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë.

Agjencitë të Kosovës dhe Serbisë, të heshtura

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Agjencinë kosovare Kundër Korrupsionit në lidhje me funksionet dhe rrogat e dyfishta të zyrtarëve të Listës Serbe. Kjo agjenci kërkoi që pyetjet të dërgoheshin me shkrim, duke shtuar se do t’iu përgjigjeshin të njëjtave.

Radio Evropa e Lirë po ashtu ka pyetur këtë agjenci nëse ka informacione që zyrtarët e Listës Serbe nuk i raportojnë të gjitha të ardhurat të tyre, përfshirë ato që i marrin nga postet të mbajnë në sistemin serb, dhe se a mund të sanksionohen të njëjtit nëse nuk i deklarojnë këto të ardhura. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nga ky institucion kundër korrupsionit, nuk kanë kthyer përgjigje.

Gjithashtu Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi, por as nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Serbët protestojnë kundër pagave të dyfishta

Në fillim të gushtit, qytetarët serbë nisën një protestë pranë Organit të përkohshëm komunal të Vitisë, që funksionon në kuadër të sistemit serb.

Banorët e Vërbocit, që sipas sistemit serb i përket Komunës së Vitisë dhe sipas atij të Kosovës, i përket Komunës së Kllokotit, thonë se në institucionet e Kosovës dhe ato serbe, punësohet njerëzit që jetojnë në Serbi dhe jo në Kosovë, si dhe të punësuarit që marrin rroga të larta nuk paraqiten në punë dhe se ka nga ata që kanë paga të dyfishta.

“Ata marrin rroga të dyfishta dhe unë nuk kam asnjë rrogë. Për 20 vjet, askush nuk dëshiron që të ndihmojë këta njerëz”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë më 6 gusht, Dejan Rakiq, një prej organizatorëve të protestës në Vërboc.

Rakiq dhe banorët e tjerë nga Vërboci, që ende po protestojnë, po kërkojnë largimin e kryetarit të Organit të përkohshëm komunal të Vitisë, Sërxhan Nikolliq. Po ashtu ata po kërkojnë që të bisedojnë edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të cilit duan t’ia shpjegojnë “se çfarë po ndodh në Kosovë”.

Kush fshihet pas Listës Serbe?

Lista Serbe u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Që atëherë, ajo ka qenë partia kryesore e serbëve në Kosovë, duke fituar rreth 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lista Serbe fitoi të dhjetë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës, që janë të rezervuara për pjesëtarët e komunitetit serb. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ia dha një ministri Listës Serbe (Ministrinë për Kthim dhe Komunitete). Për këtë arsye, Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke thënë se asaj i takojnë të udhëheqë dy ministri.

Kushtetuta e Kosovës parasheh që një ministri t’i takojë komunitetit serb dhe një për komunitetet tjera joshumicë. Nëse qeveria ka më shumë se 12 ministri,siç ishte edhe në këtë rast, Kushtetuta thotë se një ministri e tretë duhet t’i jepet në udhëheqje një prej komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Gjithashtu, të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë udhëhiqen nga Lista Serbe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG