Ndërlidhjet

Udhëheqësit serbë me paga të dyfishta


Fotografi ilustruese.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 11 vjet më parë, në vend ende vazhdojnë të ekzistojnë struktura komunale ose “organe të përkohshme”, të cilat punojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë. Kryetarët e atyre organeve dhe katër anëtarë të tjerë i emëron Qeveria e Serbisë, ndërkaq që në mjaft raste, të njëjtit i kryejnë funksionet edhe në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës dhe marrin paga të dyfishta.

“Organi i përkohshëm i Komunës së Prishtinës” me seli në Graçanicë.
“Organi i përkohshëm i Komunës së Prishtinës” me seli në Graçanicë.

Graçanica është komunë me shumicë serbe, e cila është formuar përmes procesit të decentralizimit në Kosovë. Por, rreth 200 metra nga ndërtesa e kësaj komune, e cila punon sipas sistemit të Kosovës, gjendet “organi i përkohshëm i Komunës së Prishtinës” me seli në Graçanicë, i cili punon sipas sistemit të Serbisë.

Ngjashëm është edhe në komunat tjera. “Organi i përkohshëm” serb për qytetin e Pejës është vendosur në Gorazhdevc, për qytetin e Vushtrrisë është vendosur në Prilluzhë, për Obiliqin në Plemetin, për Fushë Kosovën në Uglarë. “Organe të përkohshme” të ngjashme janë edhe për Gjakovën, Gjilanin, Rahovecin, Kamenicën etj. I gjithë personeli i këtyre “organeve” paguhet nga Serbia.

Situata është e ngjashme edhe në veri të Kosovës. Në Mitrovicën Veriore funksionon komuna sipas sistemit të Kosovës dhe “organi i përkohshëm i Mitrovicës së Kosovës”. Situatë e njëjtë është edhe në Leposaviq, Zveçan dhe të tjera, ndërkaq që në disa raste i njëjti personel punon edhe për komunën sipas sistemit të Kosovës, por edhe në organet që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Për shembull, Bratislav Nikoliq është kryetar i Komunës së Shtërpcës, sipas sistemit të Kosovës, por edhe sipas sistemit të Serbisë.

Rasti i njëjtë është edhe me Svetislav Ivanoviqin në Komunën e Novobërdës dhe me Zoran Todiqin në Leposaviq.

Aleksandar Shpiriq është kryetar i “organit të përkohshëm të Mitrovicës së Kosovës”, por edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, në të cilën pozitë e ka emëruar kryetari i komunës, Goran Rakiq.

Bashkë me kryetarin dhe katër anëtarët e ‘organit të përkohshëm”serb, në kuadër të drejtorisë komunale janë edhe njësitë për drejtori të përgjithshme, veprimtarisë shoqërore, të çështjeve pronësore-juridike, inspektoratit të punës, për bujqësinë, urbanizmin, financat dhe të tjera.

Kryetari i Komunës serbe të Prishtinës, në Graçanicë, Ljubinko Karagjiq, më herët kishte ushtruar funksionin e nënkryetarit të Komunës së Graçanicës, sipas sistemit të Kosovës.

Ndërtesa e Komunës së Graçanicës që funksionon me sistemin e Kosovës.
Ndërtesa e Komunës së Graçanicës që funksionon me sistemin e Kosovës.

Kryetari i “organit të përkohshëm serb” në Zveçan, Ivan Todosijeviq, njëkohësisht është edhe ministër në dorëheqje i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.

Të gjithë këta, janë anëtar të Listës Serbe.

Në bazë të Ligjit për vetëqeverisjen lokale të Republikës së Serbisë, organi i përkohshëm i njësisë së vetëqeverisjes lokale e bartë kompetencën e Kuvendit dhe organeve ekzekutive të njësisë së vetëqeverisjes lokale “deri në konstituimin e kuvendit dhe zgjedhjes së organeve ekzekutive”.

Në një bisedë të shkurtër me Radion Evropa e Lirë, Svetislav Ivanoviq, kryetar i Komunës së Novobërdës, ka thënë se “organi i përkohshëm” serb në Novobërdë kryesisht merret me ato që vijnë përmes Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Rangjel Nojkiq, njohës i mirë i situatës në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se financimi i dyfishtë i individëve në gati se të gjitha komunat, është mjaft problematik.

“Gjithsesi që këtu ka mjaft hapësirë për manipulime, mashtrime dhe të tjera. Kjo nuk është asgjë e re, sepse ka ekzistuar edhe më herët. Në këtë situatë, sot askush nuk flet, të gjithë heshtin. Thjesht, është temë tabu dhe ju e dini mirë që Kuvendi i Serbisë, me formimin e komisioneve të caktuara ka verifikuar financimin dhe keqpërdorimin e mjeteve financiare nga ana e serbëve që janë në institucionet e Kosovës dhe kanë ardhur deri te rezultatet shkatërruese. Epilogu asnjëherë nuk është shikuar dhe as nuk janë proceduar ata që kanë keqpërdorur, kështu që vetëm se është vazhduar në këtë mënyrë”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës dhe institucionet serbe të vetëqeverisjes lokale janë administrata krejtësisht të ndara, por që pajtohen për projekte të caktuara, të cilat nganjëherë shkojnë në mënyrë paralele edhe përmes institucioneve të Kosovës, por edhe përmes atyre serbe, gjë që sjellë deri te mashtrimet.

Vet Nojkiq, disa vjet më parë kishte përfunduar në një gjykatë në Beograd, pikërisht pse kishte nxjerrë në opinion problemet e keqpërdorimeve. Siç ka theksuar ai, në dy procese i është dashur të argumentojë gjithçka për të cilat kishte folur, sepse kishin provuar që ta padisin për mashtrim të opinionit. Ai i ka argumentuar pohimet e veta, por më pas asgjë nuk kishte ndodhur.

“Sot askush nuk flet për këto dhe mundësitë e atyre mashtrimeve, mendoj që sot janë më të mëdha se sa që kanë qenë më herët”, tha Nojkiq.

Ai theksoi që organet lokale serbe edhe më tej ofrojnë shërbime të caktuara rreth shtesave për fëmijë, pensioneve dhe të tjera, por që, sipas tij, qëllimi kryesor i tyre është “shpenzimi i mjeteve financiare që vijnë nga Beogradi”.

Kosova i konsideron organet serbe në vend si organe paralele dhe jolegale. Lidhur me këtë ka pasur edhe diskutime gjatë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku edhe është arritur marrëveshja për integrimin e organeve serbe në institucionet e Kosovës. Kjo ka ndodhur me policinë dhe gjyqësorin , por jo edhe me vetëqeverisjen lokale.

Ish-ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, në një deklaratë për Radion Evropën e Lirë ka thënë që gjatë bisedimeve në Bruksel, jo vetëm që është diskutuar për shuarjen e strukturave paralele të mbetura të Serbisë në Kosovë, por është arritur edhe marrëveshja që tregon që në procesin e hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njëkohësisht duhet të vijë edhe deri te shuarja e të gjitha institucioneve dhe organeve serbe në Kosovë, përfshirë edhe organet e përkohshme komunale.

“Marrëveshja e tillë është arritur në Bruksel, por, sa po shohim, ky proces tash është bllokuar. Përndryshe, në momentin që ka nisur hartimi i statutit, në Bruksel është dashur që të formohet grupi për shuarjen e këtyre organeve, gjë nuk ka kam dëgjuar të ketë ndodhur”, theksoi Tahiri.

Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe as nga Qeveria e Kosovës, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë ndonjë deklaratë lidhur me funksionimin e organeve të përkohshme serbe në Kosovë.

Por, ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë që një nga qëllimet e dialogut të Brukselit ka qenë pikërisht shuarja e strukturave paralele serbe, gjë që, sipas tij, në një masë të caktuar edhe është arritur, sidomos pas formimit të komunave në veri të vendit, sipas sistemit të Kosovës.

Ai thekson që Qeveria e kaluar e Isa Mustafës, ka qenë e përkushtuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, të vitit 2013, e cila parasheh edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjë që pala serbe kishte refuzuar. Ai ka theksuar se që atëherë nuk ka pasur më përparim në dialog.

“Unë besoj që sa më shumë që të zgjasë kjo situatë, aq më shumë do të fillojnë të riinstalohen strukturat paralele serbe në Republikën e Kosovës. Kur them struktura paralele, mendoj për ato të dirigjuara nga Serbia. Kjo do të jetë e dëmshme, sepse ne kemi arritur deri në një shkallë dhe tash duket se kjo do të shënojë një prapakthim”, theksoi Gecaj.

Ai ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet ta gjejnë sa më parë një mënyrë për vazhdimin e dialogut, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet, pikërisht për shkak se institucionet paralele mundësojnë kriminalizimin e atyre institucioneve.

Sadri Ferati, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thotë se fakti që Kosova e toleron ekzistimin e strukturave paralele serbe, i jep më shanse më të mëdha për bashkëpunim në mënyrë që të mos ketë tensione.

“Mendoj që ato nuk do të duhej më të funksiononin, sepse kjo kushton dhe në vend se qytetarëve t’u ofrohet më shumë zgjedhje për zhvillim, paratë shkojnë vetëm për rroga. Kjo më së shumti i dëmton buxhetet që do të ishin më të dobishme për qytetarët”, theksoi Ferati.

Marrëveshja e Brukselit, e vitit 2013, parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, deri më tash kjo nuk ka ndodhur për shkak se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që principet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por që ato mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës, gjë që pala e Serbisë ka refuzuar.

Kontestuese janë pikërisht statusi i të punësuarve, shqetësimi sa i përket respektimit të shumëllojshmërisë së bashkësive të banorëve në komuna, kompetencat në fushën e ekonomisë lokale, arsimit, mbrojtjes shëndetësore parësore dhe dytësore, përkujdesjes sociale, si dhe zhvillimit urban dhe rural.

  • 16x9 Image

    Amra Zejneli-Loxha

    Ka lindur në Mitrovicë në vitin 1986. Studimet universitare i ka përfunduar në fushën e gazetarisë dhe të studimeve evropiane në Universitetin e Floridas në SHBA. Me gazetari ka nisur të merret nga viti 2001. Punon në transmetuesin publik – Radio Televizionin e Kosovës – si redaktore përgjegjëse në programin e gjuhëve të komuniteteve, ndërkaq Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG