Ndërlidhjet

Google ndalon përditësimin e sistemit Android për telefonat Huawei


Kompania Google ka vendosur të ndalojë disa përditësime në sistemin Android për telefonat Huawei. Kjo masë shënon goditje ndaj kompanisë kineze që është e dyta në botë për prodhimin e telefonave të mençur.

Me këtë masë telefonat e ri të Huawei do të humbin qasjen në disa aplikacione të Google.

Ky veprim vjen pasi administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shtoi Huawei në një listë të kompanive me të cilat kompanitë amerikane nuk mund të bëjnë tregti nëse ato nuk posedojnë licencë.

Huawei ka qenë epiqendra e konfliktit në mes të SHBA-së dhe Kinës, që ka dominuar politikën globale gjithë vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara deri më tani u kanë ndaluar një varg agjencive federale përdorimin e produkteve të Huaweit.

Google tha se me këtë veprim "po respekton urdhërin dhe po rishikon implikimet".

Kompania kineze Huawei nuk pranoi të komentojë.

Javën e kaluar, administrata e presidentit Trump, vendosi të shtoj kompaninë“Huawei” në “listën e entiteteve” e cila ndalon kompanitë të blejnë teknologji nga firmat amerikane pa miratimin e qeverisë.

Menjëherë pas këtij vendimi, shefja ekzekutive e kompanisë Huawei, Ren Zhengfei u tha mediave japoneze se “tashmë kanë qenë të përgatitur për këtë masë”.

Ai tha se kompania, e cila blenë çdo vit rreth 67 miliardë dollarë komponentë të paisjeve, do të shtyjë përpara zhvillimin dhe prodhimin në mënyrë vetanake të pjesëve teknologjike.

Huawei përballet me një reagim në rritje nga vendet perëndimore, të udhëhequra nga SHBA-ja, mbi rreziqet e mundshme që paraqiten duke përdorur produktet e saj në rrjetet e ardhshme mobile të 5G.

Disa vende kanë ngritur shqetësime se pajisjet Huawei mund të përdoren nga Kina për mbledhje të informacioneve dhe mbikëqyrje, akuza të cilat kompania kineze i ka mohuar.

Huawei ka thënë se puna e saj nuk paraqet ndonjë kërcënim dhe se është e pavarur nga qeveria kineze.

Megjithatë, disa vende kanë bllokuar kompanitë e telekomit nga përdorimi i produkteve Huawei në rrjetet celulare 5G.

Vendimi i fundit i kompanisë Google mund të jetë shumë i dëmshëm për Huawei në Perëndim, raporton BBC.

Blerësit e telefonave të mençur nuk do të donin një telefon me sistemin operativ Android që nuk do të kishte çasje në Google's Play Store (platforma për shkarkimin e aplikacioneve).

Sidoqoftë në terma afatgjatë, kjo mund t'u japë kompanive të telefonave të mençur arsye për të konsideruar seriozisht nevojën për një alternativë të besueshme ndaj sistemit operativ të Google.

Masa e fundit kundër Huawei shënon një përshkallëzim në tensionet ndërmjet kompanisë dhe SHBA-së.

Kompania po përballet me pothuajse dhjetraakuza penale të paraqitura nga autoritetet amerikane.

Uashingtoni po kërkon gjithashtu ekstradimin e shefit të Huawei, Meng Wangzou, nga Kanadaja, ku u arrestua në dhjetor me urdhër të zyrtarëve amerikanë.

Zhvillimet e fundit rreth kompanisë Huawei kanë përshkallëzuar gjithashtu një betejë tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, Kinës dhe SHBA-së.

Ato tashmë kanë vendosur ndaj njëra tjetrës tarifa në mallra në vlerë miliarda dollarë.

Presidenti Trump është ankuar vazhdimisht për praktikat tregtare të Kinës.

Megjithatë delegacionet e të dyja vendeve janë të angazhuara në negociata për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Rrethi i fundit i negociatave tregtare SHBA-Kinë ka mbaruar javën e kaluar në Uashington pa ndonjë marrëveshje.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG