Ndërlidhjet

Krasniqi-Goodman: Ku ishit ju, kur ne na dhunonin?


Krasniqi-Goodman bën thirrje për drejtësi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:51 0:00

Shoqëria kosovare po stigmatizon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, ka thënë Vasfije Krasniqi-Goodman, një prej të mbijetuarave të kësaj dhune të luftës së fundit në Kosovë, të viteve 1998-1999.

Të mbijetuarat, tha ajo, nga shteti kërkojnë drejtësi, kurse nga familjarët mbështetje. Këto komente, Krasniqi -Goodman i bëri në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë të organizuar për shënimin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kushtuar sensibilizimit të çështjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës se fundit në Kosovë.

Krasniqi-Goodman tha se edhe në ligjin e miratuar nga kuvendi, të dhunuarat quhen viktima, ndonëse kjo kategori bën pjesë në personat e mbijetuar të luftës. Ajo tha se kjo kategori e shoqërisë është lënduar edhe nga fjalimet e deputetëve nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

“Vendi ynë, shoqëria jonë ne na stigmatizon. Na bën që mos të ndihemi vajza, motra, gra, por edhe nëna të mira. Po ku ishit ju atëherë, para 21 vjetësh, a ishit në tavan, kur iu dhunua gruaja nëpër dhoma? Ku e morët guximin ju t’i braktisni gruan dhe fëmijët, ku ishin djemtë që e panë nënën duke e dhunuar, e përzunë nënën, kurse e mbajtën gruan në shtëpi sepse nuk e dinte se edhe gruan e kishte të dhunuar. Ku ishit ju, kur u dhunua Jeta shtatëvjeçare? E tash ju çka po bëni për të na lehtësuar ne jetën? Duhet t’iu vjen turp të gjithëve, të gjithë shoqërisë kosovare sepse po na viktimizoni për çdo ditë”, tha ajo.

Krasniqi-Goodman ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të merret seriozisht trajtimi i kësaj kategoria dhe të dënohen kryesit e veprave.

“Duhet të ndryshoni sepse ka ardhur fundi. Qe 20 vjet, mjaft kemi duruar, por më nuk mund t’ua falim atë që na keni bërë, të durojmë për dy dekada. Në fund i lus të gjithë deputetët, institucionet e Kosovës që krimet e luftës dhe dënimet të merren me seriozitet. Që 20 vjet asnjë person nuk është ndëshkuar për këto krime”, tha Krasniqi-Goodman.

Vasfije Krasniqi-Goodman, në vitin 2018, ka rrëfyer publikisht historinë e saj në Kosovë, që i kishte ndodhur 19 vjet më parë. Ajo ka rrëfyer për historinë e saj edhe në një seancë të mbajtur në vitin 2019 në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara, me temën: ”Viktimat e luftës në Kosovë”.

Mbi 1226 persona kërkojnë t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës

Për të lehtësuar sadopak gjendjen e kësaj kategorie, në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’iu njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.

Kurse në vitin 2018, është formuar edhe Komisioni qeveritar për verifikimin dhe pranimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Që nga kjo periudhë, më shumë se 1226 persona kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit, 785 persona e kanë pranuar statusin e viktimave, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Labinot Bala, anëtar i këtij Komisioni, duke shtuar se 237 aplikacione janë refuzuar.

Statusi i viktimës së dhunës seksuale, i është njohur Pranverës nga Gjakova, 19 vjet pasi që ajo ishte dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe, gjatë luftës në Kosovë.

Pranvera, (identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë), në një bisedë të zhvilluar në vitin 2019, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se shpreson që edhe grave të tjera, të cilat kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, sa më parë t'iu pranohet statusi.

“E kam marrë pensionin prej shtatorit. Kjo do të thotë shumë për mua sepse jetoj nga ai pension dhe i rris dy fëmijët e mi. Por, e rëndësishme është që na është njohur statusi i viktimës seksuale. Jam e kënaqur që e kemi mbështetjen e shoqatës, por tash edhe të shtetit. E kemi përkrahjen edhe nga familja, por më së shumti nga organizata. Por, për ne, para së gjithash, është e rëndësishme që ata që e kanë bërë këtë krim, të ballafaqohen me drejtësinë“, thotë Pranvera për Radion Evropa e Lirë.

*Video nga arkivi: Heroinat e paqes

Heroinat e paqes
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:03 0:00

Bazuar në deklaratat dhe shifrat e prezantuara nga institucionet e Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-1999, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.

Viktimat e dhunës seksuale tashmë kanë kërkuar edhe drejtësi ndërkombëtare. Vitin e kaluar, Bordi Drejtues i Grave të Kosovës, ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara peticionin e qytetarëve të Kosovës, përmes së cilit kërkohet drejtësi ndërkombëtare.

Ky peticion ishte nënshkruar në vitin 2014, nga më shumë se 110 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar komunat e banuara me shumicë serbe. Synim i këtij peticioni ka qenë dhe mbetet që, siç thuhet, “kryesit e krimeve gjenocidale në Kosovë”, të dalin para organeve të drejtësisë.

XS
SM
MD
LG