Ndërlidhjet

Facebook s’do të heqë postimet ku pretendohet se COVID-19 u krijua nga njeriu


Ilustrim.
Ilustrim.

Kompania Facebook njoftoi se më nuk do të heqë postimet ku pretendohet se koronavirusi është krijuar nga njeriu.

Ky njoftim vjen në kohën kur po zhvillohet një debat lidhur me origjinën e këtij virusi.

“Teksa po bëhen hetime për origjinën e COVID-19 dhe në konsultim me ekspertët e shëndetit publik, ne nuk do të heqim nga aplikacionet tona pretendimet se COVID-19 është krijuar nga njeriu”, tha një zëdhënëse e Facebook-ut.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e shëndetit për të ecur në hap me natyrën e zhvillimit të pandemisë dhe vazhdimisht do të përditësojmë politikat tona, teksa dalin faktet e reja”, tha kjo zëdhënëse përmes një deklarate me shkrim.

Ky ndryshim i politikës së Facebook-ut, vjen në kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi se ka urdhëruar ndihmësit e tij që të gjejnë përgjigje lidhur me origjinën e virusit. Biden ka thënë më 26 maj se agjencitë e inteligjencës amerikane janë duke hetuar një sërë teorish, ku përfshihet edhe ndonjë aksident laboratorik në Kinë.

Kompanitë e mediave sociale janë përballur me presion për të ndihmuar në luftën kundër keqinformimit sa i përket pandemisë. Facebook-u ka thënë se ka hequr mbi 16 milionë artikuj, pasi kishte gjetur shkelje sa i përket informimit për COVID-19 si dhe për vaksinat.

Në muajin shkurt, kjo kompani kishte ndryshuar politikat e saj, duke hequr edhe postimet ku pretendohej se koronavirusi ishte krijuar nga njeriu.

COVID-19 ka vrarë mbi 3.6 milionë persona në mbarë botën. Rastet e para me këtë sëmundje janë raportuar në Vuhan të Kinës në fundin e vitit 2019. Megjithatë, origjina e virusit është një çështje kontestuese në mesin e ekspertëve.

XS
SM
MD
LG